“Sigurimsi”, Vasili akuza kryeprokurores për shpërdorim detyre: Arta Marku në detyrë, atentat i drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë

Kryesore

Petrit Vasili kërkoi shkarkimin e Arta Markut nga detyra si kryeprokurore.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se Marku ka shkelur ligjin në rastin e verifikimit të Bujar Sheshit, anëtar i KLP-së, për të cilën është denoncuar se ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit.

 

“Në rastin e një prokurori të caktuar Bujar Sheshit, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku i është drejtuar me shkresë në datën 26 tetor 2018, ky është dokumenti i cili citohet në vendimin e Autoritetit të Verifikimit të Dosjeve për të kërkuar verifikimin e figurës së këtij prokurori dhe Autoriteti përkatës i verifikimit mbi dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit i kthen përgjigje znj.Arta Marku në përputhje me procedurat e veta në datën 22 janar 2019. Pra në datën 22 Janar. Por çka ndodhur realisht? Arta Marku pa pritur aspak këtë përgjigje, pikërisht në datën 31 tetor, vetëm pesë ditë mbas dërgimit të shkresës te Autoriteti i Dosjeve e ka përcjellë këtë kandidat, si kandidat pa asnjë lloj problemi dhe si plotësisht të përshtatshëm për të vazhduar kandidimin në KLP dhe praktikisht ky zotëri është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot Arta Marku ka shpërdoruar haptas dhe qartë një shpërdorim detyre nga më të rëndit, që ka prodhuar pasoja nga më katastrofike, për shkak se ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë sot është ndërtuar nga njerëz, integriteti i të cilëve nuk është verifikuar”, u shpreh Vasili në një deklaratë nga selia e LSI-së.

Çdo vonesë në mbajtjen në detyrë të Arta Markut, tha Vasili, është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë Shqiptare.

Deklarata e plotë

Të nderuar qytetarë. Ndodhemi para jush për të denoncuar një skandal të përmasave shumë të mëdha, skandal i cili ka për autor për fat të keq Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, Arta Marku. Arta Marku është e ngarkuar me detyrë nga ligji që të verifikojë integritetin e figurës për të gjithë ata që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, organ i ngritur nga Reforma në Drejtësi.

Saktësisht neni 279 përcakton se Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore sipas procedurave të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji dhe në rast se kandidati nuk plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në rastin e një prokurori të caktuar Bujar Sheshit, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku i është drejtuar me shkresë në datën 26 tetor 2018, ky është dokumenti i cili citohet në vendimin e Autoritetit të Verifikimit të Dosjeve për të kërkuar verifikimin e figurës së këtij prokurori dhe Autoriteti përkatës i verifikimit mbi dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit i kthen përgjigje znj.Arta Marku në përputhje me procedurat e veta në datën 22 janar 2019. Pra në datën 22 Janar. Por çka ndodhur realisht? Arta Marku pa pritur aspak këtë përgjigje, pikërisht në datën 31 tetor, vetëm pesë ditë mbas dërgimit të shkresës te Autoriteti i Dosjeve e ka përcjellë këtë kandidat, si kandidat pa asnjë lloj problemi dhe si plotësisht të përshtatshëm për të vazhduar kandidimin në KLP dhe praktikisht ky zotëri është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sot Arta Marku ka shpërdoruar haptas dhe qartë një shpërdorim detyre nga më të rëndit, që ka prodhuar pasoja nga më katastrofike, për shkak se ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë sot është ndërtuar nga njerëz, integriteti i të cilëve nuk është verifikuar. Ajo për të cilën Reforma në Drejtësi u ngrit, pra për të krijuar filtra të fortë, të pakalueshëm, të pakapërcyeshëm për kandidaturat e diskutueshme, me integritet të ulët etj, sot rezulton filtra të çara, sepse Prokurorja që jo rastësisht u zgjodh me 69 vota, pra për tu kapur nga mazhoranca, rezultoi që u vu në shërbim të kapjes dhe sot dokumentat, verifikimi zyrtar i përcaktuar qartë në ligj dhe në Kushtetutën e Vendit janë sot vetëm një leckë pavlerë në duart e një Kryeprokurore tërësisht të kapur. Pra të nderuar qytetarë, i drejtohet në datën 26 Tetor me një shkresë Autoritetit të Dosjeve, nuk pret fare përgjigjen e tyre. Autoriteti i përgjigjet me datë 22 Janar, pak ditë përpara, por kjo zonjë nuk pret fare vetëm 5 ditë pasi i çon shkresën Autoritetit, ia dërgon kandidatin si të përshtatshëm dhe ai zgjidhet, ndërkohë që mbas 3 muajsh vjen një shkresë, e cila rezulton me probleme serioze për këtë kandidat, i cili tashmë gëzon mandatin e KLP-së.

Qartazi ligji ka rënë përtokë dhe cili është veprimi minimal që duhet të ndodhë në këtë rast? Shkarkimi i menjëhershëm i Arta Markut. Duhet të ishte një përgjigje jo vetëm për respektimin e ligjit, por dhe për qytetarët, të cilët përfundimisht janë zhgënjyer, nuk mund të besojnë më kurrë tek kjo Reformë në Drejtësi, e cila rezulton më difektoze, më pamoral dhe më e keqe se ajo që lamë pas.  Dhe jo vetëm mbas shkarkimit të menjëhershëm të kësaj Prokuroreje të Përgjithshme, por dhe fillimin e ndjekjes penale për t’u dhënë përgjigje pyetjeve për çfarë arsye Arta Marku e shkel dhe e dhunon ligjin?

Çfarë presioni ka? Në ndikimin e kujt e zhvillon këtë gjë dhe si e mban këtë përgjegjësi kaq të rëndë ligjore dhe penale, personale në radhë të parë, por dhe në shkatërrimin e institucioneve të sapoformuara të drejtësisë së re. Faktet janë të qarta, një hetim të tillë kaq flagrant mund ta kryejë edhe qytetari më i fundit i Republikës së Shqipërisë, dhe jo më qoftë edhe një prokuror i zakonshëm. Çdo vonesë në mbajtjen në detyrë të Arta Markut është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë Shqiptare. Ju faleminderit të gjithëve.

Share: