Terrorizmi politik nga Luli e Mona, që po frymëzon halabakët. Zot na ruaj!

Analizë Opinion

Nga Frrok Çupi

Duket sikur kushedi ku është, larg në Lindjen e Mesme a në Afrikë; na është mësuar qenia me ‘terrorizmin larg’. Por ka mijëra forma kjo e keqe e botës; ne e kemi provuar ‘pa u dukur’ kushedi sa rëndë. Terrorizmi politik ishte prezent mes nesh si në periudhën e diktaturës, në post- diktaturë dhe sot.

Këta që kanë lindur pas vitit 1997 nuk e dinë çfarë do të thotë ‘të mos dalësh dot nga shtëpia’ për të blerë bukën. As nuk e dinë sa u gëzua populli kur pa autoblindat sa një veturë ‘Fiat’ tek dolën plot frikë në rrugë për të na thënë ‘Eej, mbani frymën, jemi ne të shtetit’. Kronikat që botuam në gazetë ato ditë janë të mbushura me abortime nënash nga frika e terrorit… Terrorizmi politik është nga llojet më të këqij të terrorizmit; madje në ditët tona është më prezenti.

Nuk ka lindur sot, ka lindur e ka bërë kërdinë që para ‘Krishtit’;  as ka pse na duket ‘çudi’ pse po e shikojmë sot prapë mes nesh. A iu prenë rrugën dje në të gjitha hyrjet për në kryeqytet? A ju izoluan? A ju lanë pa ardhur te gruaja a te nëna?, pa shpejtuar për në spital?; pa kapur orën e takimit me të dashurin?, a ju mbajtën në rrugë dhe ua morën disa orë nga jeta?!…

Terrorizmi politik është më i keqi; ka vrarë carë, ka vrarë perandorë, ka vrarë babanë…, pse!? Për të marrë pushtetin.

Ja ku jemi sot: Ankth në rrugë; frikë në bulevard se ‘erdhën ata!’, djalin a vajzën policë i përcjell te dera e thua a do të të kthehen?; me sa plagë dhe me sa sy dhe me sa gishta do të kthehen?, fëmijët porositen të mbyllen në shtëpi ditën e ‘sulmit mbi parlamentin!’.

Kush e ka të drejtë të ta marrë këtë jetë, sado qoftë: dy orë, pesë orë, gjashtë minuta?.. Ja pra,  prandaj njihet ai terrorizmi me bomba në Sri Lanka e nuk duket ky ‘terrorizmi politik’ këtu…

Kthim te fillimi:

Pas 30 vjetësh, partitë që nuk mund të marrin pushtetin me vota, dalin e bëjnë terror në rrugë. Nëse nuk u jepet pushtet, janë betuar se do të na djegin shtëpitë edhe ne të vobektëve. Mund të mos na i djegë, p.sh., Luli, as Mona me dorën e vogël – sigurisht, por terrori politik frymëzon halabakët, hajdutët, grabitqarët që marrin ‘pushtetin jashtë parlamentit’. Pasardhësit e nismëtarëve të  pluralizmit politik në Shqipëri bëjnë koalicion për të mos hyrë në zgjedhje, d.m.th., për të asfiksuar pluralizmin politik. Asfiksimi i klimës politike është terrorizmi i grupit kundër shtetit.

Motivi: Ik ti të vij unë

A kishin energji të papërmbajtshme, këta politikanë? Paskan, pra… Atëherë pse nuk kërkuan toka djerrë (që kemi sa të duash) dhe të kashaiseshin atje, të gërmonin, të sulmonin, të mbillnin dhe në fund të shkarkoheshin nga energjitë e tepërta!?…

Por jo!, këta me energjitë e këqija që mbanin, kërkuan një gjë: Postin e kryeministrit…, pastaj do të kërkonin ministrin, pastaj rojën e selisë, pastaj klubet e natës… Njësoj si në të gjitha vrasjet terroriste në historinë njerëzore për pushtet…

Të gjithë thonë se e bëjnë ‘për arën djerrë të popullit’. Po të ishte interes i popullit, do të përdoreshin metodat e popullit: Votime, referendum, parlament, ligj… Këta nuk sjellin asgjë për popullin, parulla e tyre është ‘vetëm të heqin’. Heqin kryeministrin, heqin qeverinë, heqin lëvizjen e lirë, heqin rrugën, mbikalimin, teatrin, parlamentin, shkollën… Tipike e frikshme.

Në vitet ’90, edhe sikur dhunshëm ta kishte bërë, PD po sillte një gjë që nuk ishte dhe solli pluralizmin politik; tani edhe këtë e morën. Janë pakicë e pakicave, por sillen si ‘gjithsejti’…Po sikur shumica të ushtrojë pushtetin e vet?… Zot na ruaj.

Frika, ‘gia’ ka ndodhur’

Në kombet e ‘pranverës arabe’ që këta e kanë si ikonë, terrorizmi nuk vret as një të miliontën e tmerrit që shkakton. Iu vë frikë në zemër miliardave kur vret tre a pesë… Njerëzit tani kanë frikë, kanë frikë jo vetëm nga bombat dhe maskat në sulmet e ‘opozitës’, por se banditët do t’u vijnë në shtëpi. Gia ka ndodhur… Është goditur shteti, është hallakatur forca për të goditur krimin kundër individit.

Politika thotë se ky terrorizëm ‘po na prish imazhin në Europë!’. Jo, para kësaj, terrorizmi politik po na shkurton orët e jetës; nuk dihet cili të del në rrugë e nuk të lë të hysh në shtëpi pse do lek; nuk ke pse troket në komisariatin e policisë se aty nuk e ka mendjen njeri; nuk do të kesh gjykatës, nuk do të kesh më aleatët perëndimorë, do të krijohen mijëra ‘Astirë’ dhe nuk do të na lënë të kalojmë…

Pashka dhe terrorizmi

Me siguri nuk është gjetur rasti i menduar që në prag të pashkës të asfiksohen rrugët dhe të dalin njerëzit si egërsira. PD prej kohësh grumbullon brenda vetes ateistë dhe spiunë; LSI mbledh çdo inferior që shtron kurrizin dhe dhunon tjetrin. Askujt nuk i ka shkuar ndër mendje se të premten, të shtunën dhe të dielën- janë ditë pashke; këta që nesër zënë rrugët.

Në 31 mars ’91 i bëmë zgjedhjet e para në ditën e Pashkës Katolike; e kush e dinte, ishim të gjithë ateistë, por na paskësh zënë mallkimi. Tani pse i shkelin ditët e Paqes Hyjnore?  Edhe gratë janë ftuar që të bllokojnë rrugët; ato janë të detyruara të lënë vezët e pashkës, ose të përjashtohen nga grupi ‘terrorist’. Përjashtimi nga grupi terrorist kushton shumë. Kohët e fundit grupi terrorist po linçon ata që nuk u bashkuan me ta.

Mark Tween dhe terrorizmi:

Përderisa kemi shpërthime me bomba a me eksploziv, pse na duhet parlamenti!?… Këtë pyetje bëri shkrimtari amerikan Mark Tween, kur terrorizmi politik po zëvendësonte të drejtën dhe demokracinë në disa vende. Ironia e shkrimtarit tronditi botën qytetare që kërkon të drejtën jo dhunën.

Këta po e zëvendësojnë  të drejtën e zgjedhjes dhe parlamentin me forcën e shulave, d.m.th., me terrorizmin.  Që këtu bie ligji dhe Republika. Terrorizmi politik, i praktikuar që në lashtësi dhe në revolucionet e përgjakshme, është sa i lashtë edhe i ri; terrorizmi politik tenton që grupi dhe individi të sulmojë shtetin dhe jo shteti individin. Kërkohet pushteti me çdo kusht. (AFP.al)

Share: