Gjallë je, ti moj nënoçka ime?
Gjallë jam edhe unë… të përshendes
Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde deri në mëngjes.
Mora vesh se ti je merakosur
Atje larg për mua përseri
Se ti shpesh del rrugës e brengosur
Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.
Kur e kalter mbrëmja bie pranë,
Të fanitet ty gjithmonë sikur
Diku mua larg në nje mejhane
Një i dehur thikën po ma ngul.
Kot ti nënë rri me gjak të ngrirë
Ky nuk është veç vegim i zi
S’jam aq vagabond i pamëshirë
Sa të vdes pa të shikuar ty.
Une i ëmbël jam prap si më parë
Endërroj kur fushat larg vërej
Që së shpejti nga këto mejhane
Në shtepinë e vogël prap të kthej.
Do të kthej atëhere kur të mbushet
Kopështi ynë i bardhë me blerim
Vetem ti si tetë vjet më parë
Mos më zgjo herët në agim.
Mos m’i zgjo ti endërrat që m’u zverdhën
Mos kujto atë që vate e shkoi…
Se në botë humbjet edhe lodhjet
Herët i provon nënë moj.
Mos mu lut t’i falem zotit prapë!
Tek e shkuara nuk ka më kthim
Vetëm ti je gazi im i vetëm
Ti e vetmja paqe e shpirtit tim.
Pra ti flaki brengat nëna ime
Mos u trishto për mua përsëri
Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe
Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.
– Përkthyer nga Ismail Kadare
NËNËS SIME
Kisha shumë gjëra për të të thënë,
Edhe pse larg në dhe të huaj,
E gjatë gjithë atyre ditëve nënë Ishe ti,
që s’më le të vuaj.
Tani, kur dhuratën e parë,
Të cilën më kohë ta kam caktuar,
Në duart e ndrojtura prej fëmije e mbaj,
Por nuk di a je gjallë apo tashmë je shuar!?
A mund të ndjehem si duke lexuar?
Kur dhimbja ime çuditërisht harrohet!
Nënë, mirësia jote e pambaruar
Në njëmijë mënyra brenda meje shpalohet.
(Kjo poezi është shkruar nga Hermann Hesse dhe është përthyer edhe nga Petraq Kolevica, Gazeta shqiptare nr. 2246, Tiranë, 2002)