Simbolika dhe dinamika e imazhit

Analizë Opinion

Nga Dr. Jorigji Kote

Maratona 42,195 km është ndër disiplinat më të hershme sportive në kampionatet Europiane, Botërore dhe Olimpike. Ajo e ka zanafillën në Greqinë e lashtë, në qytezën e vogël Maratonë me rreth 4000 banorë; falë emrit, njihej si «  vendi i koprës » Por, kjo ndryshoi në vitin 490 para erës së re kur në plazhin e saj u zhvillua  një nga betejat më të ashpra të antikitetit  kundër ushtrisë persiane të Dariusit të tmerrshëm. Pas fitores helene, korrieri i  saj i famshëm përshkoi 42 km  deri në Athinë për të dhënë sihariqin e madh të fitores së demokracisë helene kundër totalitarizmit pers. Në Lojrat Olimpike 2004 të zhvilluara në Greqi, gara e maratonës filloi pikërisht nga vendi simbol, ku ndodhet dhe memoriali kushtuar 192 të rënëve helenë.

 


 

Maratona përbën ndër rastet më pikante që tregon se si historia me simbolikën e vet ndryshon tërësisht imazhin publik të një vendi.

Sidomos në ditët tona perceptimi dhe imazhi publik janë me rëndësi vendimtare për suksesin e « fuqisë së mençur ( smart power). Por, më mirë, le të ndalemi në disa shembuj të spikatur nga Europa dhe vendi ynë.

Nëse Maratona ka 5000, një fshat tjetër në Luksemburg numëron vetëm 450 banorë. Fjala është për Schengen që ndodhet në skajin fundor të trekëndëshit kufitar me Francën dhe Gjermaninë. Deri tre dekadat e fundit,  vështirë të kishte dëgjuar njeri për të veç vendasve kryesisht për vreshtarinë e tij.  Gjithçka ndryshoi më 14 Qershor 1985 kur Gjermania, Franca dhe  tre vendet e Benelux – Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg nënshkruan Marrëveshjen e famshme që mori emrin e atij fshati. Pas nënshkrimit dhe të Konventës për zbatimin e saj më 19 Qershor 1990, ajo hyri në veprim më 26 Mars 1995. Kësisoj, këto 35 vitet e fundit, Schengen, nga një mini-fshat është bërë imazhi dhe mishërimi i hapësirës më të madhe të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë me sipërfaqe prej 4,3 milion km katrore dhe 422 milion banorë e shtrirë në 22 vende antare të BE-së dhe në 4 shtete të tjera europiane

Davosi në Zvicër ka qenë vazhdimisht pikë e preferuar alpinistike, për vetë pozicionin dhe lartësitë e saj. Gjithsesi, nuk është kjo arsyeja kryesore e popullaritetit të tij të jashtëzakonshëm në katër dekadat e fundit. Në fakt, fama e tij filloi të merrte përmasa planetare pas vitit 1971, kur profesori i atëhershëm gjerman i  ekonomisë Claus Schwab organizoi të parin forum mbi menazhimin. Ai erdhi duke u zgjeruar dhe në vitin 1987 u quajt Forumi Ekonomik Botëror i Davos.  Qysh atëhere, prania në seancat vjetore në Davos në muajin shkurt u bë  një  detyrim për « ajkën » e politikës, ekonomisë dhe financave botërore ; aty diskutohet lirshëm dhe pa protokoll mbi dosjet  madhore të politikës botërore. Në « Davos 2020 » ishin 3000 pjesëmarrës nga 117 vende, ndërmjet tyre 53 presidentë, kryeministra, qindra presidentë kompanish gjigande, personalitete etj. Ndonëse nuk merr vendime, ca më pak të detyrueshme, Davos përfaqëson forumin më të madh e të rëndësishëm joformal global;  aty matet pulsi,  konturohen dhe kolaudohen vendimet e ardhëshme zyrtare për temat që diskutohen. Ndaj sot, sa herë që përmendet Davosi, nuk të vijnë ndërmend skitë dhe alpînizmi, por majat e politikës dhe ekonomisë botërore.

Interesant është dhe imazhi i Hagës, kryqyteti holandez. Gjatë 70 viteve të fundit aty janë vendosur 150 gjykata nga më të ndryshmet me karakter ndërkombëtar. E para ishte Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1946. Disa vite më parë gjatë vizitës në mjediset e saj, ciceroni pyeti nëse kiishte  ndonjë nga Shqipëria dhe kur i tregova për praninë time, me  mirësjellje u tregoi vizitorëve se  dosja e parë që ajo gjykatë kishte trajtuar ishte incidenti i Korfuzit po atë vit! Gjatë 30 viteve të fundit në Hagë janë ngritur disa gjykata të posaçme të krimeve të luftës, të genocidit, etj. Ndaj sot dëgjohet shpesh të thuhet se  « x » kriminel e ka vendin në Hagë » se do t’i drejtohemi Hagës, «  X kriminel vdiq në Hagë » etj si këto. Rrjedhimisht, ndonëse Haga ka shumë histori dhe atraksione të bukura turistike,  ajo ka imazhin e një kryeqyteti të drejtësisë ndërkombëtare.

Deri në vitet 60, Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, shtet relativisht i  vogël i krijuar gati 190 vite më parë nuk  njihej shumë në Evropë, e ca më pak në botë. Mirëpo, pas asaj periudhe e në vazhdim, kur aty u vendosën selitë qëndrore të BE-së,  NATO-s dhe mbi 300 përfaqësive diplomatike, medias, qendrave të  biznesit, etj, Brukseli ka qenë në faqet e para të gazetave,  lajmeve, kronikave televizive,  etj. Por tanimë shumë, shumë më tepër si kryeqyteti i Europës së Bashkuar; ndonëse BE përfshin dhe Parisin, Berlinin, Romën, Madridin, shkurt kryeqytetet e të  27 vendeve antare,  zemra dhe « zemreku » i BE-së është Brukseli. Ja pse thuhet rëndom se « të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel » « Brukseli është vendi ku duhet të jesh » apo «  nëse do të dëgjohesh, flit në Bruksel » Aq shumë është bërë i njohur Brukseli, sa Didier Reynders, ish -ministri i jashtëm belg, tani Komisioner i BE-së për drejtësinë, ka pohuar gjatë një takimi se  ka jo pak njerëz të cilët kujtojnë se « nuk është Brukseli kryeqytet i Belgjikës, por kjo e fundit është kryeqytet i Brukselit !!! »

Megjithatë, këto vitet e fundit, ndërsa shumica i drejtohen me përkëdheli  « bukuroshja ime » ( Bruxelles ma belle) në rrethet populiste dhe euroskeptike ai po paraqitet si mishërimi i gjithë të këqiave që kanë kapluar njerëzimin ! Aq sa flitet deri te «  çlirimi nga burokracia, tirania dhe çakejtë  e Brukselit ! » Rastet e mësipërme i referohen një imazhi të qëndrueshëm, që për shkak të specifikave historike të lartpërmendura «  ka ngjitur e ka zenë vend » ndaj dhe vështirë të ndryshojë ose të cënohet, pavarësisht nga ngjarjet qoftë dhe negative. Këto të fundit, fatkeqësisht po luajnë një rol parësor në imazhin publik. Kjo më sjell ndërmend një takim festiv të organizuar kohë më parë në Bruksel nga BEI ose Banka Europiane e Investimeve  me rastin e jubileut të krijimit. Komentit të një të pranishmi se BEI njihet shumë pak në publik, për të mos thënë fare, folësi kryesor iu përgjigj troç dhe me doza ironie : « Doemos, BEI nuk ka si të njihet përderisa në 60 vite nuk ka patur qoftë dhe një aferë, le më pastaj skandal, si FMN-ja apo Banka Botërore! Mirë t’i bëhet, se vetë e ka fajin! »

Gjithsesi, sot, tipari kryesor i imazhit publik është dinamika e tij, e cila nuk ka të bëjë, siç mendohet hera herës gabimisht thjesht me makiazhin ose lobimin, por me përmbajtje dhe rezultate të prekshme kudo. Gjermania Perendimore ndryshoi perceptimin tejet negativ si shkaktare e dy luftrave botërore dhe e Holokaustit, duke krijuar një profil dhe imazh krejtësisht të ri dhe pozitiv brenda 10 viteve të pas Luftës së II Botërore. Po si?  Me vizione dhe aksione konkrete kudo, me ndjesën  për hebrejtë për krimet nazizmit, me pajtimin historik me Francën, me realizimin e « mrekullisë social-ekonomike » dhe bashkëthemelimin e BE-së;  ajo u kthye në « kampione të demokracisë dhe lokomotivë ekonomike e botës ! 7 dekada më vonë, gjatë  muajve të pandemisë COVID – 19, sërish imazhi gjerman dhe i BE-së, sidomos në publikun dhe politikën italiane  pësoi një krisje jo të vogël; madje u vu në pikpyetje solidariteti,  « ADN »-ja e tyre ! Por shumë shpejt gjithçka ndryshoi për mirë falë programeve dhe projekteve të prekshmë për gjithsecilin. Kthesa e madhe filloi më 18 Maj, kur Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron befasuan opinionin publik ndërkombëtar me propozimin për krijimin për herë të parë në historinë e BE-së të një fondi kolosal prej 500 Miliard Euro, si ndihma pa kthim për vendet më të prekura; ku Gjermania do të japë 130 Miliard Euro, baraz me 4 për qind të GDP-së së saj! Ndaj, tani, sidomos në Itali por dhe gjetkë, në vend të qortimeve ndaj Gjermanisë ka lavdërime dhe mirëseardhje bujare për vakanca !!

Duke ardhur te vendi ynë, megjithë rolin dhe ndihmesën e konsiderueshme të personaliteteve tona të njohur në botë, përvoja dhe tradita mungon në një masë të madhe. Kjo kryesisht për faj të politikës,  e cila  30 vitet e fundit jo vetëm ka bërë pak, por në disa raste, atë që bëhet sot e prish të nesërmen»; ndërsa dështimet e saj kanë njollosur dhe perceptimet e mëparshme pozitive, qoftë dhe si « vendi i shqiponjave ». Kështu, disa qytete me vlera dhe tradita të shquara tanimë po identifikohen më tepër si pika apo vatra të kultivimit dhe trafikimit të drogës, bandave dhe krimit të organizuar, etj. Po ashtu, vlera të tilla të hershme si bujaria, mikpritja, fisnikëria, traditat familjare, etj po lihen në hije nga dukuri negative me emra të frikshëm dhe jashtë vendit. Sadoqë janë zhvilluar jo pak veprimtari, projekte dhe programe për kurimin e imazhit tonë,  duke qenë se negativizmi, sidomos në media ka ndikim përcaktues kanë  mjaftuar disa raste të bujshme për ta shkatërruar gjithë punën e bërë.

Ja psh, gjatë muajve të fundit, solidariteti i treguar me dërgimin e 90 mjekëve dhe infermierëve në ndihmë të kolegëve të tyre italianë në betejen ndaj  COVID – 19 ishte akt domethënës humanitar dhe simbolik që tashmë ka hyrë në fondin e artë e të pasur të  miqësisë midis dy popujve dhe vendeve tona. Brenda natës ai akt ndikoi në krijimin e  një imazhi dhe perceptimi të ri tejet pozitiv për shqiptarët, kudo në Itali dhe jashtë saj. Mirëpo, për fat të keq, ky imazh shumë shpejt pësoi krisje të fortë duke e gdhirë 17 Maji kur fadromat dhe qindra policë të armatosur u vërsulën kundër Aleancës paqësore të Teatrit. Ngjarje që  bëri xhiron e botës dhe vazhdon të « pushtojë » faqet dhe kronikat e medias ndërkombëtare. Justifikimet « nuk pijnë ujë » në një Europë që thesare të tilla, pavarësisht nga madhësia dhe përbërja  fizike  i mbron si tempuj të shenjtë.

Madje, politika jonë po ndryshon dhe vetë destinacionin dhe imazhin e disa qyteteve me emër si Venecias së bukur. Nga metropoli i romancës, artit, kinemasë dhe gondolave këto dy vitet e fundit për ne shqiptarët ajo po perceptohet si depozitues i shumë dosjeve të nxehta  dhe  « varkë shpëtimi » për krizat tona të brendshme me emra lemeritës.

Të shikojmë se çfarë gjetje të reja do të kemi që të krijojmë një imazh të vërtetë, që «  të zerë vend e të mos e marrë era». Ndoshta me çeljen e shumëpritur të negociatave këtë vit, kur « ustallarët » tanë e të BE-së mezi po presin të fillojnë nga puna; por sërish, nga mënyra si po vepron dhe tani politika, nuk ka shumë siguri dhe për çeljen e tyre; shpresojmë të mos vërtetohet thënia e urtë  «  peshku në det tigani në zjarr! »/GSH

 

 

Share: