Ecjen e elefantëve më së miri e dëgjojnë shtazët më të vogla, minjtë e milingonat. Për ta çdo hap i elefantit është tronditje e madhe
1.
Kisha për t’u takuar me një parlamentar gjerman në fillim të kësaj jave, por në të afruar ora e takimit arriti mesazhi i keqardhjes që pak a shumë shprehej kështu: Na vjen keq që nuk mund të takoheni me zotërinë B., por, siç e dini, pas kësaj fundjave të fundit është bërë rrëmujë e madhe.
Ajo që u quajt rrëmujë e madhe qe paraqitja e nënkryetarit amerikan Pence, duke kërkuar që aleatët evropianë të Amerikës të tërhiqen nga Marrëveshja bërthamore me Iranin dhe përgjigjja e kancelares gjermane Merkel se aleatët evropianë nuk do ta bëjnë këtë për arsye të thjeshtë se një marrëveshje që mbikëqyr programin bërthamor iranian, sado e kritikueshme të mundë të jetë, është më e mirë se asnjë kapacitet mbikëqyrjeje të programit bërthamor.
Dhe kjo përgjigje e kancelares Merkel erdhi në të njëjtin fjalim në Konferencën e Sigurisë në Munih, në të cilin po ashtu kritikoi SHBA-në për tërheqje nga marrëveshja për raketat balistike të bëra me Moskën.
Dhe i tërë ky këmbim që shpërfaq dallimet mes SHBA-së dhe Evropës ishte duke u përgatitur disa vjet.
Për shumëkënd ky është produkt i drejtpërdrejtë i presidentit Trump dhe mënyrës së tij të veçantë të udhëheqjes së politikës së jashtme amerikane, ndonjëherë edhe me cicërima Twitteri. Por, në fakt, ndonëse sjellja e presidentit Trump është tërësisht jokonvencionale dhe vështirë e parashikueshme edhe për partnerët tradicionalë amerikanë, një ndarje e këtillë me Evropën ka qenë duke u përgatitur edhe më herët, me vendimin strategjik të presidentit Obama se problemi më i madh me të cilin do të merrej SHBA-ja ishte Kina, gjegjësisht roli i kësaj fuqie në ngritje për të krijuar një baraspeshë të re politike dhe ekonomike botërore. Si produkt i drejtpërdrejtë i një kësi vendimi strategjik ishte edhe vendimi i presidentit rus Putin që të mbushte me prani të veten ndikimin në tërë atë hapësirë të cilën SHBA-ja nuk e konsideronte më të veçantë për vëmendjen e tyre. Dhe, tashmë kemi një dhjetëvjetësh të veprimit të Rusisë, prej Gjeorgjisë e Ukrainës deri në Siri; dhe natyrisht, në Ballkan, prej urës së Mitrovicës deri te përpjekja ( e dështuar) për grusht shtet në Mal të Zi dhe përpjekja (e dështuar) për të penguar marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës për atë që sot quhet Maqedonia Veriore.
2.
Shtyrja e takimit me parlamentarin gjerman është metaforë e qëlluar për atë se ku qëndron çështja e Kosovës. Në momentin kur dalin në sipërfaqe probleme më të mëdha gjeopolitike, çdo gjë u nënshtrohet atyre. Emri i problemit gjeopolitik të presidentit Obama ishte vendosja e peshës historike kah Oqeani Paqësor dhe pamë se si që të gjitha, prej Gjeorgjisë në Kosovë, iu nënshtruan këtij ndryshimi. Emri i problemit gjeopolitik të presidentit Trump është një interpretim i ri i Aleancës së deritanishme transatlantike, dhe çdo gjë do t’i nënshtrohet këtij problemi, prej Iranit, marrëdhënieve të sigurisë mes Washingtonit dhe Moskës e deri te Kosova. Dhe, për Kosovën kjo nuk është gjithaq e re; madje sa për kuriozitet, kjo është hera e dytë që Kosova gjendet së bashku me Iranin në një ekuacion gjeopolitik me shumë të panjohura. Kur në qershor të vitit 2007 Kosova duhej ta shpallte Pavarësinë, me insistim të Francës dhe pastaj me pajtim të aleatëve të tjerë transatlantikë, u shty për mbi gjysmë viti vendimi i koordinuar i Kuvendit të Kosovës.
Kërkesën e përcolli vetë ministri i atëhershëm i jashtëm, Kouchner, në Prishtinë, duke cituar kërkesën e presidentit Sarkozy që në bashkëpunim me presidentin Putin të gjendet një zgjidhje për programin bërthamor iranian.
Pra, sa për ilustrim, po të mos ishte puna e Iranit, Kosova ka mundur ta kishte si ditëlindje të Pavarësisë 17 qershorin 2007, jo 17 shkurtin 2008.
3.
Por , sfida me të cilën ballafaqohet Kosova nuk ka të bëjë më me kuriozitetin e datës (ndonëse edhe ajo shtyrje ka pasur efektet e veta në raportin e mëtejmë të forcave në Kosovë). Sfida e tanishme është diçka që nuk i ka ndodhur Kosovës prejse filloi politikën e vet properëndimore, me rënien e Murit të Berlinit.
Për herë të parë në tridhjetë vjetët e fundit ekziston një ndarje e madhe mes SHBA-së dhe vendeve prijëse të Evropës, një ndarje e madhe sa Oqeani Atlantik, për sa i përket natyrës së marrëdhënies transatlantike. Madje, kjo ndarje ka shkuar aq thellë sa shumëkush mbeti pa frymë (përfshirë edhe mua) kur u dëgjua se presidenti amerikan ka menduar me zë a thua a nevojitet më ekzistenca e NATO-s.
Kjo ndarje është e rëndësishme për shumë shtete, të mëdha e të vogla evropiane, të cilat llogarisin se ku mund të lëndohen interesat e tyre apo si mund eventualisht edhe të përfitojnë duke dalë nga kjo situatë. Por, asnjë shtet nuk ka pasoja me këtë skizmë perëndimore, ekzistenciale madje, sesa Kosova. Është shtet i mbrojtur nga gjenocidi dhe i pavarësuar nën përkujdesje të një Perëndimi të përbashkuar.
Siguria fizike e shtetit varet drejtpërsëdrejti nga NATO-ja dhe siguria fizike në ardhmëri do të varet nga funksionimi i tij normal si shtet anëtar i NATO-s. Rrjedhimisht, e tanishmja dhe e ardhmja kosovare janë të lidhura ngushtë me relacionin e veçantë që ka me SHBA-në si vend prijatar për çlirim dhe pavarësim të shtetit dhe me BE-në, habitati natyral jo vetëm i qindra mijëra kosovarëve që jetojnë aty, por i vetë Kosovës si shtet.
Mbrojtja nga gjenocidi, çlirimi i vendit dhe pavarësimi i tij qenë produkt i një politike transatlantike. Kosova nuk ka hyrë në asnjë proces negociator, as në Rambouillet e as në Vjenë, pa qartësi të plotë transatlantike; vetëm kështu edhe ka mundur t’i tejkalonte sfidat negociatore.
Tash për herë të parë, në veçanti në dy vjetët e fundit, procesi negociator në të cilin ka hyrë Kosova nuk është i qartë as në Washington, as në Berlin, Londër e Paris dhe as në Romë. E qartë është se Kosova është tashmë një prej listës pak më të gjerë të paqartësive që ekzistojnë mes Washingtonit , së paku atij presidencial (i këshilluar nga John Bolton, i cili është njësoj kundër pavarësisë së Kosovës si dhe kundër idesë së BE-së), dhe vendeve të Evropës. Dhe, ajo që është e qartë, ka kohë që kemi të bëjmë me improvizime të gjoja marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë – pa strukturë, pa kornizë, pa ndërmjetësim dhe pa udhëheqje.
4.
Ecjen e elefantëve më së miri e dëgjojnë shtazët më të vogla, minjtë e milingonat. Për ta çdo hap i elefantit është tronditje e madhe.
Diçka nga ky kontekst xhungle mund t’u hyjë në punë liderëve politikë të Kosovës, në pushtet e opozitë. Për ta, që përfaqësojnë njërin prej të vegjëlve të xhunglës, dy mësime mund të jenë të vlefshme. Një, që nuk kanë punë të jenë aty, nuk duhet të jenë objekt i grindjes së elefantëve: afrikanët thonë që kur elefantët zihen mes vete të shtypura mbeten milingonat.
Dhe dy, në tridhjetë vjetët e fundit kjo pjesë e vogëlsive të xhunglës ka parë hair vetëm kur elefantët perëndimorë kanë qenë duke ecur së bashku.
Përkthyer në gjuhë politike të përditshmërisë: pushtet dhe opozitë, bëhuni bashkë dhe bisedoni me kryeqytetet e atyre që e çliruan vendin dhe e përkrahën në pavarësi e tutje. Do të dëgjoni dallime, ndoshta edhe do t’i tregoni dallimet tuaja. Por, gjithsesi, do të niseni drejt një rruge, e cila nuk është si kjo e deritanishmja, qorre.