Nga Agustin Palokaj
Kosova po përjeton ndasitë më të mëdha politike në historinë e saj. Fjalori që përdorin udhëheqësit politikë ka devijuar nga sjellja e njerëzve të rritur dhe ata i ngjasojnë Shqipërisë. Kur presidenti i quan kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij “grup kriminal”, kur ish-ministri i Jashtëm flet për frikë nga “terrorizmi shtetëror”, kur nuk shihet mundësia e kthimit të arsyes, nuk ka rrugëdalje tjetër pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të jepnin së paku përgjigje në dilemat që janë krijuar nga vetë politikanët. Kush do të mund të flasë në emër të qytetarëve? Edhe pse asnjërës parti nuk do t’i shkonin në favor, ato janë të domosdoshme
Kroacia më datën 5 korrik do t’i zhvillojë zgjedhjet. Nuk mund të quhen të jashtëzakonshme, sepse edhe ashtu ato është dashur të zhvilloheshin këtë vit. Pra, viti 2020 është vit zgjedhor dhe kurdo që të zhvillohen janë në orarin e duhur. Por zakonisht në Kroaci zgjedhjet zhvillohen në vjeshtën e vonë. Kësaj radhe partia në pushtet HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat) ka vlerësuar se mund të përfitojë nga përballja e suksesshme me krizën e shkaktuar nga koronavirusi, që i ka rritur popullaritetin, dhe të zhvillojë zgjedhjet në verë. Analistët thonë se një arsye tjetër është se në vjeshtë Kroacia do t’i ndiejë pasojat ekonomike të krizës më shumë sesa tani. Do të jetë ndër vendet e BE-së që më së shumti do të goditet nga kriza, pasi më shumë se asnjë shtet tjetër varet nga turizmi. Pra, koronavirusi nuk është pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve, por ka ndikuar që ato të zhvillohen më herët.
Edhe në Kosovë koronavirusi ka pasur ndikim në zhvillimet politike. Udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shfrytëzuar rastin që gjatë pandemisë ta rrëzojë Qeverinë, në të cilën, pa dëshirën e saj, ishte edhe vetë. Injoroi porositë, e madje edhe lutjet e atyre që deri vonë janë quajtur “miq ndërkombëtarë”, që të mos e bëjë këtë veprim në kohë pandemie. Dhe tash llogarit se pandemia do të përdoret si arsyetim që të mos ketë zgjedhje të jashtëzakonshme që kërkon Lëvizja Vetëvendosje, partnere e padëshiruar, por e zorit, për një kohë të shkurtër. Madje llogarit që pandemia do të ndihmojë që të mos ketë protesta kur Gjykata Kushtetuese do të japë mendimin për dekretin e Thaçit të përgatitur me një skenar të përbashkët me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, për krijimin e një qeverie të re.
Sikur edhe në pjesë të tjera të Evropës, edhe në Kosovë trendi i zbutjes së virusit është pozitiv, dhe me këtë edhe zbutja e masave për ta luftuar këtë mortajë. Pandemia nuk u pranua si arsye për të pushuar grindjet politike, në interes të qytetarëve, prandaj nuk mund të merren si arsye edhe për të mos i zhvilluar zgjedhjet, nëse ato do të jenë dalja më e duhur nga kjo krizë që është krijuar në Kosovë.
Kosova po përjeton ndasitë më të mëdha politike në historinë e saj. Fjalori që përdorin udhëheqësit politikë ka devijuar nga sjellja e njerëzve të rritur dhe ata i ngjasojnë Shqipërisë. Kur presidenti i quan kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij “grup kriminal”, kur ish-ministri i Jashtëm flet për frikë nga “terrorizmi shtetëror”, kur nuk shihet mundësia e kthimit të arsyes, nuk ka rrugëdalje tjetër pos zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të jepnin së paku përgjigje në dilemat që janë krijuar nga vetë politikanët. Kush do të mund të flasë në emër të qytetarëve? Edhe pse asnjërës parti nuk do t’i shkonin në favor, ato janë të domosdoshme.
Lëvizjes Vetëvendosje nuk do t’i shkonin në favor zgjedhjet, sepse do t’i mungonin shumë votat e diasporës, e cila me një shumicë të madhe votoi për këtë parti. Jo aq shumë përmes votave që u dërguan me postë, sa ishte i madh numri i atyre që erdhën në Kosovë vetëm për të votuar. Pa votat e diasporës LVV-ja do ta ketë të vështirë të fitojë shumicën absolute të vendeve në Kuvendin e Kosovës, sa i duhen për të qeverisur, sepse në të kundërtën asnjë parti nuk do të shkojë në koalicion me të.
LDK-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse nuk do të dalë më as e dyta, por në rastrin më të mirë e treta. Dhe zgjedhjet do të krijonin telashe brenda LDK-së për liderin e partisë Isa Mustafa, i cili është në krye të LDK-së më së gjati në histori, përpos ish-presidentit Ibrahim Rugova, ani pse Rugova asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet, ndërsa Isa Mustafa asnjëherë nuk i ka fituar ato. Në një pjesë të opinionit LDK-ja duket sikur një kopje e PDK-së, e njerëzit mes kopjes dhe origjinalit do të votojnë për origjinalin, prandaj PDK-ja ka shumë gjasa të dalë para LDK-së si partia e dytë.
Nuk i konvenojnë as PDK-së, sepse ka kaluar pak kohë që asaj i nevojitet për t’u konsoliduar. Pohimet e PDK-së se “duan zgjedhje” nuk janë të sinqerta, sepse lideri i partisë, Kadri Veseli, i ka thënë presidentit Thaçi se PDK-ja nuk do zgjedhje, por e do një qeveri të LDK-së me Avdullah Hotin. PDK-ja do të jetë rehat në opozitë me qeverinë Hoti në pushtet. Eventualisht PDK-së do t’i konvenonin zgjedhjet pasi të sqarohej se mund të marrë postin e kryeministrit pa dalë partia e parë në zgjedhje.
AAK-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse vështirë do ta përsëriste suksesin që pati në vjeshtën e vitit 2019 e lëre më të rrisë mbështetjen. Përkundër disa veprimeve shumë të popullarizuara, si taksa 100% ndaj Serbisë, krijimi i ushtrisë dhe kundërshtimi i ndryshimit të kufijve të Kosovës, Ramush Haradinaj nuk arriti ta shndërrojë popullaritetin e tij në vota të qytetarëve për partinë e tij.
Nisma dhe AKR-ja vështirë që do ta kalonin pragun zgjedhor. Edhe ashtu mezi e kaluan me disa vota në fund të rinumërimit herën e fundit.
Aleksandar Vuçiqit nuk i konvenojnë zgjedhjet në Kosovë, po ashtu. Lista e tij i ka marrë 100 për qind të vendeve që i takojnë komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Në rast të zgjedhjeve të reja mund të ndodhë që së paku një vend ta marrë ndonjë kandidat nga komuniteti serb i Kosovës që nuk është nga Lista Sërpska e Aleksandar Vuçiqit.
Zgjedhjet nuk i konvenojnë as presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të sigurojë një post të ri të presidentit, që është opsioni më real, nëse nuk mund të kandidojë për kryeministër. Se Thaçi do të largohet nga politika pas mbarimit të mandatit është një fantazi shkencore, siç janë edhe premtimet e LDK-së se ata nuk do t’ia sigurojnë Thaçit një mandat të ri.
Qeverisë Hoti do t’i mungojë besimi nga një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës. Ai nuk e mori mandatin kur ishte kandiduar për kryeministër e as tash nuk mori ndonjë numër të madh votash që i takuan LDK-së. Ajo qeveri nuk do të ketë peshë politike, sepse do të udhëhiqej praktikisht nga liderët partiakë dhe nga presidenti Thaçi. Kosovën me qeverinë Hoti do ta udhëhiqnin Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Begjet Pacolli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe një rol të madh do të kishte edhe Lista Sërpska, që në praktikë është Aleksandar Vuçiq. Kryeministri dhe ministrat do të ishin zbatues të vendimeve të tyre. Më mirë do të ishte sikur liderët partiakë të merrnin përsipër edhe postet kyç në qeveri të re e jo të fshihen prapa emrave të personave, që pa asnjë dyshim kanë aftësi të mëdha dhe përgatitje profesionale të lartë, por nuk kanë legjitimitet politik.
Asgjë përpos zgjedhjeve të reja nuk do të mund ta sqarojë skenën e çoroditur politike në Kosovë. E një sqarim i tillë është i domosdoshëm, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës e pastaj edhe për dialogun me Serbinë, të cilin Kosovës prapë po ia imponojnë miqtë ndërkombëtarë. As Qeveria në detyrë e Albin Kurtit nuk e ka fuqinë e duhur për ta përfaqësuar Kosovën në një dialog të tillë. Pasi të gjithë thirren në legjitimitetin që ua kanë dhënë qytetarët, le të dalin përsëri para tyre dhe të kërkojnë votën e qytetarëve. Gjithçka tjetër do të jetë një eksperiment pa një dobi për Kosovën./Koha.net