Nga Skënder Minxhozi
Në fillim iku brezi i vjetër i shkrimtarëve, aktorëve, gazetarëve, skenaristëve, piktorëve, poetëve dhe artistëve. Ajo gjeneratë që themeloi Universitetin, Kinostudion, Akademinë e Shkencave dhe praktikisht të gjitha institucionet e tjera të shkencës, kulturës e artit në vend. Sot po jetojmë ikjen e një brezi tjetër, atij që erdhi pas Budës, Kostallarit, Prosit, Buzës, Daisë, Zadejës e plot të tjerëve dhe që jetoi në të dyja kohët: në diktaturë dhe në demokraci. Është brezi i mikut Kiço Blushi, që përcjellim sot në banesën e fundit me pengun dhe boshllëkun që krijon çdo ikje e dikujt që ka lënë pas emër dhe vepër të spikatur. Ashtu si vetë Kiço, ky brez përshkoi të gjitha peripecitë e gërxhet e kohës, duke marrë përsipër rolin aspak të lehtë të hallkës lidhëse mes dy periudhave kryekëput të ndryshme e kontradiktore.
Do të mjaftonte t’i kujtonim të rinjve e të vjetërve, burrave, grave e deri edhe kalamajve të këtij vendi, se cili qe skenaristi i “Koncert në vitin ‘36” apo i “Çifti i lumtur”, ose autori i “Beni ecën vetë”, për të kuptuar se po ndahemi nga një personalitet i pazakontë dhe krejt i veçantë në panteonin e kulturës shqiptare të 50 viteve të fundit. Publicist me një penë të ndjeshme e ironike, dhe skenarist me diapazonin e batutën e jashtëzakonshme, Kiço Bushi nuk ka nevojë për asnjë kurorë të posaçme dafinash mbi arkivolin e tij. Do të jetojë me filmat, shkrimet e publicistikën e tij, me gjurmën e thellë që la në kinematografinë shqiptare. Kiço Blushi do të kujtohet për qetësinë, maturinë dhe elegancën me të cilën hyri dhe doli në jetën politike e institucionale të Shqipërisë, duke preferuar të jetë një personazh atipik, një pelegrin i vetmuar i rënë rastësisht në një “gropë predatorësh”.
Kiço Blushi ka qenë miku e mësuesi i shumë prej nesh gazetarëve, sot 50 vjeçarë, që kur hidhnim hapat e parë në zanatin tonë në fillim të viteve ’90. I qetë dhe i rezervuar, ai urrente zërin e ngritur dhe banalitetin. Do ta kujtoj si njeriun me të cilin ishte perherë kënaqësi të flisje e diskutoje. Si njeriun që doli rregullisht nga kuadrati gri i mendjembyllurve e meskinëve që gëlojnë ngado në Shqipërinë e 30 viteve të fundit. Lamtumirë i dashur mik!/javanews