Fragment nga romani “Pjereta” i Balzakut

Kulturë Libri

Vdekja e gruas së re i prishi këto plane. Pjereta qëndroi në shtëpi të gjyshit e të gjyshes të cilët shpenzonin nga kamatat për nevojat e saj. Tregtia u shkonte pleqve keq e më keq; atyre u doli një konkurrent i zoti dhe i shkathët kundër të cilit villnin vrer por ama nuk mbroheshin dot prej tij.

Majori që ishte këshilltari dhe miku i tyre vdiq gjashtë muaj pas vdekjes së mikeshës së tij, ose nga dëshpërimi, ose nga plagët: ai kish marrë në luftë njëzeteshtatë plagë. Fqinji i keq që ishte tregtar i zoti, u mendua t’i shkatërronte Lorenët që ta zhdukte konkurrencën e tyre. Ai u dha para hua Lorenëve duke i nxitur të nënshkruanin kambiale se ai kishte parashikuar që ata nuk do ishin në gjendje të paguanin e t’i lanin borxhet në pleqëri. Hipoteka e Pjeretës i tejkalua nga hipoteka e gjyshes, e cila i ruajti të drejtat e saj ligjore për t’i siguruar një copë bukë në pleqëri bashkëshortit të saj. Shtëpia në Nantë u shit dhe nga të hollat që morën nëntëmijë e pesëqind franga u shpenzuan për shitjen. Tetëmijë e pesëqind frangat që mbetën i takonin zonjës Loren e cila i vuri hipotekë që të mund të siguronin një vend në Sen-Zhak, një lloj manastiri që ndodhej në Nantë e që nga organizimi i tij të sillte ndërmend azilin Sën-Perin në Paris. Kundrejt një pagese të vogël të dy pleqtë siguruan strehën dhe ushqimin. Me që nuk kishin mundësi ta mbanin me vete mbesën e tyre të varfëruar, pleqtë Loren kujtuan Rogronët – ungj e teto – të cilëve u dërguan letër. Rogronët e Provenit kishin vdekur. Ata pandehën që letra që u kishin dërguar Rogronëve kishte humbur. Po nëse ka në botë diçka që mund të zëvendësojë providencën është padyshim posta. Lidhja që kanë midis tyre zyrat e postës është me të vërtetë se lidhja shoqërore ua kalon në shpikje edhe romancierëve më të zotë. Kur posta zotëron një letër e cila për të vlen tre ose dhjetë su (e njëzeta pjesë e frangut), dhe nuk e gjen letërmarrësin atëherë vë tërë fuqitë që ta zbulojë dhe këmbënguljen e saj nuk e kanë as kreditorët më të bezdisshëm. Posta shkon, vjen, kërkon në të tetëdhjetë e gjashtë departamentet. Vështirësitë zgjojnë entuziazmin e nëpunësve, të cilët shpeshherë janë letrarë dhe fillojnë të kërkojnë të Panjohurën me zellin e matematikanëve të Zyrës së Gjatësive të Parisit; rrëmojnë në tërë skajet e vendit. Kur i ndrit një shkëndijë e vogël, zyrat e Parisit i përvishen punës me zell të madh. Nganjëherë ju mahniteni kur njihni shkrimin përpara ose prapa zarfit që dëshmon për durimin administrativ të postës. Nëse një njeri do merrte përsipër të bënte atë që bën posta, do humbiste 60mijë franga në udhëtime, në kohë e në të holla që të fitonte 12 su. Pa dyshim, nëpunësit e postës kanë mprehtësi të madhe. Letrën që Lorenët ia kishin dërguar në Provën Rogronit, i cili kish vdekur para një viti, posta ia dërgoi në Paris Rogronit – birit që kish një dyqan çikërrimash në rrugën Sën-Deni. Kjo është prova që vërteton mprehtësinë e nëpunësve të postës. Një trashëgimtar dëshiron të dijë a e ka marrë gjithë trashëgimin dhe a ka ndonjë kambial. Një letër që i kishte dërguar Rogronit plak që kish vdekur në Provën, duhet të zgjonte kureshtinë e trashëgimtarëve që banonin në Paris, të birit të Rogronit dhe motrës së tij zonjushës Rogron. Kështu që arka e shtetit mori të 60 qindarkat.

Pleqtë Loren, megjithëqë do të dëshpëroheshin po të ndaheshin nga mbesa e tyre, u zgjatnin duart e u luteshin Rogronëve, të cilët u bënë zotër të fatit të

Pjeretë Lorenit. Është e domosdoshme të përshkruajmë karakteret e tyre dhe të tregojmë jetën e kaluar të të dy beqarëve.

Zha Rogroni, mejhanexhiu i Provënit, të cilit plaku Ofre i kish dhënë për grua të bijën nga martesa e parë, fytyrën e kishte të kuqe, hundën plot vena dhe faqet të fryra, në të cilat Bakusi (perëndia e verës te romakët) pat ngjitur gjethet e skuqura të hardhisë. I shkurtër, shulak, barkmadh, me kofshë të majme e me duar topolake, ishte dinak si mejhanexhinjtë e Zvicrës, të cilëve u shëmbëllente nga pamja e jashtme. Fytyra e tij i përngjiste një vreshte të madhe të mbuluar me breshër. Ai nuk ishte i bukur por edhe gruaja e tij nuk qe më e lezetshme. Që të dy kishin gjetur tenxherja kapakun. Rogronit i pëlqente të hante mirë dhe t’i bënin shërbim vajza të bukura. Ai bënte pjesë në grupin e egoistëve që sillen vrazhdë dhe zhyten pa turp në veset e tyre. Kish qenë makut, interesaxhi, cipëplasur e me që pat dashur t’i plotësonte dëshirat e të kënaqte fantazitë e tij i kishte ngrënë gjithë paratë. Ai ruajti vetëm koprracinë. Kur u plak shiti pijetoren e pothuaj gjithë trashëgimin e të vjehrrit dhe u strehua në shtëpinë e vogël në sheshin që kishte blerë për një copë bukë vejushës Ofre, gjyshes së Pjeretës, Rogronit dhe gruas së tij u mbetën nga dymijë franga të ardhura nga qiraja që merrnin prej njëzeteshtatë pendësh tokë, që ndodheshin rreth e përqark Provënit dhe 20 mijë franga kamatë që i fitonin nga godita e tyre.

Shtëpia e plakut Ofre ishte në gjendje mjaft të keqe, por ish pronarët e pijetores i vendosën atje dhe nuk bënë asnjë meremetim se çdo ndryshim ata i trembte si murtaja. Minjve të mëdhenj u pëlqejnë hardhucat dhe gërmadhat. Ish-mejhanexhiut i kish hipur zelli që të merrej me hortikulturë dhe paratë që merrte nga të ardhurat  i prishi për të zmadhuar kopshtin, të cilin e zgjeroi gjer te bregu i lumit; lulishtja ruante trajtën e një katërkëndëshi të gjatë, të mbyllur midis dy mureve e të kufizuar me një shesh të shtruar me gurë; uji zhvillonte një florë të pasur lumore dhe natyra zbukurohej vetiu. Nja dy vjet pas martesës, Rogronëve u kish lindur një vajzë dhe pas dy vjet të tjera, u kishte lindur djalë. Kur prindërit janë të shëmtuar, pjella e tyre zvetënohet: të dy fëmijët e Rogronëve ishin aq të shëmtuar sa të përqethnin shtatin kur i shihje. Që të dy i dërguan në fshat te një mëndeshë dhe u kthyen në shtëpi me një edukatë fshatare të tmerrshme. Mëndesha, së cilës i paguanin pará, kur shkonte në fushë, i kyçte të dy fëmijët një copë herë të madhe në një dhomë të ulët, të lagët, siç janë zakonisht banesat e katundarëve francezë, dhe fëmijët qanin, bërtisnin, kërkonin gjirin e mëndeshës. Fytyrat e këtyre fëmijëve kishin marrë një pamje të egër, tiparet u qenë trashur dhe zëri u ishte ngjirur. Ata nuk e përkëdhelën sedrën e nënës së tyre, e cila u përpoq t’ua përmirësonte zakonet e këqija dhe sillej e rreptë kundrejt tyre ndërsa i ati u shfaqte pak dhembshuri. I linin të endeshin nëpër oborr e në stallë, ose të rendnin në rrugë; nganjëherë i shtronin në dry, nganjëherë i dërgonin si mysafirë te gjyshi Ofre, i cili nuk ndiente dhembshuri të madhe për ta. Mbase kjo ka qenë një nga arsyet që i nxitën Rogronët të merrnin pjesë luani nga trashëgimi i këtij «plaku maskara». Kur erdhi koha, xha Rogroni e dërgoi djalin në shkollë; më vonë, që ta shpëtonte nga shërbimi ushtarak bleu si rekrut njërin prej karrocierëve të tij. Kur bija e tij Silvi mbushi të trembëdhjetat, ai e dërgoi për në Paris që të stërvitej si shitëse dyqani. Pas dy vjetësh dërgoi në kryeqytet edhe të birin, Zherom Deninë. Kur miqtë e tij, fqinjët, klientët dhe karrocierët e pyesnin Rogronin se ç’kish ndërmend të bënte me fëmijët, mejhanexhiu ua shpjegonte qartë pikëpamjen e tij; ai ndryshonte nga prindërit e tjerë se ishte i çiltër dhe kjo qe merita e tij.

 

Share: