Pritet të rritet çmimi i naftës, dritë e gjelbër koncesionit të pompave

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Komisioni i Prokurimeve Publike i ka hapur rrugën koncesionit të shumëpërfolur për “kontrollin e pompave” në stacionet e karburanteve. Përmes një vendimi të beftë, Komisioni i Prokurimeve ka lejuar Ministrinë e Financave të zhvillojë tenderin që ia kalon privatit këtë shërbim, i cili aktualisht kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë.

Projekti për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave të karburanteve ka lindur në vitin 2016, si propozim i pakërkuar nga një kompani shqiptare e quajtur “Noa Control”. Për dy vite, propozimi mbeti në sirtarët e Ministrisë së Ekonomisë, por çuditërisht, vitin e kaluar ai u riaktivizua në mënyrë të beftë.

Në muajin qershor, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, ku jo vetëm pranoi propozimin e “Noa Control” për koncesionin, por edhe e shpërbleu këtë kompani me bonus sa 10 për qind të pikëve në tender. Pas këtij vendimi, Ministria e Financave caktoi menjehërë tenderin, duke lënë si afat tetorin e vitit të kaluar.

Por, pak ditë para tenderit, një kompani zvicerane e ankimoi procesin në Komisionin e Prokurimit Publik. Në ankesën e detajuar, kompania argumentonte se koncesioni ishte në kundërshtim flagrant me ligjin, ndërsa kriteret e vendosura nga Ministria e Financave në tender kufizonin garën, duke paracaktuar si fituese kompaninë “Noa Control”.

Ankesa qëndroi për më shumë se 4 muaj në Komisionin e Prokurimeve. Tashmë, Komisioni ka vendosur ta rrëzojë atë, duke i hapur rrugë koncesionit të radhës, i cili për 20 vitet e ardhshme devijon 60 milionë euro, nga buxheti i shtetit te llogaria e një kompanie private.

Koncesioni i pompave është taksa e tretë private, që qeveria u ngarkon qytetarëve te çmimi i naftës. Dy të parat janë “tarifa e markimit” dhe ajo e “skanimit”, parà të cilat paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës, por në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit, janë devijuar në llogari private përmes koncesioneve, që lindin si oferta të pakërkuara dhe me procedura të kontestuara.

Share: