Shtimi i rasteve me COVID-19 në Shqipëri, Rama: Respektoni rregullat protokollare, në të kundërt do të penalizoheni

Aktualitet Kryesore Politikë Sociale

Kryeministri Edi Rama ka folur për tre ndalime, që në fakt janë të vendosura prej kohësh nga qeveria në kuadër të masave kundër përhapjes së COVID-19 por që janë theksuar dhe njëherë prej tij sot. Rama tha se nuk do të lejohet asnjë lloj grumbullimi, qoftë dhe politik, më shumë se sa numri i personave të lejuar nga protokollet.

Po kështu ai ka paralajmëruar edhe bizneset dhe qytetarët se nëse nuk zbatojnë masat do të penalizohen.

“Pasi kam folur gjerë e gjatë me ekspertët dhe ministren e shëndetësisë:

1. Nuk do të lejojmë më në asnjë mënyrë asnjë lloj grumbullimi, qoftë dhe politik. Ju them të gjithëve vazhdoni punën, liria e lëvizjes është e garantuar, liria e shprehjes nuk është diskutuar ndonjëherë por grumbullime më shumë se sa numri i personave të lejuar nga protokollet e sigurisë nuk do lejohen më. Policia e Shtetit duhet dhe do bëjë detyrën pa asnjë dallim. Kush merr pjesë në grumbullime apo në grupime më të mëdha se sa numrin e lejuar do të penalizohet drejtpërdrejt individualisht.
2. Bizneset që nuk do të respektojnë protokollet nuk do tolerohen më. Përveç gjobave rrezikojnë dhe heqjen e lirisë nëse kapen duke shkelur protokollet.
3. Qytetarët do të penalizohen nëse kapen në shkelje të rregullave të thjeshta por shumë të bezdisshme të distancimit social në hapësira të përbashkëta. Kështu nuk vazhdohet më tutje”, deklaroi Rama.

Share: