Stresi tkurr trurin , mënyrat më të mira si ta mposhtni atë

Shkencë & jetë Sociale

Thuhet se çka nuk na vret na bën më të fortë dhe shpesh na leverdis ta besojmë, sidomos kur bëhet fjalë për sfida të mëdha, strese e shqetësime të përsëritura.

 


 

Për shembull, një studim i Institutit të Shëndetit Publik mbi stresin në punë, tregon se stresi i përjetuar në punë është në nivele më të larta se stresi në jetën e përgjithshme.

Sondazhe të tjera të kryera në vend vite më parë, tregonin se 74% e studentëve në Shqipëri preken nga një nivel i lartë stresi dhe 55% e tyre kanë nevojë për ndihmë.

Stresi mund të jetë një aspekt i pashmangshëm i përditshmërisë sonë, por nëse ai nuk eliminohet shpejt, atëherë përbën problem.

Tek disa njerëz, stresi mund të zgjasë për javë, muaj apo vite.

Pasojat janë të rënda e shpesh të fshehura.

Sipas ekspertëve, të cilëve ju referohet AgroWeb.org një prej pasojave më dramatike të stresit vërehet tek truri i cili tkurret si pasojë e tij.

Ndikimi I Stresit Tek Truri

Kur njeriu është i stresuar, organizmi i tij prodhon kortizol.

Në sasi të limituara, kortizoli nuk përbën problem.

Ai ka aftësinë të ulë tensionin e gjakut, të mbajë nën kontroll sheqerin në gjak dhe të pakësojë inflamacionin në organizëm.

Por nëse njeriu është gjithë kohën i stresuar, organizmi i tij ka një rrjedhë të pashtershme kortizoli.

Nivelet e larta të kortizolit e shtyjnë njeriun drejt mbipeshës, sëmundjeve të zemrës, depresionit, tensionit të lartë të gjakut dhe një stili jo të shëndetshëm jetese.

Mjekët amerikanë paralajmërojnë se nivelet e larta të kortizolit zvogëlojnë volumin e trurit.

Aftësitë më të prekura nga stresi janë ato të të nxënit, kujtesës, mendimit, emocioneve dhe ndërveprimit.

Studimet konfirmojnë se gratë me një nivel të lartë kortizoli në gjak kanë aftësi të dobëta të të nxënit dhe të kujtesës.

Sipas tyre, nëse truri tkurret dhe kujtesa është problematike, në harkun kohor të 10-20 viteve, njeriu përballet me rrezikun e lartë të sklerozës.

Këto gjetje duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi, sidomos për njerëzit që nuk i dhurojnë vetes pushim dhe e stërmundojnë atë ditë e natë.

Si Të Fitoni Betejën Me Stresin?

Stresi është një armik që mund të mundet lehtë me disa ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës.

Mjaftojnë 10 minuta ecje e shpejtë në ditë për të marrë energjitë e nevojshme për t’i paraprirë një situate stresuese.

Aktiviteti fizik çliron endorfinë.

Ky hormon përmirëson aftësitë e të menduarit, përqendrimit dhe humorin.

Roli i gjumit kundër stresit nuk duhet nënvlerësuar kurrë.

Kur është në gjumë, trupi dhe truri rigjenerohen.Ushqyerja e shëndetshme është shumë e rëndësishme kundër stresit.

Frutat, perimet, drithërat e plota dhe karbohidratet komplekse stimulojnë prodhimin e serotoninës, e cila përmirëson humorin.

Mos harroni të merrni mjaftueshëm vitaminë C, e cila ul natyrshëm nivelet e kortizolit./AgroWeb.org

Share: