Për idiotët e dobishëm të Rusisë në Tiranë

Opinion

Nga Shaban Murati*

Dikujt mund t’i duket rastësi që në prag të 24 marsit, 20 vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Serbi për të ndalur gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri disa politikanë të majtë dhe të djathtë, disa media dhe portale dhe disa ojq-ista të sponsorizuar, filorusë të vjetër dhe të rij, nxituan të krijojnë tabllon e rreme idilike, që nuk ekziston ndonjë rrezik rus.

Djallëzia e kësaj fushate të orkestruar qëndron në atë që kërkon të ndajë Shqipërinë me Kosovën dhe të legalizojë konceptin diabolik, që ka dominuar shpesh herë edhe diplomacinë shqiptare, se çfarëdo që të bëjë Serbia apo Rusia me Kosovën, Shqipëria të vazhdojë thellimin e miqësisë me to.

Idiotët e dobishëm të Rusisë në Tranë nuk e shohin as ndërhyrjen ruse në Shqipëri e as rrezikun, që përbën Rusia për pavarësinë e Kosovës, siç nuk kanë parë as ndërhyrjen ruse në protestat e organizuara në Greqi vitin e kaluar kundër marrëveshjes së Prespës, as ndërhyrjen ruse në grushtin e shtetit në Podgoricë në tetor 2016 dhe as nxitjen ruse të protestave aktuale të forcave politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi, as ndërhyrjen ruse në krizën politike në Maqedoni me nxitjen e bandave të Gruevskit, as ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në Bullgari dhe në Moldavi, etj.

Fushata e orkestruar shqiptare për pafajshmërinë e politikës ruse në Shqipëri u bë një dekor i përshtatshëm për diplomacinë dhe shtetin rus, që të shpërthenin në një histeri masive të paparë kundër Kosovës dhe popullit shqiptar të Kosovës me rastin e 24 marsit. Kjo fushatë zyrtare antishqiptare e Moskës duket kompleksoi edhe zyrat dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë, të cilat nuk i dhanë një profil të lartë një ngjarje kaq madhore në historinë e kombit shqiptar si 24 marsi 1999 i çlirimit të Kosovës nga NATO dhe SHBA.

Mjerimi i pafund shqiptar në këtë rast qendron në faktin që harrohet se çdo rrezik ekzistencial apo jetik matet me dimensionet e kombit, ku tashmë përfshihen të dy shtetet shqiptare, edhe Shqipëria edhe Kosova.

Dhe për të konfirmuar qëndrimin konstant të Rusisë si rrezik për kombin shqiptar, mjafton të kalosh në skaner fushatën e jashtëzakoshme antishqiptare, qendrimet dhe pikëpamjet që shpalosi Moska me rastin e 20vjetorit të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s kundër Serbisë.

Në datën 23 mars Ministria e Jashtme e Rusisë publikoi nje deklaratë zyrtare me titullin: “Deklaratë e MPJ të Rusisë për 20 vjetorin e agresionit të NATO-skundër Jugosllavisë”. Në këtë deklaratë zyrtare gjen të nakatosur tërë mllefin dhe urrejtjen racore serbo-ruse kundër popullit shqiptar, kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Ajo deklaratë cinike, jo vetëm që nuk flet për spastrimin etnik dhe gjenocidin, që ndërmori Serbia e Millosheviçit në 1998-1999 në Kosovë, por ka edhe paturpësinë të fantazojë se “NATO u bë mburojë pas së cilës u krye spastrimi etnik serb”.

Nuk sheh në qëndrimet zyrtare të MPJ dhe të shtetit rus as shenjën më të vogël të reflektimit për atë tragjedi, që shkaktoi Serbia në Kosovë, duke vrarë e masakruar 20 mijë shqiptarë, duke përdhunuar 20 mijë vajza e gra, duke dëbuar me dhunë nga trojet e tyre mbi një milion shqiptarë dhe duke zhdukur pa gjurmë mijra shqiptarë, të cilëve edhe sot nuk u dihet varri, sepse janë groposur në varret masive në territorin e Serbisë.

MPJ ruse kërkon të zerojë kontributin historik të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe krijimin e shtetit të pavarur, dhe del me konkluzionin e habitshëm rus se problemi i Kosovës nuk u zgjidh, përkundrazi “krahina mbetet burimi kryesor i pastabilitetit dhe i shfaqjeve të krizës në Ballkan”. Në datën 13 mars Këshilli i Federatës, (dhoma e lartë e parlamentit rus) kishte miratuar një dokument të posaçëm për 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Serbi, ku i bënte thirrje parlamenteve të botës që të vihen para përgjegjësisë “autorët e atij krimi”.

Ndërkaq e gjithë propaganda zyrtare e fuqishme ndërkombëtare e Rusisë u lëshua me një histerizëm disproporcional, jo vetëm duke shtrembëruar historinë dhe të vërtetat, por duke kërkuar revansh për zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi në 22 mars se shtetet perëndimore, duke njohur Kosovën si shtet të pavarur, pezulluan bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të OKB.

Shefi i diplomacisë ruse ka padurimin që ta kthejë Kosovën në OKB, në rrugën e zhbërjes. Misioni i Rusisë në NATO doli me deklaratë në 24 mars se sot potenciali i konfliktit në rajon mbetet me problemin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Kurse organi shtetëror “Russia Today” doli në 24 mars edhe me kërkesën ultimative, se “nëse Trump do të çarmatosëRusinë, duhet të ç’njohë Kosovën”.

Fanatizmi ideologjik dhe arroganca imperiale nuk e lejojnë diplomacinë ruse të shohë dhe të pranojë dokumentat themelore juridike ndërkombëtare, që kofirmojnë drejtësinë e ndërhyrjes së NATO-s dhe të pavarësisë së Kosovës.

Në 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha verdiktin që pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Në 15 dhjetor 2004 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rrëzoi si të paligjshme padinë e qeverisë së Serbisë kundër vendeve të NATO-s, që morën pjesë në ndërhyrjen humanitare në Serbi. Në datën 26 shkurt 2009 në Hagë Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në Jugosllavi dënoi me burgime afatgjata një grup udhëheqësish të lartë politikë dhe ushtarakë të Serbisë me akuzën “si pjesëtarë kyç të një sipërmarrje kriminale, që kishte qëllim të modifikonte balancën etnike në Kosovë dhe të siguronte kontrollin nga autoritetet e Serbisë”.

Ka rëndësi të veçantë për të reflektuar përballë kësaj histerie antishqiptare, që ngriti diplomacia, shteti dhe propaganda ndërkombëtare ruse me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Serbi, datë që solli kthesën historike dhe gjeopolitike pozitive të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës.

Ka rëndësi, së pari për të kuptuar se qendrimi i një shteti si Rusia ndaj çeshtjes tonë jetike kombëtare, që quhet Kosovë, është matës themelor për përcaktimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë. Sepse është naive, për të mos thënë idiotizëm, të besohet që Rusia e dashuron Shqipërinë, ndërsa urren Kosovën.

Së dyti, rëndësi të veçantë ka mësimi, që del nga kjo histeri antishqiptare e diplomacisë, e shtetit dhe e propagandës ruse lidhur me lëvizjet mashtruese dhe bllofet aktuale të Moskës për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Rusia ka disa qendrime të ngurosura:

-që Kosova është pjesë e Serbisë, është shkëputur me forcë nga NATO e duhet t’i kthehet Serbisë.

-që në Kosovë nuk ka pasur gjenocid serb kundër shqiptarëve, por gjenocid kundër serbëve.

-që Kosova duhet të heqë dorë nga pavarësia e saj

-që Kosova duhet të kthehet si çeshtje e statusit në OKB.

Në një situatë të tillë është moment i rëndësishëm diplomatik dhe publik për Shqipërinë edhe për Kosovën që të mos ushqejnë iluzione për ndryshime në interesin jetik antishqiptar të Rusisë, siç ka qenë historikisht në të gjitha kohrat, cariste, komuniste, sovjetike dhe postsovjetike.

Diplomacia ruse dhe politika ruse përbëjnë një rrezik dhe kërcënim për krejt rajonine Ballkanit. Përderisa përbëjnë për Kosovën, don të thotë se përbëjnë edhe për Shqipërinë. Kombi nuk ndahet.

Idiotët e dobishëm të Rusisë në Tiranë, që injektohen financiarisht nga institucionet e specializuara ruse, mund të ngrejnë sa të duan tymnaja, por të vërtetat e historisë janë thelbësore për të mësuar dhe për t’u ndjekur. Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar e kanë të ardhmen me Perëndimin dhe jo me Rusinë.

20 vjetori i ndërhyrjes historike shpëtimtare të NATO-s e konfirmoi edhe njëherë këtë perspektivë gjeopolitike.

*Ish-ambasador-Botuar sot në Dita

Share: