Profil i nobelistit Hermann HESSE

Reportazh / Profil

Romancieri, poeti, eseisti, kritiku letrar dhe piktori Hesse, është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX. U lind më 1877 në qytezën Calw pranë Würtenburg-ut dhe vdiq në vitin 1962 në Lugano të Zvicrës. Ishte djalë i një pastori, dhe nipi i një misionari kalvinist, ambient i cili kishte lënë gjurmë në formimin e personalitetit të tij. Studimet e teologjisë i braktisi që herët, ndërsa më vonë punoi si mekanik dhe librar në Thüringen. Në botëkuptimin e tij moral dhe filozofik ishte natyralist, mistik, budist, humanist dhe fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit, të cilët ia ndaluan disa vepra dhe vizitat në Gjermani. Është i njohur dhe i përkthyer në më shumë se 60 gjuhë të botës. Përpos prozës, Hesse është edhe njëri nga poetët më të mirë të letërsisë gjermane. Veprat më të njohura të Hesses janë Siddhartha, Ujku i Stepës, Narcisi dhe Gojarti si dhe Loja e rruazave prej qelqi. Hesse mori çmimin Nobel për letërsi më 1946.

Share: