Të rrosh sa Idriz Ajeti!

Gjuhësi Politikë

Nga profesor Qemal Murati

Më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare, shuhet fizikisht Njeriu me vlera dhe albanologu i shquar Profesor Idriz Ajeti. Jetëgjatësia e tij përmbi njëshekullore ishte metaforizuar dhe shpesh përdorej në qarqe akademike në raste urimi për jubilarë ditëlindje: Të rrosh sa Idriz Ajeti! Që  vjen të thotë: Të rrosh mbi 100 vjet! Po përtej jetëgjatësisë së tij fizike, ky urim mund të bëhet edhe: Të jetosh sa vepra e Idriz Ajetit! Që i bie: Të jetosh qindra vjet! Aq sa do të jetojë vepra e tij madhore e madhështore shumëdimensionale gjuhësore shkencore albanologjike.

Natyra e Zoti zgjodhën t’i jepnin këtë jetëgjatësi dhe njëkohësisht forcën që ky intelektual i shquar dhe mjeshtër i madh i albanologjisë të merrte përgjegjësinë për ecjen tonë kombëtare, të ishte themelvënës i të gjitha institucioneve tona arsimore e shkencore në Kosovë, “të  gjente copëzat e shpërndara të gjuhës shqipe dhe për t’i bërë bashkë ato – në një mendje dhe një shpirt”, të bashkërendonte rrugën për krijimin e shqipes sonë të përbashkët letrare dhe të krijonte veprën e tij kolosale albanologjike.

Vepra e tij është e veçantë për metodologjinë shkencore se si duhet të trajtohen problemet në albanologji, është model për rrokjen dhe hetimin në thellësi të problematikave gjuhësore, për qëndrimin parimor e të paluhatur për të vërtetën shkencore. Këtë ai e pohonte edhe vetë shprehimisht: “Portreti më i mirë që i bën njeriu vetes është përkushtimi i tij ndaj së vërtetës shkencore.

Profesor Ajeti, siç është thënë me të drejtë, ka bërë një jetë të mbushur me trinomin: Punë, Sakrificë, Përkushtim.

Profilin e tij, mund të thuhet, e karakterizojnë tri tipare thelbësore:

E para, është shpirti i tij njerëzor. Gjeni një tjetër njeri dijetar si profesor Idrizi – shprehej prof. Ali Jashari. Me atë pamje arushani që kishte, me dije të thelluara dhe me qëndrime konsekuente që mbante përhera, një Njeri dhe personalitet të tillë nuk mund të gjejmë. E kishte bërë të veten një thënie të Ajtnshtajnit kur jepte ndonjë këshillë: “Mos u përpiq të bëhesh njeri që ka sukses, por përpiqu të bëhesh një njeri që ka vlera”.

E dyta, është më­simdhënia për gjuhën shqipe. Profesor Ajeti ka mëkuar me dashurinë për shqipen dhe ka selitur njohuritë për të te shumë e shumë breza nxënësish dhe studentësh, dhe ka bashkuar copat e shqipes në një shqipe të përbashkët.

E treta, është përmasa shkencore në gjuhësinë shqiptare. Profesor Idriz Ajeti është  një shkollëe vërtetë e gjuhësisë shqiptare në Kosovë e jo vetëm, që ky e kishte nxënë te Mësuesi i tij i Madh Henrik Bariç, Carlo Tagliavini etj. Ai është dhe mbetet një prej trashëgimive më të pasura albanologjike: gjuhëtar, filolog, pedagog, përkthyes, organizator e drejtues i disa institucioneve të rëndësishme arsimore e shkencore të Kosovës. Një figurë e tillë në albanologji vështirë se do të jetë e përsëritshme.

Shqipja ka në përdorim dy folje për gjallimin, siç do të shpreheshim me fjalët e prof. Valter Memishës: rroj dhe jetoj. Mësuesi ynë i Madh Idriz Ajeti, që na la vetëm fizikisht, me shëmbëlltyrën e tij madhore si Njeri dhe si Gjuhëtar i rangut të parë të përmasave kombëtare e ndërkombëtare, më bëjnë të them se kujtimi për profesorin do të rrojë i pavdirë përgjithmonë në memorien tonë kombëtare, por me veprën e tij madhore që ka krijuar në kushte të jashtëzakonshme ai do të jetojë në Albanologjinë shkencore, pranë të mëdhenjve Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi e kolosëve të tjerë që nuk janë të pakët.

Njeriu me vlera dhe gjuhëtari i rrallë Prof. Idriz Ajetit, është stu­diuesi që punoi me zell e dashuri një shekull jete për fjalën dhe gjuhën shqipe, vepra model e të cilit ka pasur e do të ketë një rol të dorës së parë për formimin e gjuhës letrare shqipe e stabilitetin e saj dhe për studi­met albanologjike përgjithësisht. Ai është dhe prijatari që në Konsultën Gju­hësore të Prishtinës të vitit 1968 kërkoi unifikimin e gjuhës letrare shqipe e që bashkoi parcelat e shqipes në një shqipe të vetme. Është Klasiku mitik i gjuhësisë shqiptare, që e ngriti në mënyrë të epër­me albanologjinë shkencore në Kosovë.

Dramën e gjuhës e shihte të pandarë nga drama kombëtare e popullit shqiptar

Me emrin e prof. Idriz Ajetit zë fill e rritet albanologjia kosovare, krijohen të gjitha bërthamat e institucioneve nacionale arsimore e shkencore në Kosovë – Universiteti i Prishtinës, Instituti Albanologjik, Akademia e Shkencave dhe e Arteve – në ballë të të cilave qëndroi i patundur si një lis i moçëm e plot gëdhenj. Ai ka meritën të ketë formuar breza të tërë albanologësh, letrarësh e pedagogësh, që i dalin zot me kompetencë dijes shqiptare si Mësuesi i tyre.

Në veprimtarinë përmbigjysmëshekullore të Prof. Ajetit, vendin e parë dhe të zemrës e zë pa dyshim prodhimtaria e pasur në fushën e gjuhës – e këtu në të gjitha degëzimet e saj, por mbi të gjitha në historinë e gjuhës shqipe dhe në lëmë të gjuhës letrare.

Albanologjia shkencore dhe kosovologjia (term i Selman Rizës) do të ishin të mangëta pa veprat drejtimdhënëse të Prof. Ajetit, si në gjurmimin historik të fjalëve (etimologjisë), në studimin e dialekteve të shqipes, në qëmtimet onomastike, ashtu në lëmin e standardizimit të shqipes së sotme letrare. Në të gjitha këto fusha Prof. Ajeti ka vënë nga një gur të fortë themeltar dhe është një prijatar që imponon me gjykimin e tij të rreptë shkencor, gjithnjë në funksion të çështjes kombëtare.

Punimet e para të Prof. Ajetit i përkasin spektrit të kulturës së gjuhës, një fushë e parapëlqyer e tij për shkak të dimensionit e jetësisë kombëtare që ka. Po për këto arsye, formimi i shqipes letrare e bashkë me këtë dhe pasurimi e pastrimi i saj nga lënda e huaj do të bëhen tema bosht dhe do ta preokupojnë dijetarin tonë në gjithë veprinë e tij shkrimore e pedagogjike, duke e këqyrur dramën e gjuhës të pandarë nga drama kombëtare e popullit shqiptar, që mjerisht qe shpeshherë tragjike.

Çështjen e gjuhës letrare shqipe, njësimin e kësaj gjuhe që e kemi sot, do ta ushqejë me dashuri atërore, me kontribute të pallogaritshme dhe do ta mbrojë në çdo hap po me kaq dashuri kombëtare nga shqipshkalësit e racës sonë e të huaj, që për interesat e tyre egoiste, lokal-patriotike e shoviniste projektonin plane kundër njësimit të kësaj gjuhe.

Në qoftë se gjuha jonë letrare ka mangësi e dobësi të natyrës gjuhësore – përsiaste Prof. Ajeti– ka shteg që specialistët e saj në bashkëtakime t`i afrojnë mendimet duke këmbyer pikëpamjet e tyre rreth çështjeve të hapura. Por në qoftë se fjala është për çështje që prekin në themelet e gjuhës kombëtare, atëherë mendojmë se do të jetë vështirë të merret e të rrëzohet ndërtesa e gjuhës sonë letrare, në ngritjen e së cilës katër a pesë breza veprimtarësh specialistë e patriotësh zelltarë shqiptarë, pareshtur, vinin gur e tash e njëzet vjet pasi u përvetësua nga mbarë bota shqiptare mori shtat e u zhvillua për mrekulli.

Për prof. Ajetin, përpjekjet tona, në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë gjuhën shqipe, tani duhet të jenë përpjekje për ta përmbushur, pa e trandur themelin e saj:

“Gjuha zhvillohet, po aq sa zhvillohen edhe shoqëritë. Po aq sa është zhvilluar edhe e gjithë shoqëria shqiptare, kudo, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë edhe në pjesët e tjera të Ballkanit. Dhe gjuha duhet të jetë pandashmërisht pjesë e evolui­mit, e përmbushjes së nevojave të një populli, që flet me dialekte por që rrënjën e ka të përbashkët. Dhe prandaj përpjekjet tona, në shekullin e kaluar për ta bërë bashkë, tani duhet të jenë përpjekje për ta përmbushur, pa e trandur themelin e saj. Kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të dashurisë për gjuhën, me një ndjenjë të për­gje­gjësisë dhe me qasje të ndërgjegjshme ndaj saj për ta ruajtur, kul­ti­vuar dhe për ta zhvilluar duhet t’i prijnë institucionet tona shkencore, në Tiranë e Prishtinë.”

Shumë shkencëtarë albanologë e joalbanologë gjuhën tonë letrare e gjejnë të drejtë edhe nga pikëpamja teorike dhe praktike, gjykon më tej Prof. Ajeti, dhe as nga ana racionale nuk e shohim punë të urtë e me mençuri kjo gjuhë të zëvendësohet me një gjuhë tjetër a me dialektin e bukur të gegërishtes – por dialekt, qysh kërkonte Arshi Pipa me bashkëmendimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij të mendjes.

Njësimi i gjuhës letrare shqipe, si një gjë madhore që është, i trazonte edhe ndjenjat shoviniste të klasës intelektuale serbe. Elita politike e kulturore e Beogradit vepronte me të gjitha mjetet e propagandës që shqiptarët të përdornin ndonjë gjuhë fisnore a dialektore – šiptarski jezik dhe albanski jezik, për t`i përçarë e sunduar më lehtë, dhe jo një gjuhë të përbashkët të tyre si shprehje e njësimit kombëtar. Prof. Ajeti me një bagazh diturish e me guxim intelektual të pashoq u doli përpara atyre planeve e projekteve të zeza me një mal argumentesh e veprash të mëdha dhe i la ata farë “kujdestarësh” serbë me gishta në gojë – se shqiptarët si një komb i qytetëruar i Evropës do të kenë një gjuhë të përbashkët letrare, i pëlqen kjo dikujt ose jo!

Elementi shqiptar nuk ka pushuar së banuari në atdheun e sotëm dhe të lashtë të tij

Autoktonia e shqiptarëve, lashtësia e këtij populli në thellësitë dhe në gjerësitë e Ballkanit, do të jetë një fushë tjetër  të cilën Prof. Ajeti do ta lëvrojë me sukses gjithë jetën e tij. Duke shoshitur e përimtuar një fond të pasur leksikor e onomastik të truallit gjeografik të Ballkanit – të Dardanisë antike (Kosovës së sotme) dhe të tërthoreve të tjera të gjeografisë shqiptare, me metoda të rrepta dhe objektive shkencore, Prof. Ajeti do të gjejë prova të pakundërshtueshme lashtësie të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij në trojet e veta që i banon sot e ku ka banuar dikur së paku që nga antikiteti. Është gjuha shqipe ajo që në vetvete ruan huazime nga gjuhët e vjetra klasike greqishtja e latinishtja që vërtetojnë vjetërsinë e saj të trashëguar brez pas brezi. Moshë të madhe të popullit dëshmon më së miri edhe onomastika, tekstualisht toponomastika e trevave ku ai lashtërisht banon sot e ato ditë pandërprerë – do të përsiasë Ajeti.

Albanologu ynë Ajeti elementin shqiptar në materialin onomastik më shumë se nga ana kuantitative (sasiore) është i prirur ta studiojë nga ana kualitative (cilësore) – edhe me të drejtë – dhe më shumë se nga ana e jashtme këtij materiali ai i sillet së brendshmi.

Gjykimi i tij i mprehtë se “Toponimia dhe antroponimia nuk është e domosdoshme të jetë e mirëfilltë shqiptare, mjafton që ajo të ketë moshë të atillë që mbi bazën e ligjeve të gjuhës sonë nga trajtat e hershme të mund të shpjegohen format e sotme të saj” ka vlerë aksiomatike dhe drejtimdhënëse. Vetëm me të sajat zhvillime fonetike të brendshme të shqipes është e mundshme të nxirren emrat e qyteteve të vjetra, maleve dhe lumenjve të kohës antike: Scupi – Shkup, Astibos – Shtip, Bardouarios – Vardar, Scardus Mons – Mali Sharr, Scodra – Shkodër, Barbana – Buenë, Bunë, Lissus – Lesh, Lezhë, Issamnus – Ishmi, Dyrachium, Durrachium – Durrës, Valona – Vlorë, etj. Kjo përbën provën më të sigurt për autoktoninë e shqiptarëve në truallin e tyre të sotëm dhe historik, që domethënë se elementi shqiptar nuk ka pushuar së banuari në atdheun e sotëm dhe të lashtë të tij, që ka pësuar një rrudhje, një restrikcion, e jo një zgjerim a ekspansion – siç e dëshmojnë këtë emrat antikë të mësipërm që kaluan nëpër gojën e shqiptarëve prej trajtave të vjetra në të sotmet të tyre. Topikët e sjellë këtu sipër studiuesit e lagjes sllave do të heqin shtërzime të mundimshme t`i shpjegojnë të kenë kaluar te shqiptarët gjoja me ndërmjetësi sllave ose të gjuhëve të tjera dhe të përtypin gjykimin e tyre se “Emra antikë me etimologji të padiskutueshme prej shqipes në Gadishullin e Ballkanit nuk ka” (A. Loma).

Do të jetë përsëri arushani kosovar Idriz Ajeti ai që do t`u vihet përballë këtyre zelltarëve që pretendojnë të merren me problematikën komplekse të albanologjisë shkencore me metoda kundërshkencore, gjithnjë në kërkim të asaj për të mohuar autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe historike dhe do të vërtetojë se çështjet e tilla nuk mund të zgjidhen mekanikisht siç ia ka ënda lagjes sllave. Fjala shpeshherë e përsëritur e tyre – e historianëve, e gjuhëtarëve, e antropogjeografëve sllavë se Kosova është tokë vetëm e serbëve si djep i tyre që na qenka, mbi të cilën paskan të drejtë historike, te Prof. Ajeti do të gjejë përgjigjen e merituar se kjo s`është e s`mund të jetë e plotë; ajo do të thuhet e plotë vetëm atëherë kur në ngarkesën e vet vështrimore të përfshijë pa ngurrim edhe elementin etnogjuhësor e struktural shqiptar si anas në këto troje.

Këtu nuk do të lëmë pa përmendur se në lëmin e kërkimeve onomastike janë përzier e përzihen pa kompetencë edhe studiues shqiptarë të profileve të ndryshme – historianë, gjeografë e gjuhëtarë, të cilët me veprinë e tyre diletante e kanë dëmtuar dhe e dëmtojnë në radhë të parë vetë albanologjinë. Edhe ndaj tyre e ndaj kësaj lagjeje “onomasticienësh” Prof. Ajeti do të mbajë një qëndrim po ashtu të rreptë dhe punës së tyre do të vinte shenjën e barazimit me të “bisedimeve e gjykimeve etimologjike” të zhvilluara në odat e katundeve tona. Kundër anarkisë në studimet etimologjike të gjuhës shqipe – kjo është motoja e Prof. Ajetit.

Strumbullari i fushës studimore të prof. Ajetit do të jenë pa dyshim marrëdhëniet gjuhësore shqiptare-sllave. Në këtë lëmë, si një njohës i mirë i gjuhëve sllave, ai do të botojë një varg studimesh themelore, ku do të shquajë në radhë të parë rolin dhënës të shqipes. Emërtimet gjeografike në shqipen dhe në serbishten, studimet e ndërsjella etimologjike albano-sllave, fjala shqipe në Fjalorin e Glisha Elezoviçit, ndikimi i shqipes në të folmet serbe të Kosovës, janë disa nga kryepunimet e dorës së tij mjeshtërore, me rëndësi themelore për albanologjinë dhe për ballkanologjinë, që reflektojnë larg në pikëpamje edhe të metodologjisë shkencore.

Çmimi për studime shqiptare “Idriz Ajeti”      

Profesor i shquar i gjuhësisë shqiptare dhe ballkanike, autor i shumë veprave shkencore dhe teksteve universitare, që ka dhënë ndihmesa të vyera në përgatitjen e mësuesve të shqipes dhe stu­diuesve të saj, që ka mbrojtur me përkushtim gjuhën e përbashkët shqipe, Idriz Ajeti për veprën e tij është nderuar me Çmime të shumta prestigjioze nga institucionet tona shtetërore arsimore e shkencore.

I vlerësuar si njëri prej intelektualëve më të mëdhenj, për kontributin i tij në shkencë e si udhëheqës institucionesh, tani me emrin e tij Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku ka qenë dy hovesh drejtor i këtij Instituti (1969-71 dhe 1982-85), me vendim të Këshillit Drejtues, ka themeluar Çmimin për studime shqiptare “Idriz Ajeti”. Ky Çmim do të ndahet çdo vit nga ky institucion për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare.  Urojmë që Çmimi “Idriz Ajeti” të shkojë vërtet në dorë të studiuesve më të merituar në fushë të albanologjisë dhe të përligjet emri që mban.

Për veprën e Profesor Ajetit pa dyshim do të flitet dhe do të shkruhet shumë në të ardhmen, sepse opusi i tij është referencë kryesore në albanologji.

Unë në këtë rast po e mbyll këtë paraqitje timen me tri fjalë: Respekt, mirënjohje dhe përulje para vep­rës dhe shëmbëlltyrës së tij njerëzore!

Share: