Alkooli toksik shkakton vdekjen e 93 personave në Indi

Aktualitet Kryesore Sociale

Nëntëdhjetë e tre persona vdiqën dhe të paktën 200 të tjerë janë shtruar në spital në Indinë verilindore pasi konsumuan pije alkoolike toksike, njoftuan sot autoritetet lokale, më pak se dy javë pas një rasti të ngjashëm ku u regjistruan njëqind të vdekur në veri të vendit.

Viktimat e alkoolit të prodhuar ilegalisht, që është shumë më i lirë se pijet e kontrolluara, janë të zakonshme në Indi.

“Numri i viktimave u rrit në 58 dhe 75 persona të tjerë po kurohen në spitalet lokale “, u shpreh për median Dhiren Hazarika, një zyrtar i distriktit të Golaghat në shtetin e Assam.

Në distriktin fqinjë të Jorhat, një zytar i lartë raportoi për vdekjen e 35 personave të cilët kishin konsumuar alkool të prodhuar ilegalisht.

Në mesin e viktimave numërohen edhe disa gra të cilat punonin në plantacionet e çajit në Shtetin Assam.

Një komision hetimor është ngritur për të shqyrtuar rastet, ndërsa policia thotë se ka arrestuar një person që kishte shitur alkoolin, ndërsa dy zyrtarë ishin pezulluar pasi nuk kishin marrë masat e nevojshme për të penguar shitjen e tij.

Share: