Marrëveshja ia ka arritur qëllimit që kishte

Analizë Opinion

Nga Preç Zogaj

Për shkak të një specifike të pandodhur më parë, që lidhet me braktisjen e Kuvendit dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore nga opozita, marrëveshja e javës së shkuar për reformën zgjedhore do të ishte dhe është pikësëpari një ngjarje politike. Ku ulja e palëve në tryezë dhe nënshkrimet respektive në letër do të prevalonin për nga rëndësia ndaj amendamenteve konkrete.

Natyrisht, ideale do të kishte qenë (dhe është akoma) që ulja të finalizohej me një reformë të plotë, një rrugë e dy punë, siç thotë populli. Por në rendin e nënkuptuar të përparësive që ngërthente ky moment delikat për të ardhmen e opozitës dhe jetës politike në tërësi, mospajtimet për çështje të ndryshme apo për pika të veçantë të paketës së rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it nuk do të përdoreshin për të rrezikuar kryesoren në këtë rast, pra uljen, firmosjen e një marrëveshjeje, qoftë edhe zhgënjyese apo të pamjaftueshme në raport me larminë e pritshmërive për reformimin e Kodit Zgjedhor.

Nga kjo pikëpamje reforma zgjedhore, që literalisht dhe thelbësisht konsiderohet reforma e rregullave të lojës, i kishte të gjithë letrat në rregull për të shërbyer edhe si mbulim apo “ casus belli” për një qëllim të madh që do të kishte kuptimin e kthimit të politikës në hullinë e bashkëjetesës dhe përballjes demokratike brenda institucioneve.

Kjo specifikë shpjegon angazhimin si asnjëherë tjetër të partnerëve perëndimorë për një reformë të tillë. Duke filluar me vendosjen e mençur të saj në listën e kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria për të përparuar me negociatat për anëtarësim në BE dhe duke kulmuar e gjithë kjo me protagonizmin vendimtar të Departamentit të Shtetit, Foreign Office dhe BE nëpërmjet ambasadorëve të tyre në Tiranë, zonjës Juri Kim dhe zotit Duncan Norman dhe zotit Luigi Soreca.

Angazhimi i fortë amerikan duket sikur “ tretet” në rolin e përhershëm shumë aktiv të SHBA në Shqipëri për të gjitha çështjet me peshë. Ndërsa ai britanik ka befasuar dhe është dukur kundërthënës në pamjen e parë duke qenë se Britania e Madhe që ka dalë për vete nga BE u fut në lojë që Shqipëria të plotësojë një kusht të vendosur nga BE. Në fakt nuk ka këtu asgjë kundërthënëse. Roli shumë aktiv i këtyre vendeve jashtë BE-së vërteton atë që po themi se marrëveshja mes opozitës dhe shumicës në Tiranë kishte si qëllim të dorës së parë rikthimin e jetës dhe përballjeve politike në shtratin e sistemit dhe, përtej kësaj, investimin e kushteve për stabilitet politik të qëndrueshëm përmes respektimit të lirive e të drejtave dhe sundimit të shtetit ligjor. Ky lloj stabiliteti është një interes miqësor dhe strategjik i aksit SHBA- Britani e Madhe dhe i BE-së në Shqipëri dhe në rajon. Interes i cili përkon plotësisht me aspiratat demokratike dhe kombëtare të Shqipërisë, Kosovës e me gjerë.

Partnerët ia dolën në këtë përpjekje jo vetëm se janë të fortë e kanë mbështetjen e shqiptarëve , por edhe se palët politike në Tiranë deshën. As opozitës, as shumicës aktuale nuk u leverdiste të mbanin pezull një konflikt që ka rezultuar i dëmshëm për të gjithë. Kjo që u arrit, në thelb, është marrëveshja për të sfiduar çdo lloj ëndrre, apo projekti, apo loje mendjelehtë më zjarrin, apo ambicie të verbër për pushtet, që e zhyt Shqipërinë në kaos, e bën pikë e pesë, siç e do armiku, siç do të thoshte Fishta; është marrëveshja për të lënë luftën e tipit “ o unë , o ti” dhe për të shkuar në zgjedhje, për t’u ndeshur në zgjedhje, për të pranuar verdiktin e zgjedhësve në bazë të një votimi dhe numërimi të standardeve demokratike për të cilin nuk se mungojnë ligjet, por ka munguar pikësëpari vullneti politik.

Nga kjo pikëpamje mund të themi se marrëveshja ia ka arritur qëllimit kryesor. Nuk është as rastësi, as rutinë që atë e përshëndetën përzemërsisht Sekretari i Shtetit, Make Pompeu dhe shumë politikanë e institucione politike në Europë. Të gjithë e dinë se kuadri i rekomandimeve të OSBE nuk gjeti reflektim të plotë në marrëveshjen e arritur. Por vlerësimet lidhen parasëgjithash me rëndësinë politike të saj, pa diferencuar meritat e një pale ndaj palës tjetër. As që u shkon nëpër mend kjo gjë.

Është thellësisht amatoreske dhe madje sjellje mistrece e provokative e aktorëve politikë e institucionalë me peshë të komentojnë se kush e uli kokën e kush s’e uli. Personalisht, kam qenë kundër djegies së mandateve dhe kundër bojkotimit të zgjedhjeve vendore nga opozita. Në kohë reale dhe jo pas pilafit. Në komunikime të mbyllura me shefin e opozitës dhe të hapura për publikun. Nuk kam patur asnjë dyshim se midis zgjedhjeve me një kandidat apo pa garë reale dhe shpërblimit të akteve që ndërmori opozita, partnerët tanë perëndimorë do të zgjidhin dhe do të diktonin me mjetet e tyre të keqen me të vogël, pra zhvillimin e zgjedhjeve të shëmtuara kundër një precedenti që e bën lëmsh demokracinë. Qëndrimet ekstreme të opozitës nuk kanë qenë adekuate me tërësinë e fenomeneve që i kanë shkaktuar. Po e gjithë kjo nuk i ka fshirë as dje, as sot përgjegjësitë e qeverisë Rama për dështimet dhe sidomos për disa rekorde të zeza për të cilët kemi shkruar e folur gjithashtu në kohë reale. Me fjalë të tjera, ndërsa nuk ka vend për të folur në mënyrë provokuese dhe keqdashëse për ulje kokash apo zbythje të opozitës nga kushte që nuk mund të futen në ligj siç është krijimi i qeverisë teknike para çdo pale zgjedhjesh, ka vend për të reflektuar nga të gjithë në funksion të së ardhmes.

Marrëveshja, siç po e shpjegojmë, u ka hapur rrugën disa ndryshimeve të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, siç janë ato për identifikimin biometrik të zgjedhësve që eliminon votimin fiktiv, për financimin e fushatave, për ndryshimet në sistemin e administrimit dhe animimit, për forcimin e masave mbrojtëse ndaj shitblerjes së votës , e tjerë. Edhe në këtë aspekt, ajo sjell risi, përparim. E cekën më lart: do të kishte qenë ideale të kishte hedhur hapa të plotë e të guximshëm për të adresuar në ligj të gjitha rekomandimet e OSBE-ODHIR-it dhe një pritshmëritë për votimin nominal të kandidatëve për deputetë. Në disa shkrime të mëparshme kam sjellë argumentet e mia se PD e ka elektoralisht në favor sistemin mazhoritar apo me lista të hapura. Kjo ka vlerë pikësëpari për të motivuar e fuqizuar zgjedhësit. Ka akoma një mundësi për të reflektuar në këtë aspekt. Sikurse është detyrë e Këshillit Politik të thellohet në adresimin e garancive për numërimin e votave të çdo partie. Thënë këto e të tjera si këto, sfida e opozitës mbetet rritja e mbështetjes popullore. Kur qytetarët në shumicë të qartë e ndajnë mendjen për të ndryshuar qeverisjen, nuk ka forcë t’i pengojë. Do t’u mjaftonte dhoma e fshehtë, si piramida që ndan botën e votës së lirë me botën e votimeve pa vlerë dhe disa standarde bazë që kodet tona zgjedhore i kanë patur gjithmonë. Kodet zgjedhore me të cilët është votuar në vitin 1991, në vitin 1992 dhe në referendumin kushtetues të vitit 1994 kanë qenë “ të hollë” në fletë në krahasim më të mëvonshmit, që kanë ardhur duke u “trashur” në përpjesëtim të drejtë me volumin e manipulimeve. “Gardhi” zgjedhor nuk mund të mbyllet kurrë deri në vrimën e fundit. Ndaj çlirimi nga kjo sindromë duke i derdhur energjitë dhe talentin për rritjen eksponenciale të mbështetjes popullore, është gjëja e duhur për tu bërë. /Gazeta Liberale

Share: