Kur Kosova nuk ishte provincë e humbur: «Rilindja» e vitit të ri 1984

Histori

Në ballinën e numrit festiv të gazetës «Rilindja» për ditët 31 dhjetor 1983, 1 dhe 2 janar 1984 bie në sy një shifër: redaksia njofton se tirazhi i gazetës është 235’500 ekzemplarë. «Dokument për histori» quhet ky numër. Në një editorial pothuaj poetik kryeredaktori Maksut Shehu shkruan për zemrën, dëshirat, këngën, dashurinë, kupat e mbushura.

Dhe diku mes rreshtave fjalia: «Dhe ky truall: është Yni». Tri vjet pas demonstratave të vitit 1981, tri vjet represion, dënime arbitrare, fushatë antishqiptare në mediat serbe – dhe tani, në numrin e vitit të ri, një fjali si kjo mund të lexohet edhe si një akt i vogël kryengritës. Për t’i ikur ndëshkimit eventual nga partia, në fund edhe një fjali për «shokun Tito». Në faqen e dytë botohet një karikaturë e Nexhat Krasniqit (Nekrës): një babadimër i lëshon të fluturojnë të lirë një tufë me zogj. Janë zogj që i ngjajnë logos së Twitterit, atëherë kur s’kishte Twitter, as Internet, por flitej shumë për botën kozmike. Rreth e rrotull mjaft lajme nga aparati propagandistik i partisë: gjendja stabile, unitarizmi dhe separatizmi – rrezik real, 110 banesa të reja për 110 punëtorë me familjet e tyre (90 në Kodrën e Diellit, 20 në Dardani).

Nëpër gazetë janë të shpërndara mjaft poezi nga Esad Mekuli, Ali Podrimja, Maksut Shehu, Abdullah Konushevci, Besim Bokshi, Musa Ramadani, Bedri Hysa, Enver Gjerqeku, Arif Bozaxhi etj. Ndërsa gazetari Xhemail Rexhepi shkruan: «Trepça ishte dhe mbeti eksportuesi më i madh kosovar, deri dje me lëndë të parë, kurse tash me prodhime finale. Për çdo dollar të importuar – 2,62 dollarë eksport. Me shtimin e vrullshëm të eksportit në tregun konvertibil për 250 për qind dhe në atë kliring për 75 për qind, Trepça për kah efektet pozitive arriti në vendin e tretë në vend». «Dritë edhe nga uji» titullohet një tekst i gazetarit Mehmet Gjata, në të cilin njoftohet se në planin e zhvillimit të elektroekonomisë së Kosovës parashihet që në Zhur deri në vitin 1990 të ndërtohet një hidrocentral me kapacitet 292 megavatë, i cili do të ketë për bazë ujërat e bjeshkëve të Dragashit. Gazetarja Lindita Aliu portreton Mandushe Berishën, e cila kishte doktoruar në kimi analitike, Stojanka Mihajloviqin, e cila në atë kohë ishte – me gjasë – e para grua në Prishtinë që punonte në një «pompë të benzinit» (pikë karburanti), dhe Binaze Musliun, inxhiniere e makinerisë dhe drejtoreshë e Fabrikës së Tullave në Ferizaj.

Në faqet 9 dhe 10 të «Rilindjes» së vitit të ri 1984 janë rezervuar për reportazhe nga bota. Atëherë s’kishte as Netflix, as Youtube, andaj atraksion ishin udhëpërshkrimet apo reportazhet e gazetarëve nga të gjitha anët e globit. Ali Aliu shkruan nga Melbourne për shqiptarët e Australisë, Ibrahim Kadriu përshkruan Berlinin e ndarë, Sali Kelmendi raporton nga Izraeli mbi konfliktin e përjetshëm mes izraelitëve dhe palestinezëve, Ramiz Kelmendi përshkruan Bratisllavën («më impresionoi me kësikohëshmërinë e saj») dhe interesohet për gjuhën sllovake, të cilën ia shpjegon botuesja Jarmila Samcova, Avni Spahiu njoftonte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se së shpejti kompjuterët do të bëhen të gjithëfuqishëm dhe studentët do të mund t’i ndjekin ligjëratat në ekran nga një largësi prej 2000 kilometra, Ymer Bajra, korrespondent në Bonn të Gjermanisë, tregon se si gjermanët planifikojnë çdo gjë me pedanteri, por një gjë kanë harruar ta planifikojnë: familjen, andaj nataliteti në Gjermani po bie mesatarisht 02, promilë në vit. Gazetari alarmon se një ditë gjermanët do të jenë komb pa trashëgimtarë, sepse janë shumë të dhënë pas konsumit dhe nënat nuk gëzojnë benificione si në vendet e zhvilluara perëndimore. «Nergut për Rilindjen» nga India shkruan Predrag Stamenkoviqi për punën humanitare të Nënë Terezës.

Ka edhe propagandë të qullët në këtë numër të «Rilindjes». Në pak rreshta citohet Isak Sheqeri nga Nishevci i Prishtinës, punëtor në Gjermani, i cili ankohet se atje, në Gjermani, ka gjithnjë e më pak punë dhe se muajt e fundit i ka kaluar si i papunë dhe i lajmëruar në Entin e Inkuadrimit, në Arbeitsamtin e famshëm. Isak Sheqeri flet për të gjithë punëtorët nga Kosova që janë në Gjermani dhe thotë se do të dëshironin të ktheheshin e të punonin në «fabrikat tona». Ai vërtet mund të ketë mbetur përkohësisht pa punë në Gjermani, por që në Gjermani po mbaronte puna – ky ishte vetëm një alarm për numrin e vitit të ri të gazetës «Rilindja». Kelmend Hapçiu shkruan për vëllezërit Rizvanolli nga Gjakova, të cilët kishin autobusin e parë, të vetmin «në viset tona», dhe njofton mbi zhvillimin e sistemit të transportit në Kosovë – nga ndërmarrjet komunale që quheshin «Kosmeti», «Slloga», «Prevozi», «Poleti». Nga të gjitha këto ndërmarrje u themelua «Kosmet-Prevoz», më vonë ndërmarrja mori emrin «Kosovatrans». Në bazë të emrave shihet edhe progresi i Kosovës: nga një shoqëri ku në jetën publike dominonin emrat serbë të ndërmarrjeve drejt një shoqërie me emra shqiptarë ose më të internacionalizuar, si «Kosovatrans», për shembull. Jusuf Meça shkruan për Pashk e Alfred Markajn, të cilët më 2 nëntor 1983 u sulmuan nga një ari i egërsuar.(Zeri.info)

Share: