Zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe personat me aftesi të kufizuar

Sociale

Sa të përfshirë dhe të përfaqësuar u gjendën personat me aftësi të kufizuar në zgjedhjet më të fundit parlamentare?

Ditën e dielë, më 25 prill 2021 u mbajtën zgjedhjet për Kuvend në vendin tonë. Personat me aftësi të kufizuar, si të gjithë zgjedhësit e tjerë në vend gëzonin të drejtën të zgjidheshin dhe zgjidhnin në këto zgjedhje.

Personat me aftësi të kufizuar përbëjnë të paktën 6,2% të popullësisë ose rreth 170.000 persona referuar Censusit të vitit 2011.

Në lidhje me përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar si kandidatë në zgjedhje apo përfaqësimin e cështjeve të tyre në programet e partive politike dhe diskurset publike pati problematika të shumëta.

  1. A pati kandidatë me aftësi të kufizuar në këto zgjedhje?

Megjithëse, personat me aftësi të kufizuar janë minoritet më i madh në vend, ata janë të përjashtuar nga jeta publike dhe politike.  Partitë politike nuk kanë politika që të përfshijnë grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të demokracisë përfaqësuese në gjirin e tyre. Në fakt, nga monitorimi i kryer nga Fondacioni “Së Bashku” pati vetëm një kandidat për deputet me aftësi të kufizuar në qarkun e Lezhës, Z. Danjel Coku kandiduar nga Nisma Thurje. Ndërsa partitë e tjera e sidomos ato kryesore nuk kanë përfshirë në listat e tyre persona me aftësi të kufizuar, duke mos përfaqësuar kështu zërin e një pjese të konsiderueshme të shoqëris tonë.

  1. A përfshine programet politike të partive cështje që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar?

Nga monitorimi online i faqeve zyrtare të partive politike, partitë politike të mëdha si Partia Socialiste (PS), Partia Demokratike (PD), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) nuk kanë pasqyruar programet zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend të 25 Prillit 2021. Nisma Thurje e zgjedhur si parti e vogël dhe e re në këto zgjedhje ka të pasqyruar në faqen e saj zyrtare disa qëndrime/pikëpamje për çështje të rëndësishme. Ajo që u  vu re ishte se në muajt Janar – Shkurt partitë politike të mëdha kanë shpërndarë në media dokumente, në të cilat shkurtimisht parashtroheshin përcaktime për çështje të rëndësishme të organizimit dhe funksionimit të shtetit.

Nga korrespondenca zyrtare me partitë politike PS, PD, LSI dhe Nisma Thurje në lidhje me programet zgjedhore vetëm Nisma Thurje iu përgjigj kërkesës tonë duke vendosur në dispozicion qëndrimet e saj në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

 

Partia Demokratike me nismën e saj realizoi takime gjatë fushatës me përfaqësues të organizatave të aftësisë së kufizuar dhe nënshkroi një marreveshje bashkëpunimi nëse do të vinte në pushtet si rezultat i këtyre zgjedhjeve.

Pra mbulimi në programe dhe dokumenta të rëndësishëm i cështjeve të personave me aftësi të kufizuar ishte i pjesshëm ose i munguar tërësisht.

  1. A u përmendën personat me aftësi të kufizuar gjatë daljeve mediatike dhe komunikimeve publike të kandidatëve?

Shpesh kandidatët kanë takuar persona me aftësi të kufizuar ose vizituar qendra të ndryshme shërbimi për personat me aftësi të kufizuar, por u vu re që qasja e përdorur nuk ishte fuqizuese, duke mos iu referuar modelit social të aftësisë së kufizuar dhe realizimit të të drejtave të tyre përfshirë aksesueshmërinë dhe jetesën e pavarur.

Nga takimet me kandidatë dhe komunikimet me partitë e ndryshme politike nga Fondacioni “Së Bashku” u vu re që ata jo vetëm nuk njohin mirë problematikat e personave me aftësi të kufizuar, kanë mungesë të qasjes së të drejtave të njeriut dhe shpesh përdorin qasjen e mëshirës ndaj tyre, cka bie ndesh me përpjekjen e bërë në dekada nga Lëvizja për të Drejtat e personave me aftesi të kufizuar, e cila pret nga politikbërësit gjithëpërfshirje dhe mundësi të barabarta.

Gjuha e përdorur gjatë fushatës zgjedhore

Gjuha e përdorur në fushatë zgjedhore ka qenë një gjuhë fyese/diskriminuese kundrejt personave me aftësi të kufizuar duke sjellë reagimin zyrtar të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri, Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjuha e përdorur ka qenë në postime online në rrjetet sociale, në daljet publike në media dhe është përdorur për të sulmuar kandidatët/partitë politike kundërshtare nëpërmjet përdorimit të etiketimeve fyese/diskriminuese.

 

Mund të themi që personat me aftësi të kufizuar jo vetëm nuk u gjendën të përfaqësuar në listat për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, por ndaj tyre u përdor gjuhë fyese dhe stigmatizuese.

 

Share: