Ja çfarë duhet të dini për humbjen e dëgjimit!

Shkencë & jetë Sociale

Zhurma është një shkak i rëndësishëm i humbjes së dëgjimit. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë kohe paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të pakthyeshëm. Problematikë kjo që bëhet edhe më e shpeshtë me rritjen e moshës. Dje në “Ditën Botërore të Dëgjimit”, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik apeluan për kryerjen e kontrolleve të hershme, si dhe shmangien e faktorëve që ndikojnë në humbjen e dëgjimit. Sipas tyre, ndërgjegjësimi për rreziqet që e shkaktojnë, si dhe përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor, mund të zvogëlojë prevalencën dhe ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit. “Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja vetmie dhe izolim social. Gjithashtu, duhet theksuar se humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë edhe aparatet e dëgjimit”, vënë në dukje specialistët e shëndetit publik. Humbja e dёgjimit mund tё rezultojё nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatё lindjes, disa sёmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, pёrdorimi i disa mjekimeve specifike, si dhe ekspozimi nё njё ambient tё zhurmshёm. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara një sërë faktesh që duhet t’i dini rreth shkaqeve që çojnë në dëmtim të dëgjimit.

Zhurma është një shkak i rëndësishëm i humbjes së dëgjimit.

Sipas të dhënave të strukturave ndërkombëtare të shëndetit, është vlerësuar se 1.1 miliardë njerëz (të moshës 12-35 vjeç) rrezikojnë të humbasin dëgjimin për shkak të ekspozimit ndaj zhurmës në mjedise argëtuese si koncerte, ngjarje sportive, si dhe nëpërmjet përdorimit të pajisjeve audio. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të pakthyeshëm. Parandalimi mund të bëhet duke u ndërgjegjësuar për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit, dhe duke ndjekur praktikat e sigurta për dëgjimin.

 Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit.

Mbi 30 për qind e humbjes së dëgjimit te fëmijët është shkaktuar nga sëmundje të tilla si: fruthi, shytat, rubeola, meningjiti dhe infeksionet e veshëve. Është llogaritur se deri në 330 milionë njerëz vuajnë nga infeksionet kronike të veshit në nivel global. Kur nuk trajtohen, infeksionet kronike të veshit çojnë në humbjen e dëgjimit dhe mund të shkaktojnë komplikacione dhe vdekshmëri. Infeksionet kronike të veshit janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

Pothuajse 1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja vetmie dhe izolim social. Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë aparatet e dëgjimit.

Zhurmat profesionale dhe medikamentet që dëmtojnë dëgjimin

Humbja e dëgjimit mund të shkaktohet nga zhurmat profesionale dhe përdorimi i medikamenteve ototoksike (që dëmtojnë dëgjimin). Në shumë vende zhurmat profesionale, siç janë zhurmat e larta të makinerive dhe shpërthimet, janë një ndër rreziqet e humbjes së dëgjimit në punë. Zhurmat profesionale mund të parandalohen duke përdorur pajisje mbrojtëse. Disa ilaçe të përdorura, të tilla si aminoglikozide dhe medikamente të caktuara kundër malaries, mund të çojnë në humbje të dëgjimit të pakthyeshëm. Prandaj konsultohuni gjithnjë me mjekun tuaj para përdorimit të medikamenteve.

34 milionë fëmijë janë të prekur nga humbja e dëgjimit

Është vlerësuar se, deri 5 nga çdo 1000 foshnje lindin me humbje të dëgjimit ose e fitojnë atë pas lindjes. Humbja e dëgjimit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin psikosocial të fëmijës. Identifikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit, i ndjekur nga ndërhyrje të menjëhershme dhe të përshtatshme, mund të ndihmojë që fëmijët me probleme dhe humbje dëgjimi të gëzojnë mundësi të barabarta në shoqëri.

Përdorimi i aparateve

Njerëzit me humbje të dëgjimit mund të përfitojnë nga aparatet e dëgjimit të implantuara ose implanti koklear. Prodhimi aktual i aparateve të dëgjimit plotëson më pak se 10 për qind të nevojës globale. Është vlerësuar se ka 72 milionë njerëz që mund të përfitojnë nga përdorimi i një aparati dëgjimi.

Gjuha e shenjave

Gjuha e shenjave dhe shërbimet e titrave lehtësojnë komunikimin për personat të cilët kanë probleme me humbjen e dëgjimit. Personat që kanë probleme me humbjen e dëgjimit shpesh përdorin gjuhën e shenjave si një mjet komunikimi. Anëtarët e familjes, profesionistët mjekësor, mësuesit dhe punëdhënësit duhet të inkurajohen të mësojnë shenjat/gjuhën e shenjave në mënyrë që të lehtësojnë komunikimin me personat që kanë probleme me dëgjimin.

Kostoja e mostrajtimit në kohë

Të dhënat e raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, humbja e dëgjimit nga mostrajtimi paraqet një kosto vjetore globale prej 750 miliardë dollarë. Sipas këtyre burimeve, ekzistojnë shpenzime të konsiderueshme që lidhen me humbjen e dëgjimit të patrajtuar. Këto përfshijnë shpenzimet për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe punësimit. Ndërhyrjet për të trajtuar humbjen e dëgjimit duke përfshirë parandalimin, shfaqjen dhe sigurimin e pajisjeve të dëgjimit janë me kosto efektive.

Share: