Nga Fatos Çoçoli
Kryetari i opozitës jashtë parlamentit ka kumtuar që deri në 15 tetor, ditë kur do të zhvillohet mbledhja e ministrave të Jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian për të vendosur për të na çelur ose jo bisedimet e anëtarësimit, opozita nuk do të organizojë protesta. Ky është një lajm shumë i mirë për maratonën tonë të integrimit. Për më tepër, kur vetë kryetari i opozitës e motivoi këtë “pushim” dyjavor me pritjen e rezultatit të mbledhjes. Trazirat e reja politike nëpërmjet protestave në rrugë edhe mund të kishin peshën e tyre në vendimin e minutës së fundit të disa prej 28 shteteve, sidomos të atyre që janë më mosbesues me ne. Holanda, së pari. Ministri i Jashtëm holandez mund të komentonte “Po këta janë ende në pështjellim të madh politik, mes protestash pas protestash. Pse duhet t’ua hapim bisedimet pikërisht tani?”. Shtyrja e çeljes së bisedimeve në qershor të këtij viti erdhi në një pjesë të mirë edhe nga situata e turbullt politike e vendit. Nga protestat e vazhdueshme të opozitës dhe mosgjetja e një pëlqimi nga të dyja palët. Integrimi, biznesi më i madh i familjeve shqiptare, i çdo qytetari të këtij vendi (Polonia në 25 vjet, 1994-2019 dyfishoi prodhimin e përgjithshëm për frymë të vendit, vetëm nga procesi i afrimit me Bashkimin Evropian dhe në këto 15 vitet e fundit nga qenia vend anëtar i tij. Bullgaria e rriti me 40 për qind prodhimin e përgjithshëm bruto të vendit vetëm nga hapja e bisedimeve në vitin 2002) doli humbësi më i madh i luftës së egër politike shkurt-qershor 2019 tek ne. Opozita veproi korrekt duke ngrirë përkohësisht luftën politike. Sikur të kishte vepruar njësoj në pesë muajt shkurt-qershor të këtij viti, sa pikë do të kishim fituar me integrimin! Por nuk ia vlen të qash mbi qumështin e derdhur. Duhet vënë kapital mbi këtë vendim të opozitës.
Pozita mund të miratojë në seancën e radhës të Kuvendit një rezolutë në mbështetje të integrimit dhe çeljes së bisedimeve (ta nënshkruajnë ata 122 deputetë sa kemi). Nuk është kurrë vonë ta ndërmarrim këtë hap, që nuk na kushton asgjë. Vetëm “mundimin” e dy gisht letër të përgatitur dhe nënshkrim unanim e protokollar. Me një domethënie jo të vogël, për të vërtetuar vullnetin e të gjitha forcave tona politike për progresin e integrimit. Pavarësisht se opozita reale ndodhet në rrugë, qeveria po ashtu në këto më pak se 13 ditë të ngelura mund të caktojë një pozicion qoftë edhe fillimisht honorifik, zv.kryeministër për integrimin. Në shenjë vullneti për të qenë sa më serioze me detyrat për integrimin. Në radhë të parë, me nëntë kushtet e Gjermanisë. Ende në kohë jemi, nëse qeveria mblidhet dhe përcakton një plan pune të shtrirë në kohë për përmbushjen e nëntë kushteve. Të paktën të atyre që varen nga veprimtaria e saj. Si kundërpërgjigje flakë për flakë e shqetësimin të Bashkimit Evropian lidhur me situatën tek ne. Por, a e ka vënë njeri ujët në zjarr për këtë punë në qeverinë tonë? Apo në Kuvend? Në seancën e radhës pamë fytyra të qeshura deputetësh dhe deputetesh të nxirë, të çlodhur dhe të ushqyer mirë. Si dhe veshje të bukura… Asnjë tension për çfarë luhet me fatet e shqiptareve të thjeshtë dhe me gjasat e integrimit. Asnjë angazhim, qoftë edhe sipërfaqësor. Idetë se nuk varet gjë nga ne, por gjithçka është tashmë në lojën e fuqive të Evropës së Bashkuar janë më të gabuarat. Integrimin e gatuajmë vetë. Partnerët në Bruksel dhe në kancelaritë evropiane janë tejet të vëmendshëm të shikojnë reagimin, kundërveprimin tonë.
Të dallojnë se sa seriozisht përgatitemi dhe i marrim të nëntë kushtet e vëna. Jemi ne në provë, jo ata! Deri tani asnjë kundërveprim, plan pune, zotim, qoftë dhe deklaratë formale se si do t’i plotësojmë këto kushte. Çfarë aleance, çfarë plani të përbashkët duhet të bëjmë. Sa turp! Integrimi nuk është produkt i fjalëve të bukura dhe fjalimeve brilante, por i punës së djersirë. Faleminderit opozitë e rrugës e vendit tim! Ti që gjendesh asgjëkundi dhe nuk ke asnjë shpresë se ku do të shkosh. Ti, të paktën bëre diçka. “Punën” e protestave e ngrive përkohësisht dy javë. Si kontribut për integrimin. Po ti, moj qeveri dhe ti mor Kuvend? Ku jeni? Si po punoni ju për integrimin? Duke pritur duarkryq 15 tetorin?