Nga Ndriçim Kulla
Faik Konica diti mbi të gjitha të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesë shekullore, po aq diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.
Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë vështrim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresëlënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.
Që në numrin 1 të ‘Albanias’ (1897), në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancë aktuale, sipas së cilës armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. “Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Europës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshpërim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj.”
Nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane. Topitja ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror. Në numrin 2 të “Albanias”, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin “Ç’është liria?”. “Dua të marr shpatën, – revoltohet ai, – e t’u çajë kokën gomarëve, e në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruajë ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botoj letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shaj fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…” Dhe Konica përfundon me një thirrje sfidë që të bën të dridhesh ende dhe sot për aktualitetin e saj: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë.”
Cilësitë e ligjërimit këtu arrijnë majat. Për autorin kritika është edhe impresion edhe gjykim, çka do të thotë se është edhe subjektive, edhe objektive. Edhe pse ligjërimi mbart një paradoks në vetvete, kjo është një fushë mendimi ku ai njihet si iniciues dhe themelues i saj. Po ndërkaq, stili dhe përbrivënia e qëllimtë e kontrasteve, fillon ta forcojë fuqinë e vet shprehëse. Konica nuk mund të rrijë pa theksuar se vetëm dashuria dhe vëllezëria mes shqiptarëve, bashkimi i tyre, është çelësi i artë i shpëtimit të atdheut dhe çlirimi i shpirtit shqiptar. (Artikulli: “Të vëmë nër ment”, “Albania” 2). Shumë shpejt e shohim atë të mbërthehet pas një çështje konkrete, për të rrezatuar me lente sociologjike në çështje të tjera, siç ndodh konkretisht te shkrimi tepër konciz (30 rreshta gazete) “Qyshet e Tregerisë” [Tregtisë] (Albania e 30 dhjetorit 1897). Çuditet Konica për begatinë e dheut të Shqipërisë, për larminë e prodhimeve bujqësore e blegtorale, që prishen e kalben, në kontrast të dukshëm me varfërinë e tejskajshme të shoqërisë shqiptare, vetëm e vetëm sepse tregtia e brendshme nuk funksionon dhe nuk ka për rrjedhojë qarkullim monetar. E në s’ka tregti të brendshme (pale të jashtme!), e në s’ka qarkullim monetar, domosdo ngaqë s’ka rrugë komunikacioni, hekurudha, etj. Dhe menjëherë, Konica djaloshar del në konkluzionin e rëndësishëm të karakterit sociologjik se zhvillimi i tregtisë dhe i komunikacioneve sjell sigurinë dhe përparimin shoqëror, mënjanimin e rrezikut të kusarisë e të grabitjeve, dukuri këto sociale që ishin shndërruar në plagë të shoqërisë shqiptare të kohës.
Dy muaj më pas, Konica e rimerr këtë temë tek “Albania” (shkurt 1898), me shkrimin “Dy fjalë për bujqësinë dhe tregëtinë”. Tek e konsideron si një çështje të rëndësishme, sepse i përket gjithë shtresave të shoqërisë, të pasura a të vobekta, ai trajton më vete çdo hallkë të çështjes, duke e shfaqur këtë në formë zinxhiri, nga bujku që prodhon drithë, te tregtia dhe te gjallëria sociale, apo përparimi shoqëror. Kështu, te hallka “bujqësi”, ai ngulmon për një bujqësi moderne, që të braktiset prodhimi me parmendë të drunjtë dhe të përdoren makineritë si dhe të ngrihen shkolla bujqësore, sepse “rritet prodhimi katërfish”. Ja, teksa një tematikë e ngushtë vjen e zgjerohet në mendimin shoqëror konician për të rrezatuar në një diapazon shumë më të gjerë. Është kjo cilësia sipërore e qasjes së tij sociologjike, që do të përsëritet shpesh, derisa të shndërrohet në komponenten konstante të mendimit konician, sado që mund të duket pështjelluese dhe shumë moderne për kohën, si skematikë shkrimi.
Konica (që çel në “Albania” edhe rubrikën “Kohëtore e bujqësisë”), teksa flet, për shembull, gjerë e gjatë për pataten dhe vlerat e saj (“Albania”, prill 1899), çështjen e prodhimit bujqësor e blegtoral e sheh të lidhur ngushtë me tregtinë dhe sektorë të tjerë të zhvillimit shoqëror, duke theksuar se tregtia, bujqësia, bagëtia janë gjaku, jeta, lulëzimi i një vendi dhe të rinjtë mëmëdhetarë duhet të përkujdesen për çështjet aq të dobishme e të rëndësishme, dhe të kuptojnë nevojat e mëmëdheut… Vërtet, është më lehtë të përpiqet njeriu për politikë, por përparimi, lulëzimi, qytetërimi janë më shumë të lidhura me punërat e Ekonomisë se me fjalët e Politikës. I tillë është thelbi i argumentimit të tij.
Konica e ka kështu mëse të qartë rolin parësor e themelor që luan baza ekonomike në shoqëri, krahas rolit drejtues të superstrukturës nëpërmjet një politike atdhetare. Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin: “Rritja mendore e popullit shqiptar” (“Albania”, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri, që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon “zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre”, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit, në një fazë të dytë që ai e quan “lërimin e mendjes”, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim, pra, të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë. Dhe populli, – këmbëngul Konica, – e ka dashurinë për “lërim të mendjes”, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, “këtu fle lepuri”, kjo është çështja.
Gjendjen e librave (metodave) shqipe dhe të abeceve Konica e sheh të mjerueshme (janë për mëshirë!) e as që mund të bëhet fjalë për aritmetikë, gjeografi, trigonometri etj. Këtu Konica bën dallimin e madh në libra për fëmijë dhe libra për të rritur (për burra me mustaqe!) dhe një abetare e thjeshtë kurrsesi nuk mund t’u adresohet këtyre. Shqiptari për Konicën duhet të hapë sytë e mendjes, të shohë rrotull tij se çfarë bëjnë kombet e qytetëruar që edhe kombi shqiptar të përparojë e të ecë krahas tyre. Pra, përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane.
Ky fshikullim i spikatur i viteve të “Albanias”, do të ngrihet në një model të vërtetë të kriticizmit në fillim të viteve 20-të. “E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjitha librat.” Me këto vargje nis njëra nga poezitë më të famshme të poetit francez, Stefan Malarme. Por, po njëlloj, kështu nis edhe njëra nga ato esetë e shkurtra të Konicës me titull: “Jeta dhe librat”, e shkruar dukshëm mbi një reliev të qartë shpirtëror. Është ky një çast psikologjik, që e përqendron mendimin e tij te tragjedia “Prometeu i lidhur” i Eskilit, një libër siç shkruan ai “i vjetër për nga mosha 2 400 vjeçare”, por gjithnjë i ri për nga mendimet.” Prometeu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, dramën e dashurisë së madhe që ai ka e kërkon të mbizotërojë tek njerëzit. Një hero i tillë, tek i cili ndoshta Konica, frymëzohet edhe për veten, ka se ç’ti thotë shqiptarëve në fillim të viteve 20-të, kur në Shqipëri luftohej pikërisht kundra tiranisë dhe lirisë së mendimit. Është kjo ide një nisje emblematike e një serie sprovash të cilat shtresëzohen në vite me tipologji e personazhe të rinj, që më tepër përfaqësojnë kategori të vërteta njerëzore, nëpër të cilat Konica do ta shtratëzojë analizën e vet, për të arritur në sprovën më të arrirë “Shqipëria si m’u duk”, ku mendimi i tij, nëpërmjet një analize sociologjike e psikologjike, formëson një kategorizim të mirëfilltë antropologjik të shoqërisë shqiptare.
Një fizionomi të tillë trajtimore shpreh Konica që në ciklin “Katër prralla nga Zullullandi” (1922). Zullutë paraqiten nga autori më shumë si një turmë sesa si një popull i ndërgjegjësuar, duke na lënë të nënkuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me njërën nga tipologjizimet ose kategoritë e tij sociologjike, mbi të cilat ai ndërton gjithë ligjërimin e llojit të kriticizmit dhe stigmatizimit. Dy janë udhëheqësit që mund të nxjerrë lëvizja spontane e zulluve. I pari është Denizulla Sepia, një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, një njeri i fjalëve boshe dhe përfaqësues i interesave të ngushta e meskine. Duket se kjo kategori njerëzore, e përzgjedhur dhe skalitur kaq mjeshtërisht që para 100 viteve, në mesin e politikës shqiptare duket se është më e gjallë se kurrë. Përballë tij, autori vendos plugun, atdhetarin e flaktë dhe idealist, që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zullulland, atë lëvizje që i kthen zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet, të lirë, të qytetëruar dhe me nder.
Ndoshta edhe kjo kategori ka një jetë historike në realitetin tonë të sotëm, trashëgimia më kulmore e veprës gjendet në kategorizimin e tretë. Konica, ky psikolog i hollë i mendësisë individuale edhe kolektive shqiptare, e ka antropologjizuar në mënyrë të qëllimshme dukurinë e rëndësishme sociale të ekzistencës së turmës, si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga qëllimet dhe aspiratat ndërtuese, që pushtohet shumë shpesh nga instinkte dhe delire. Është ky një projektim gjenial me të cilin do të ndeshen mjaft mendimtarë shqiptarë të kohës, por që askush nuk do të dijë si ta shpjegojë dhe përshkruajë më kthjelltësisht se Konica.
Karakteristika tashmë emblemë e ligjërimit të tij nëpërmjet personazheve tipizues të klasave apo dukurive të veçanta shoqërore të shoqërisë shqiptare do ta pasurojë repertorin e vet, por edhe do të fitojë një cilësi akoma dhe më përfaqësuese socio- psikologjike, te “Doktor Gjilpëra…”, një vepër e shkruar dhe botuar më 1924, në atmosferën e ndezur politike të kohës. Doktor Gjilpëra është një intelektual i ri, që pasi kryen studimet për mjekësi, gjendet përpara alernativës: të qëndrojë jashtë, ku e priste një karrierë plot perspektivë apo të kthehet në atdhe e të kontribuojë në mëkëmbjen dhe në përmirësimin e shëndetit të popullit të tij. Jo më kot Konica mund të quhet tipologjizuesi më modern i karaktereve më përfaqësues shoqërorë të shqiptarit, pasi edhe në këtë rast aktualiteti i kësaj pyetje shfaqet i pashembullt me ngjashmërinë e vet në gjirin e elitës së sotme shqiptare të formuar në Perëndim. Roli i saj ndikues është shumë i pakët, ndoshta sepse dhe lidhjet e raportet me popullin e vet ende nuk kanë ndryshuar, duke mbetur mbase në nivelin konician. Për shkaqe të mendjes dhe të shpirtit, ai vendos të kthehet në vendlindje. Patriotizmi tek ai, nën shembullin e Sokratit dhe Gëtes, ka një kuptim të gjerë, duke e ndjerë veten qytetar i botës, ai ndihet në radhë të parë patriot i vendit të tij. Është ky vlerësim i parë, që ndoshta fsheh edhe dëshirën më të madhe dhe të vërtetë të Konicës, pavarësisht se realiteti në fund të veprës atë e trishton dhe e shkurajon përfundimisht, ai vlerësim që duket të mbizotërojë edhe sot në mendjet e intelektualëve tanë të rritur e formuar jashtë. Humanizmi i Doktor Gjilpërës që ka një përmbajtje të thellë iluministe, pavarësisht se nuk arrin të durojë dot pas raportit me realitetin shqiptar, duket të jetë shumë udhërrëfyes edhe sot. Autori e vendos doktorin e ri përballë dy kolegëve të vet, por që në fakt përfaqësojnë dy botë e dy botëkuptime të kundërta. Më shumë kasapë sesa njerëz të shkencës, ata bien në sy për zvetënimin shpirtëror dhe indiferencën intelektuale, dy karakteristika që janë të papajtueshme me atdhedashurinë dhe humanizmin që personifikon kategoria shoqërore e Doktor Gjilpërës. Megjithatë, bota e vjetër, përveç dy mjekëve orientalë, mishërimin e vet kulmor e gjen te një personazh tipik i prapambetjes, që në rrafshin sociologjik të analizës që i bën Konica merr përmasat e simbolit proverbial të komplotistit dhe makiavelistit oriental.
Frymëmarrja e thellë satirike, notat e fuqishme sarkastike, gazi shpotitës dhe tallja e pamëshirshme janë vetëm mjetet analitike që përdor mendimtari i madh për të theksuar dhe nxjerrë lakuriq në pah problemet e mprehta e komplekse të shoqërisë shqiptare, janë instrumentet e tij stilistike për t’i shfaqur në mënyrë sa më flagrante kontradiktat thelbësore të hapësirës shqiptare, ku ndeshet mesjeta me kohët moderne. Për të gjitha këto arsye, trajtimi merr një karakter të theksuar social dhe etik. Ai e kërkon idealin e tij si ekuilibër dhe harmoni të kulturave që ato përfaqësojnë, si një sintezë për një model të ri, që duhet të përkojë në bashkëjetesë me origjinalitetin e rrënjëve shqiptare. Gjithçka në gërmimin dhe në idetë e Dr. Gjilpërës ka për qëllim të tentojë drejt padijes së të metave dhe krijimit të tyre nga e para, ku të sundojë e drejta, e mira, e vërteta, ose më saktë, një fytyrë kombëtare siç e meriton të jetë. Në këto pika, teksti edhe pse i shkruar në formën e dialogëve, merr peshën e traktateve të mirëfilltë filozofikë, kur midis dy doktorëve diskutohet relativizmi i Protagorës, për të gjetur udhën e bindjes dhe të vërtetës, bashkohet me përsëritjet e Platonit, e në fund arrin ta gjejë: mendimet e drejta, mendimet e vërteta, kjo është dituria e duhur për ne.
Kjo mënyrë të shprehuri dhe kjo rrugë e arritjes së përfundimeve, ku gjuha dhe stili nuk janë vetëm dekor, por konvencione që shërbejnë për antropologjizimin e kategorive njerëzore e shoqërore në funksion të rritjes së dimensionit të ndikimit mbi to, do të bëhet akoma dhe më mbresëlënëse në një tjetër rrugëtim, akoma dhe më përgjithësues të Konicës, në tipologjizimin e dukurive apo grupeve të caktuara të shoqërisë shqiptare. Pas një udhëtimi të bërë në Shqipëri, gjatë vitit 1929, Konica shkruan veprën: “ Shqipëria si m’u duk” të botuar një vit më vonë si nënfletë e gazetës Dielli. Për nga meditimet, sintezën dhe shkallën e lartë te përgjithësimit të tipave shoqërorë që ka arritur të portretizojë dhe individualizojë, kjo vepër mund të klasifikohet edhe si një cikël sprovash sociologjike. Nën këtë këndvështrim, vepra duket të fillojë nga kapitulli i tretë, atëherë kur Konica merr përsipër të gjykojë gjendjen në tërësi të shoqërisë shqiptare, shtetin që e sundon dhe dukuritë që i pengojnë progresin. Atë e trondit dhe e revolton deri në neveritje prapambetja dhe padija e bashkatdhetarëve të vet, fryma anadollake dhe plogështia sentimentale, dëshira e vakët për punë, vullneti i dobët, mungesa e idealeve të mëdha, etj. Por, përgjithësimi i tij zhbirues sociologjik nuk ndalet vetëm këtu. Ai përpiqet të gjejë armiqtë e Shqipërisë, që e pengojnë seriozisht të ecë përpara. Është ky një rrugëtim i gjatë dhe i thellë në psikikën shqiptare, i pasuruar përgjatë të gjitha sprovave të mëparshme e që do të kulmonte në përcaktimin e tri dukurive, tri tipologjive të regresivitetit shqiptar: të ekspertëve, të robotëve dhe të levantinëve, që drejtojnë dhe qeverisin fatet e vendit.
Ekspertët përbëjnë tipin e parë që ndeshet në jetën bashkëkohore shqiptare. Ky është njeriu që i di të gjitha e që s’di asgjë, pra eksperti në çdo gjë. Është nëpunësi i trashëguar nga administrata e Turqisë ose i ngritur prej moçaleve të vendit, që fut hundët kudo dhe që me djallëzira, shpifje e padrejtësi, sjell dëme të pandreqshme për shoqërinë. Portetizimin e kësaj tipologjie autori e bën jo vetëm duke satirizuar veset, por edhe duke sjellë shembuj nga jeta dhe historia. Gjithsesi, goditjen kryesore të kriticizmit të tij Konica e jep ndaj aparatit burokratik të mbretërisë shqiptare. Te ky aparat ai sheh trupëzimin më negativ të shoqërisë, nëpunësin pa kokë, njeriun automat, mehmurin osman që vepron mekanikisht, pra, thjesht robotin. Robotizmi, për të, është burokracia e kohëve moderne, janë ata që punojnë e drejtojnë pa mend, “që pinë gjakun e Shqipërisë e që i thajnë burimet”. Është ky një ciklësim sa universal aq edhe aktual, por tonet dhe ngjyresa që i jep Konica sociologjikisht, burokracinë orientale të shqiptarëve e kthejnë në një armik të pamëshirshëm të përparimit.
Te “Levantinët” që përbën një esse më vete, mendimtari fshikullon kozmopolitët, njerëzit snobë të kohës, ata që janë kundër çdo gjëje shqiptare. Ky tip në Shqipëri tallet e merr nëpër këmbë traditat dhe zakonet e vëndit, poshtëron fjalën shqipe, duke shpalosur fortësisht kompleksion e vet të inferioritetit karshi botës. Është një kategori njerëzish që atëherë po përhapej me shpejtësi, e për të cilën do të jepte mendime të goditura edhe vetë Merxhani, por mprehtësia e Konicës në kategorizmin e kësaj tipologjie duket se i ka rezistuar kohës, pasi një dukuri e tillë gjen mjaft terren sidomos në ditët e sotme. E rrugë tjetër për t’u mbrojtur nga ndikimi i kësaj dukurie nuk ka, përveç asaj që përdori mendimtari ynë i madh: mbrojtja e qytetërimit shqiptar, e kulturës shpirtërore e materiale, e shijes së tij që ai e quan “të hollë, fisnike dhe origjinale”. Krenaria kombëtare, aq e dobishme në kohën kur po jetojmë, për të frenuar valët e reja të emigrimit që po përjetojmë, duhet të gjejë një burim frymëzues te kriticizmi konician, që në këtë sprovë merr përmasat e patriotizmit më të flaktë.
Pavarësisht nga gjithçka bëri, tha dhe shkroi Konica është “kryetari” i madh i asaj plejade kritikuesish, stigmatizuesish apo “shigjetarësh”, siç i quan Vangjel Koça, që e shohin kritikën si mjetin më të mirë të rritjes së ndërgjegjes, ndjenjës kombëtare dhe patriotizmit shqiptar. Është kjo një trashëgimi që mendimi shqiptar e gjeti te Pashko Vasa, te Fishta, etj. Tek të gjithë ata kritika dhe satira deri në skaj funksionon si patriotizëm.