Pensionet rriten me 2.8 për qind, ja sa përfiton secila kategori

Sociale

Duke nisur nga data 1 prill, të gjitha llojet e pensioneve në fshat dhe qytet rriten me 2.8 për qind. Sikundër kishte deklaruar edhe më herët, në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka zyrtarizuar vendimin e rritjes së pensioneve për të gjitha kategoritë përfituese, duke përfshirë pensionet e plota të pleqërisë, të invaliditetit, ato familjare, ushtarakëve, pensionet e parakohshme, ato suplementare, pagesat e posaçme shtetërore.

Rritja do reflektohet edhe në pagesat e trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension, trajtimeve të veçanta të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, etj.

Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të gjitha kategoritë që përfitojnë nga indeksimi i masës së pensionit në masën 2.8 për qind, rritje e cila do të reflektohet që në pagesat e muajit prill.

Sipas vendimit të miratuar dje,  këtë rritje do ta përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1 prill e këtij viti e në vazhdim, por me kushtin që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31 mars të po këtij viti, duke e përfshirë edhe këtë datë.

Qeveria ka vendosur që të mos preket skema e kompensimeve. Kështu të gjithë pensionistët do vijojnë të marrin kompensimet  për të ardhurat mujore minimale përkatëse sipas kategoritë në të cilën bëjë pjesë.

Rritja e detajuar e pensionit

Po sipas vendimit, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë që kanë datë fillimi të të drejtës deri më 31 dhjetor të 2014-s, pas datës 1 prill nuk do të jenë më pak se 13 753 lekë në muaj dhe më shumë se 27 506 lekë në muaj.

Më tej vendimi përcakton se të gjitha pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1 prill nuk do të jenë më pak se 9 418  lekë në muaj, por jo më shumë se 13 753  lekë në muaj.

Ndërkohë që pensionet e parakohshme,  me datë fillimi nga 1 prilli i këtij viti e në vijim  nuk do të jenë më pak se 13 753 lekë në muaj. Lidhur me faturën financiare që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, saktësohet se efektet financiare përllogariten në shumën dy miliard e treqind e nëntëdhjetë milionë lekë, dhe do të përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2019.

Shuma e plotë e pensionit duke përfshirë edhe kompensimet

Përfituesit e pensioneve, të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e posaçme të Këshillit të Ministrave, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve të jetë deri në 15 403 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014, deri në  14 903 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare, si dhe deri në 10 108 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.4.2019 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 403  lekë në muaj.

Po sipas vendimit, edhe ërfituesit e pensioneve, me datë fillimi të pensionit deri në 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.138, datë 31.3.1994,

“Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, dhe nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

Ndërsa shuma bazë e pensionit e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit nr 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.4.2019 e në vazhdim të jetë 7 465 lekë në muaj.

 

Indeksimin në masën 2.8 për qind do ta përfitojnë të gjitha llojet e :

  • Pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
  • Pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
  • Shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”.
  • Pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.
  • Shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
  • Shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
  • Pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji.
  • Trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar.
  • Trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”.
  • Trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar.
  • Pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.
  • Trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.
  • Pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”.
  • Pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar.
  • Shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, të ndryshuar.
  • Pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
  • Indeksimin në masën 2.8 për qind e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.4.2019 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2019, përfshirë edhe këtë datë.
Share: