Të flasësh në ditët e sotme për shtete etnikisht të pastra është pa diskutim utopike. Dhe kjo përforcohet kur këto shtete kanë qenë pjesë të formacioneve multietnike. Së pari, numërohen me gishtat e njërës dorë shtete sot në botë që janë etnikisht të pastra. Ballkani është një rast tipik, ku është e pamundur të ketë shtete etnike, i kontrolluar pothuajse në mënyrë të pandërprerë nga perandori me përmasa dhe ambicie globale. Dhe kjo veçanërisht në shekujt e fundit, ku rajoni u kthye në një përplasje për kontroll direkt mes perandorive Osmane, Austro-Hungareze dhe Ruse, pa harruar dominimin 45-vjeçar sovjetik dhe një miniperandori, e njohur si Jugosllavia e Titos. Për arsye pragmatike dhe për të shmangur rebelime që kishin pasoja afatgjata, këto perandori, gjatë sundimit të tyre në Ballkan, detyruan popullsi të tëra të zhvendosen ose të bëjnë ndryshime kolektive të besimeve fetare. Pra, dy elemente kyçe të doktrinës nacionaliste të shekullit 19, referuar kompaktësisë (unitetit) etnik dhe një besimi fetar të njëjtë, kanë qenë të pamundura për t’u aplikuar në Ballkan. Kjo, pasi kanë qenë fuqi të jashtme që kanë prishur balancat.
Ndryshimi i kufijve të Kosovës me Serbinë, sigurisht që do të hapë një “Kuti të Pandorës” për mbarë rajonin dhe më gjerë. Në praktikë, kjo nuk është një kërkesë thjesht me nuanca etnike, por edhe gjeopolitike dhe ekonomike. Serbët që jetojnë në Kosovën e Veriut llogariten në jo më shumë se 80.000 e po aq është dhe numri i kosovarëve në Serbi. E shprehur me përqindje është 0.8% e popullsisë së Kosovës, realisht shumë e vogël si shifër krahasuar me 9% turqit e Bullgarisë, 26% shqiptarët e Maqedonisë, 30% serbët e Malit të Zi, 8% hungarezët e Rumanisë, 12% kurdët e Turqisë apo 8.5% hungarezët e Sllovakisë.
Nuk do të ishte diçka e vështirë që fuqitë botërore të vendosnin të ndryshonin 3 rajone mes dy vendeve fqinje. Por kjo krijon një efekt domino. Kushdo të mund t’i thoshte “JO” një kërkese të serbëve të Bosnjës (32%) për t’u bashkuar me Serbinë apo edhe të kroatëve (16%) për t’u bashkuar me Kroacinë. Rajoni i Ballkanit ka parë në të shkuarën raste të shkëmbimeve të popullsisë. Më e njohura, ajo e vitit 1923, mes Turqisë dhe Greqisë. Por, që përsëri nuk ka krijuar një marrëdhënie miqësie normale mes dy vendeve.
PSE NUK ËSHTË PROBLEM TE KUFIJTË Minoriteti serb sot në Kosovë ka pa diskutim një mori të drejtash, që, krahasuar edhe me minoritete në vende të botës demokratike, nuk i gëzojnë. Ajo se për çfarë Serbia këmbëngul qëndron në diçka tjetër. Përdorimi i Kosovës si formë presioni ndaj BE-së, për të marrë sa më shumë favorizime apo koncesione. Një vend me kaq shumë probleme për sa i përket demokracisë, lirisë, medias dhe ekonomisë. Serbia ka gjetur si shkak justifikimi te banorët e saj problemin me Kosovën. Shpeshherë, duke e përdorur thjesht dhe vetëm për të tërhequr vëmendjen nga probleme të brendshme. Ndërsa me komunitetin ndërkombëtar, luan me kartën e Rusisë. Duke qenë se një numër i lartë i popullsisë serbe priret të mbështesë vendime radikale për Kosovën, rajon dikur i njohur si zemra e Serbisë, qeveritë e Serbisë e njohin mirë koston e lartë që mund të ketë një njohje e mundshme e Kosovës. Rasti që e provon është vrasja e ish-Kryeministrit Serb, Zoran Xhinxhiç, në vitin 2003, i vrarë nga nacionalistë serbë si pasojë e rrymës së pajtimit, që ai ndiqte me Kosovën.
ARSYEJA EKONOMIKE Mbase s’do kishte krijuar kaq shume debate, nëse rajonet e Kosovës së Veriut do të ishin shkretinore apo xhungla. Arsyeja ekonomike se pse Serbia nuk tërhiqet nga kërkesa e saj është te burimet nëntokësore, e njohur si “Kompleksi i Trepçës”. Një kompleks me më shumë se 40 miniera, i përdorur që nga koha e Perandorisë Romake dhe dikur në mesin e viteve 1970 ishte kompleksi me prodhimin më të lartë në Jugosllavi. Trepça ka kapacitete për të punësuar minimalisht 35.000 punëtorë dhe është një prodhuese kryesore e hekurit, zinkut dhe argjendit. Veç të tjerash, janë gjetur dhe sasi të pasuruara uraniumi. Sipas kalkulimeve të periudhës së Jugosllavisë, Trepça prodhonte rreth 4 bilionë $ në vit. Sot mendohet se ka një vlerë rreth 3 trilionë $. Rajoni i Ballkanit është një rajon kompleks në ndërtim, por edhe në organizim. Kjo, edhe prej faktit se ndodhet si një urë lidhëse mes Europës, Azisë dhe Afrikës. Aq sa dhe termi Ballkan ka hyrë në fjalor edhe si një nënkuptim për ndarje të territoreve të vogla në një mori shtetesh, njohur si ballkanizëm.