Nga Ben Andoni
Po të lexosh thjeshtë 16 Shkurtin me syrin e Partisë Demokratike dhe LSI-së, atëherë bindesh se protesta e shumëpërfolur nuk është e njerëzve por e dy partive kryesore, që mëtojnë t’i marrin pushtetin Edi Ramës, duke përdorur malin e ankesave popullore ndaj tij. Është e vërtetë që protesta e ka tulatur maxhorancën dhe reagimi duket nga retorika e lodhur e kreut socialist dhe e njerëzve të tij, por shqetësimi mbetet sesa protesta do të shtrihet tek njerëzit dhe sa këta të fundit do e mbështesin në vazhdimësi.
Nga këqyrja e udhëzimeve të kreut demokrat shihet se organizimi është mirëfilli politik dhe me detyra të ndara për subjektet e veta kapilare. Secili do të marrë përgjegjësi të ndara, që do të thotë se vetëm me suksesin do të ngrejë dhe kreditet: nëse do të sjellë apo do organizojë njerëz.
Në një farë mënyre organizimi i protestave është i vjetër dhe është bazik në mënyrën sesi funksionojnë tre partitë kryesore. Problemi është se sa mirë organizohen në çdo segment dhe dinë emrin e çdo qytetari pjesëmarrës, kur vijnë në pushtet harrojnë gjithçka. Që do të thotë ata të shkretët që vinë me shpresën e vakët se PD dhe LSI, do ta rrëzojnë medoemos Ramën e PS-në më 16 Shkurt, pas kësaj do të mendojë seriozisht për ta, në çdo kohë zhgënjehen!!! Ky qerthull ka tre dekada që përsëritet dhe shqiptarët vazhdojnë të bien pre e këtyre politikanëve të paskrupullt. Në rastin e dy partive kryesore po aq fatkeqe mbeten edhe partitë satelite, ato që tashmë janë rrudhur aq shumë, saqë nuk vlejnë as si paterica dhe me fuqitë e tyre nuk mund të fitojnë as edhe ndonjë gjë, që u ofrohet në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. Marrim shkas nga ofertat që PD-ja i ka shtrirë për ndarje zonash me shpresën e madhe se republikanët, demokristianët dhe të tjerët do të mundin të jenë të angazhuar deri në fund në përpjekjen dhe tonin e lartë të PD-së për të diktuar jetën opozitare të vendit.
Në fakt përpjekja duket e re dhe duket se imiton krejtësisht atë të studentëve. Veçse studentët nuk e patën fare nevojën e trokitjes derë-më-derë, të cilën po e bën Kryemadhi dhe Basha, sepse i ndihën rrjetet sociale, kurse dy liderat e sotëm të opozitës mendojnë se në brendësinë e grupeve opozitare do të gjendet bërthama, e cila do rezistojë pa ndalur para kryeministrisë dhe pas 16 Shkurtit e tutje, duke e përsëritur skenarin e lodhshëm dhe strapacues të kryeqytetit tonë 99-vjeçar me bllokime dhe retorikën e mbushur me urrejtje, sharje dhe ofendime. A do ta relativizojë Rama dhe këtë lëvizje?! Me shumë gjasa, po. Skenari është i mirëditur, ndaj dhe përgjigjet janë të lehta, që të kalkulohen prej tij.
Është për të ardhur keq, që ndryshimet në vendin tonë mungojnë realisht kurse qetësia relative e funksionimit të një shteti normal, ku të debatohet dhe të punohet për të mirën, mungon. Detyrimi i madh i kryeministrit Rama për këtë gjendje nuk lë pa faj dhe kundërshtarin e tij zyrtar më të madh Lulzim Bashën, jo thjesht se ka qenë në pushtet, por kurrë nuk ka ofruar besim.
Shqipëria është në udhëkryqin e zakonshëm, para zgjedhjeve, një ritual që çdo përpjekje kinse të re, e zhgënjejnë axhendat e shpallura, hapur një vjetërsirë, përdorur me retushime nga të dyja partitë politike, të cilat duan medoemos pushtetin për t’u kthyer pastaj kur janë në krye njësoj të urrejtshëm për kundërshtarët.
/javanews