Gjermanë në qershor?

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer njoftoi në fillim të kësaj jave se Gjermania “kishte vendosur qëllimin e qartë të udhëtimit pa kufizime në Europë deri në mes të qershorit” dhe do të fillonte të lehtësonte kontrollet kufitare që këtë javë. Ministri i Jashtëm i vendit Heiko Maas ka ngritur, gjithashtu, temën e lehtësimit të kufizimeve të udhëtimit, duke bërë thirrje për një dialog me homologët e tij evropianë, për të diskutuar sesi mund të lehtësohen kufijtë për destinacionet më të njohura të pushimeve verore. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka ftuar përfaqësues nga Spanja, Italia, Austri, Greqia, Kroacia, Portugalia, Malta, Sllovenia, Qipro dhe Bullgaria në një video konferencë mbi këtë temë të hënën më 18 maj. Qëllimi i takimit është të koordinohet hapja e kufijve për turistët. Të vjen keq që mëson se vendi ynë nuk është në këtë konferencë. Mos nuk kemi potenciale turistike ne?! Ndoshta Ministria jonë e Turizmit mund të bëjë kërkesë zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme gjermane dhe të jetë në video-konferencë, dhe pse janë vetëm dy ditët e fundjavës në mes. Duhet bërë gjithçka për të rigjallëruar të 880 hotelet, motelet e bujtinat që kemi në zonat bregdetare. Është një investim disa dekadash dhe nuk mund të qëndrojmë duarkryq, duke parë qindra e mijëra sipërmarrje turistike gati në falimentim. Ne vjet nxorëm 1.8 miliardë euro nga turizmi. Ky sektor garanton, së bashku me agroindustrinë për turistët, transportin për ta, zejtarinë dhe aktivitetet kulturore, rreth një të katërtën e prodhimit kombëtar. Mund të jetë një shans i hapur për ne, fakti që Ballkani është më pak i infektuar nga koronavirusi, nga vende mesdhetare turistike si Italia apo Spanja, dhe do të hapet më shpejt. Dhe këtë shans, gjasë duhet ta kapim në ajër! Ishulli turistik spanjoll i Majorkës, me gjithë kërdinë e vatrave të COVID-19 në Madrid apo Barcelonë, ka nisur bisedimet që tani për një projekt në fund të qershorit 2020, me gjigandin gjerman të turizmit, kompaninë TUI, e cila organizon udhëtimet turistike për 60 milionë gjermanë në vit. TUI do të sjellë që në fund të qershorit 2020 me dhjetëra mijëra turistë gjermanë në ishullin piktoresk spanjoll. Pse të mos nisin autoritetet tona bisedimet me TUI-n? Nuk kemi ne kontaktet me këtë kompani? Sigurisht që i kemi, pse TUI ka qenë i interesuar për tregun shqiptar të turizmit prej vitesh tashmë. Zëdhënësi për shtyp i kompanisë konfirmoi interesin e lartë të saj për të organizuar udhëtime shumë të kontrolluara që në qershor. “Ne jemi në bisedime konstruktive me një numër të qeverive lokale ku besojmë se mund të ketë pushime verore”, deklaroi për rrjetin televiziv amerikan CNN Martin Riecken, Përgjegjësi i Komunikimeve të TUI-t. “Ne nuk besojmë se e gjithë Spanja në tërësi do të jetë e gatshme kaq shpejt, por ishujt balneare (ku përfshihet edhe Majorka) po, si dhe rajone të tjera në Evropë dhe më tej, me shkallë të ulët infektimi nga Covid 19, ku qeveritë lokale kanë bërë përparim të mirë në kufizimin e rasteve dhe masat parandaluese”. Këtë informacion që e mirëpresin kudo, për masat serioze të parandalimit të përhapjes së koronavirusit në plazhet tona, duhet të jemi në gjendje ta përgatisim dhe ta përhapim pranë qeverisë gjermane, asaj suedeze, norvegjeze etj. Sa më mirë dhe shpejt. Për vitin e kaluar, turistët gjermanë dhe ata nordikë njohën një rritje prej 32 për qind në vizitat e tyre në Shqipëri, në krahasim me vetëm vitin 2018! Këtë interesim ne duhet të dimë ta ringjallim, tani pas pandemisë dhe tragjedisë botërore të COVID-19. Turistët gjermanë dhe ata nordikë, kundrejt ofrimit të sigurive për uljen e riskut të infektimit, do të jenë të etur për vizita turistike këtë verë. Dhe këtë shans, me këtë ekonomi në rënie vertikale që kemi sot, duhet të dimë ta rrokim, si qeveri qendrore, si bashki detare dhe si operatorë privatë. Plazhet tona ende jo shumë të betonuara, me çmime të arsyeshme, mund të shndërrohen në destinacione për turistët europiano-perëndimorë. “Çdo e keqe s’vjen vetëm për keq”, thotë populli. Është e pafalshme për ministrinë dhe operatorët tanë turistikë(këta të fundit duhet të gdhihen në shenjë proteste përpara dyerve të Ministrisë së Turizmit dhe Kryeministrisë), nëse urët që po lëvizin në Gjermani dhe shtetet e tjera perëndimore në gatishmëri për të rinisur turizmin, nuk i trazojmë fort edhe ne.

Share: