Në vitin 1919, teza kryesore përmes së cilës armiqtë e Shqipërisë kërkonin asgjësimin e shtetit shqiptar ishte vetëm një; Këta janë barbarë të pazotë për t’u qeverisur vetë, ndaj nuk mund të lihen shtet i pavarur. Fati ynë ishte, që në Paris kishim nja dy-tre burra me mend, si Fishta, Gurakuqi apo Mustafa Kruja se Shqipëria sot ndoshta nuk do të ekzistonte. Askush nuk e di nëse kjo do ishte më mirë apo më keq. Por e vërteta është se serbët, grekët, malazezët dhe kushdo që avanconte tezën se shqiptarët janë të pazotë për t’u vetëqeverisur, kishin të drejtë. Historia e ka provuar këtë në çdo ditë, e madje çdo sekondë, për plot një shekull të tërë.
Diku pas mbarimit të Luftës së Dytë, Shqipëria ishte ftuar të merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Enver Hoxha, të cilin gjatë udhëtimit, thuhet se e zënë ca kriza në Bari të Italisë. Tuk Jakova, i cili ishte i vetmi në delegacion, që dinte italisht, i sugjeron Enverit, të vizitohet te një mjek italian, që ishte dashamirës ndaj shqiptarëve. Pasi mbaron vizitën, mjeku del dhe i thotë Tuk Jakoves: Më vjen shumë keq për popullin tuaj.
-Pse, e pyet Jakova.
-Ky është udhëheqësi i tretë shqiptar që kam vizituar me diagnozë skizofrenie. Më parë kishte vizituar Sulejman Delvinën dhe Ahmet Zogun.
Nëse do kishte vizituar ata që erdhën më pas, besoj psikiatri italian do kishte kaluar edhe vetë në skizofreni. Këtë çorbë dimë të gatuajmë ne. Shqipëria është rast unikal në botë në shumë drejtime. Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër në planet, përfshirë dhe ato të botës së tretë, ku njerëzit më të famshëm në publik, nuk janë profesorët, akademikët apo mendjet brilante, por banditët dhe kriminelët.
Ashtu siç nuk ka vend tjetër në botë, që çon në parlament vrasës, përdhunues, evazorë apo kriminelë të fortë. Dhe kam frikë se faji nuk është vetëm i atyre që i emërojnë. Nëse sot, në çdo cep të Shqipërisë, vendos përballë në zgjedhje, një bandit të fortë të kamufluar me emrin biznesmen dhe një akademik apo profesionist të ndershëm, gjasat që ky i dyti të fitojë janë diku afër zeros. Është tregu që do dhunë. Në të shumtën e rasteve, oferta ndjek kërkesën. Prandaj sa herë që na lënë vetëm, i vëmë zjarrin vetes ne.
Bota e ka kuptuar me kohë këtë. Dhe kishin të drejtë. Tani e kemi ndezur sërish shkrepësen dhe presim që të vijnë prapë ata të na shpëtojnë. Ndoshta do vijnë do na shpëtojnë prapë. Por edhe pas kësaj, ne sërish do bëjmë atë që dimë të bëjmë. Shkrepësen.