I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur për idenë e krijimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse të cilën thotë se e ka dhënë shkaku i letrës së presidentit amerikan, Donald Trump ku kërkohet heqja e taksës 100% ndaj mallrave me origjinë serbe e boshnjake.
Ai në “BlicInterview me Astrit Gashin” e ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se kjo mund të bëhet vetëm nëse në të do të përfshiheshin të gjitha partitë politike në Kosovë edhe pse shton që nuk tërhiqet nga kërkesa kryesore që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Mustafa ka treguar se kjo ide e tyre nuk është ide për krijimin e një Qeverie Teknike pasi që konsideron se një qeveri të tillë nuk mund të ketë në Kosovë shkaku i asaj se Dialogu me Serbinë tani është një problem shumë i madh politik.
“Unë vetëm e kam për obligim t’i prezantojë qëndrimet e LDK-së sa i përket kësaj. Tash ne jemi shprehur, dhe atë jo individualisht, por jemi shprehur përmes këshillit të përgjithshëm dhe kryesisë së LDK-së se kjo Qeveri tani ekzistuese, dhe ky koalicion nuk ka legjitimitet politik për të zhvilluar dialogun. Sepse kemi vlerësuar që është koalicion i pakicës, do të thotë nuk e përfaqëson shumicën në Kuvend. Edhe kur ishte Lista Serbe, ishte një shumicë shumë e shkriftë dhe jo e qëndrueshme.
Pas daljes së saj hyri Partia Socialdemokrate (PSD), jo në Qeveri por do të thotë e bëri një përkrahje, i shprehi përkrahje, i dha përkrahje koalicionit Qeverisës për tema që janë shumë të rëndësishme, për buxhetin dhe tema të tjera.
Mirëpo edhe me të nuk kemi një shumicë parlamentare e cila është në gjendje të zhvillojë dialogun dhe kemi thanë që në këtë situatë zgjidhja më e mirë është që të shkohet në zgjedhje që të fitohet legjitimiteti politik edhe qytetar përmes zgjedhjeve dhe pa marrë parasysh se ku do të jetë LDK-ja pas zgjedhjeve, LDK-ja pastaj do të jetë pjesë e dialogut dhe deri atëherë LDK-ja do të mbetet në opozitë dhe përmes opozitës ne do ta përkrahim dialogun për aq sa e përkrahim zgjidhjen, sepse në qoftë se një zgjidhje është e mirë për LDK-në dhe e konsiderojmë se është e mirë për Kosovën themi se ne atë zgjidhje do të mund ta përkrahnim, në qoftë se vlerësojmë se jo – nuk e përkrahim dhe pas Letrës së presidentit, Trump dhe insistimit të SHBA-ve që procesi i dialogut të shkojë më shpejtë ne thamë se në qoftë se nuk jeni të gatshëm të shkohet në zgjedhje ashtu siç ne insistojmë, ne atëherë jo do të pajtoheshim, por do të konsideronim një Qeveri gjithëpërfshirëse në të cilën asnjëra prej Partive Politike të cilat janë në Kuvend, në Parlament do të thotë partive parlamentare nuk mbetet jashtë. Por ne nuk kemi folur për Qeverinë teknike, sepse unë konsiderojë që Qeveri Teknike nuk mund të ketë në Kosovë për zgjidhjen e problemeve të thella politike sepse Dialogu me Serbinë tani është një problem shumë i madh politik,” -ka thënë ai për “BlicInterview”.