Nga Veton Surroi
1. Në Meksikë ekziston prej kohësh një barsoletë që në formën më të thjeshtësuar e shpjegon përvojën e qytetarëve të atij vendi me zbatimin e demokracisë, së paku gjatë shekullit XX: “Po vijnë zgjedhjet, ruaji xhepat!” Për t’u shndërruar në parullë, e cila përmbledh tërë një përvojë historike, qytetari i Meksikës duhej të kalonte nëpër një dhe palën tjetër të zgjedhjeve dhe në fund të krijojë një përvojë kolektive, e ajo është se në çdo palë zgjedhje pretendohet pushteti prej njerëzve, të cilët në fund do ta godasin xhepin e qytetarit.
Natyrisht, kemi të bëjmë me xhepin real dhe atë metaforik, një që përmban jo vetëm shumën e parave, të cilat disponon individi, por tërë atë që përbën mirëqenien e tij: ambienti, sigurimi social e shëndetësor, arsimi…
Parulla meksikane ka vlerë të veçantë në Kosovë, vendi i cili me gjithë ndihmën ndërkombëtare (më të lartën krahasuar me cilindo vend tjetër në botë) arriti të kalonte me shpejtësi marramendëse rrugën prej një demokracie në lindje drejt një shteti të kapur. Vendin sot e kontrollon një elitë e kriminalizuar e shpërndarë gjithandej vendimmarrjes dhe sundon, pos me mjetet e detyrimit shtetëror, edhe me një kulturë injorance e cubërie. Një pushtet i këtillë i ka futur duart në të dy xhepat e qytetarit të Kosovës, për një kohë të gjatë dhe me supozimin se zgjedhjet e ardhshme e të jashtëzakonshme parlamentare do të jenë pa vjedhje të mëdha votash, atëherë qytetari i vendit gjendet para dy sfidave: Si t’i heqë duart e pushtetarëve nga xhepi i tij dhe si ta mbrojë atë xhep në të ardhmen? Apo, vënë në formë të thjeshtësuar: Si të çlirohet Kosova, sërish?
2. Pyetja se si të çlirohet Kosova sërish është më ambicioze se ç’mund të marrë përgjigje në këtë apo në më shumë kolumne. Por është indikatore për atë që në gjuhën teknike quhet detyrë projektuese. Pra, sfida e zgjedhjeve të ardhshme mund të prodhojë këtë apo atë qeverisje, por problemi thelbësor i vendit është se a do të krijojë një proces çlirimi të vendit apo jo?
Dhe, rrjedhimisht, pritshmëria qytetare mund të ndihmojë në këto ditë duke e orientuar debatin publik kah marrja e përgjigjes se çfarë ofrojnë partitë apo koalicionet për të përmbushur detyrën projektuese: çlirimin e vendit?
E kuptueshme, përgjigjja e parë është ajo që nuk do shumë mend: Largoni (arrestoni, dëboni, hiqni dhe shprehje të ngjashme për mënjanim) elitën e kriminalizuar dhe kështu do të çlirohet vendi. Kjo përgjigje nënkupton që të ekzistojë një Forcë e madhe e jashtme e bamirësisë dhe e drejtësisë, e cila me një veprim do të heqë “të këqijtë” dhe do të sjellë në pushtet “të mirët”. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kanë pritur, në faza të ndryshme, njëzet vjet që kjo të ndodhë. Disi, OKB-ja do ta bënte, apo më vonë EULEX-i, apo tash Gjykata Speciale… Tashmë është e qartë se nuk ekziston një Forcë e këtillë, madje bindja dhe pritja për veprimin e një force të këtillë është e dëmshme për demokracinë dhe shtetin, sepse presupozon dorëzimin e sovranitetit (madje një të fituar formalisht rishtazi e me njëqind vjet mund) nga njëra anë dhe ikjen nga përgjegjësia vetjake për shtet nga ana tjetër e që të përbashkuara përbëjnë krijimin e një varshmërie ndaj ndihmës së huaj për çdo gjë, prej gjërave bazike ekonomike deri te mirëmbajtja e rendit dhe ligjit.
Pra, mbetet që heqja e kapësve të shtetit të bëhet me një proces të brendshëm e i vetmi që ka legjitimitet të plotë është procesi demokratik zgjedhor. Atëherë “detyra projektuese” bëhet, për ne qytetarët, se çfarë përmbajtjeje duhet të prodhojnë zgjedhjet demokratike, në mënyrë që të kuptojnë se po i japim përkrahje çlirimit të vendit e jo status-quo-së?
3.
Gjatë javëve në vijim do të shtrohet një temë, e cila ka të bëjë me formën më parë se me përmbajtjen. Për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për gjërat për të cilat kjo Gjykatë ka menduar se Kushtetuta nuk ka dhënë përgjigje eksplicite, çështja parësore që do të ngarkojë debatin publik është se a do të ketë koalicion parazgjedhor mes partive, në mënyrë që të sigurohet avantazhi për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë. Në situatën kur LDK-ja, VV-ja, AAK-ja dhe PDK-ja kanë dallim të vogël mes vete në sondazhet e bëra së fundmi, lidhja e koalicionit parazgjedhor të cilitdo prej kësaj katërshe do t’i krijonte avantazh ndaj tre të tjerëve.
Një veprim i këtillë nuk mund as të parapërcaktohet e as të përjashtohet. Nëse këtë e bëjnë partitë që kanë qenë në pushtet, do të jetë një sinjal i fortë për të mbajtur status-quo-në. Atëbotë, vështirë se mund të na shpjegojë gjë përmbajtja e axhendës së ardhshme qeveritare.
Por, çka nëse, hipotetikisht, kemi të bëjmë me koalicionin më të mirë të mundshëm, ai që në SHBA quhet “the best and brightest”, me më të mirët dhe më të mençurit? A duhet që vetë ky fakt – se kemi të bëjmë me më të mirët dhe më të mençurit (dhe më të mirat dhe më të mençurat) – të na çlirojë si qytetarë për aq sa të mos na interesojë axhenda?
Në fakt, në cilindo rast, më të keqin dhe më të mirin, në opinionin tonë publik kemi nevojë ta kornizojmë debatin, madje jo vetëm se si ta çlirojmë vendin, por edhe si të administrohet, kur (dhe si) të jetë çliruar.
4. Po propozoj që në këtë, dhe shkrimet në vijim, të jap disa pika që mendoj se janë të rëndësishme për debatin publik që duhet të formësojë mendimin tonë politik. Dhe, po e filloj me shkronjën e parë, me A si në ambienti.
Ambienti është temë që rëndom trajtohet si dytësore. Mbërrin të shndërrohet në parësore ditëve të dimrit në Prishtinë e rrethinë, kur Prishtina me rrethinë mbërrijnë nivelin më të lartë të ndotjes atmosferike në botë së bashku me dhjetë qytetet e tjera që merren si shembull për të keq. Dhe, ndonëse tema është më e gjerë se kaq, pa dyshim se gjenerimi i energjisë elektrike me linjit përmbledh një tërësi të madhe të temës. Dhe, këtu rrëfimi duhet të shkurtohet në pika të kuptueshme për të gjithë, dhe është si vijon. Kosova ka pasur një shans që me qeverinë e parë të pasçlirimit të gjejë përkrahje për tranzicion drejt mbylljes së termocentraleve ekzistuese dhe ndërtimit të një termocentrali të ri me teknologji më të pastër. Deri më tani nuk e ka bërë dhe çdo përpjekje qeveritare në këtë drejtim ka qenë më e keqe se ajo e qeverisë së mëparshme.
Pyetja për qeverinë e re, të dalë pas zgjedhjeve të shtatorit a tetorit të vitit 2019, është se çfarë ka në mend të bëjë me mbrojtjen e ambientit dhe përgjigjja që nuk jep kurrfarë shpjegimi do të ishte diçka si: “Do të kujdesemi maksimalisht për ambient të pastër”. Pyetja nuk ka të bëjë vetëm me mushkëritë e qytetarit, por edhe me xhepin e tij, sepse ai është: Çfarë do të jetë politika juaj energjetike? Dhe, këtu nuk do të mjaftojë përgjigja, diçka si: “Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike”, sepse pyetja imediate do të jetë: Kush do të ndërtojë, ku do të ndërtojë, kush do të paguajë…?