Çfarë dëmi të madh po bën ekuivalenca false në median tonë

Analizë Opinion

Nga Enton Palushi

Peter Tiede duhet t’i njohë parimet kryesore të gazetarisë. Tek e fundit nuk punon rastësisht tek gazeta më e madhe në Europë. BILD shquhet për një gjuhë të ashpër ndaj autokratëve kudo në botë, mjafton të jeni lexues i rregullt i saj dhe e kupton se qëllimi i saj nuk është vetëm porosia e babait shpirtëror të saj, por mbi të gjitha një përpjekje për të trimëruar median dhe opinionin publik në vendet e sunduara nga despotët.

Por në shkrimet e Tiede-s për drogën dhe përgjimet skandaloze mbi vjedhjen e zgjedhjeve në Shqipëri, kishte një devijim nga parimet gazetareske që ka mësuar kushdo në Shqipëri e jashtë. Asnjërit prej personave të akuzuar prej tij në shkrime nuk i ishte dhënë hapësira e reagimit. Asnjërit. As Edi Ramës, as Ulsi Manjës, as Avdylajve, askujt.

Përse? Arsyeja më kryesore ka gjasa të lidhet me ndryshimin e qasjes së medias ndaj të vërtetës. Duke mbajtur një prej fjalimeve më të fuqishme në historinë e medias moderne, gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour deklaroi më shumë se dy vjet më parë se paradigma e vjetër në media ka rënë. “Mësova shumë kohë më parë, teksa po mbuloja gjenocidin dhe pastrimin etnik në Bosnjë, se nuk duhet të barazojmë kurrë viktimën dhe agresorin, se nuk duhet të krijojmë kurrë një moral fals apo një ekuivalencë të rreme faktike, sepse atëherë bëhesh bashkëpunëtor në krim. Prandaj unë besoj tek e vërteta, jo te neutraliteti,” tha ajo.

“Besoj se duhet të jemi të vërtetë, jo neutralë. Besoj se duhet të ndalojmë banalizimin e së vërtetës”.

***

Ajo që ndodhi në Shqipëri mbrëmjen televizive kur BILD publikoi përgjimet, duhet të jetë rast unik. Atë që nuk e bëri gazeta gjermane, e kishin bërë televizionet shqiptare. Të gjithë të akuzuarit ishin të shtrirë nëpër kolltuqe televizive. Asnjë fakt shtesë, asnjë të dhënë, asnjë investigim, asgjë. Vetëm ata përballë shqiptarëve, të cilët me veshët pipëz prisnin atë momentin ‘magjik’ kur pas pyetjes së ‘sinqertë’ të prezantuesit se ‘a kanë lidhje me krimet’, të akuzuarit do të pranonin mes ngashërimave: ‘Po, ne jemi keqbërës! Kemi blerë vota, kemi manipuluar vullnetin e shqiptarëve, e meritojmë të ndëshkohemi, ku i keni prangat?’

E gjitha kjo të kujton një parodi në SHBA në vitet ’70, kur ironizohej gazetaria me historinë e nazistëve: “Dhe tani, për të marrë qëndrimin e palëve, po i referohemi Heinrich Himmler-it”. Kurse Goering e pyet Fyhrerin se çfarë ka ndodhur me hebrenjtë. “Ishin shumë”, thotë ai.

Thuhet se çdo krim në këtë botë- sado i madh, e ka një justifikim- sado qesharak. Sikundër thuhet se gazetaria është e vështirë, por kritikat ndaj saj janë të lehta. Kjo mund të duket një kritikë e lehtë, sidomos po të nisesh nga parimi se të gjithë kanë të drejtën të flasin. Por, për shkak se nuk po shkojmë tek gazetaria e vështirë, dhe për shkak se problemi i ekuivalencës false po debatohet në botën e zhvilluar, madje në kryeqendrën e saj- në SHBA, në Shqipëri ia vlen të diskutohet pa kurrfarë hezitimi.

***

James Fallows është një nga gazetarët më të njohur në SHBA, korrespondent i revistës ‘The Atlantic’, të themeluar në vitin e largët 1857. Sipas tij, shtypi po përqafon sërish ekuivalencën false. Si një njeri që e njeh shumë mirë profesionin, ai thotë se në rrethana normale duhet të ekzistojë preferenca për balancën, duke i dhënë publikut çdo këndvështrim, në mënyrë që të vendosë ai vetë.

“Por ka një zbatim shumë specifik të këtyre parimeve në epokën e Donald Trump. Problemi me Trump është se ai nuk është si askush tjetër që ka mbajtur presidencën. Ai gënjen me bollëk: ai përdor postin publik për përfitime private në një shkallë që nuk është dëshmuar kurrë më parë; dhe ai duket se nuk ka asnjë respekt apo interes për institucionet e vetëqeverisjes”.

“Kështu që secili prej rregullave të procedurës ‘normale’, që aplikohen për një figurë të tillë anormale, mund të çojë në rezultate katastrofike. Të jesh i ‘paanshëm’ në mbulimin e tij do të thotë të jesh i pandershëm- ndaj të vërtetës, ndaj historisë, ndaj lexuesve, ndaj interesit kombëtar, ndaj çdo koncepti të punës si gazetar”.

E kështu mund të thuhet pa asnjë dyshim për qeverisjen shqiptare.

-Si është e mundur që në kohën kur institucioni i votës së lirë ka shkuar në pikën e vdekjes, të thuash se problemi është se presidenti ka tejkaluar kompetencat në përpjekje për të paqtuar situatën në vend?

-Si mund të jesh qeverisja më e korruptuar në Europë sipas Transparency International, por të thuash se fajin e ka opozita për këtë dështim?

-Si mund të jesh vendi më i përmbytur nga drogërat e forta në Europë dhe të thuash se fajin e paska Holanda dhe vende të tjera që na i kanë mësuar veset?

-Si mund të jesh vendi më i zhytur në krim të organizuar dhe të pretendosh se fajin e ka Europa që na vë kushte se ka hallet e saj të brendshme?

-Si mund të jesh vendi ku pushtetet po bien të gjitha në një dorë- siç e thotë edhe Komisioni i Venecias- dhe të ankohesh se fajin e ka PD se ka bojkotuar institucionet?

-Si mund të mbushësh postet kryesore publike në vend me të inkriminuar dhe pastaj të ankohesh se opozita po ia nxin imazhin vendit?

-Si mund ta mbushësh vendin me ‘përbindësha’ betoni dhe pastaj të ankohesh se fajin e ka ndonjë fakir që ndërton diçka për të mbajtur frymën gjallë?

-Si mund t’ua lësh mbi shpinë shqiptarëve një faturë 2 miliardë euro për koncesione dhe pastaj të krenohesh se ke arrestuar dikë që ka vjedhë dritat?

-Si mund të harbohesh në hotele nga 900 euro nata dhe pastaj të ankohesh se fajin e kanë shqiptarët që nuk marrin vesh nga e bukura?

-Si mund të mos tërheqësh asnjë investim të huaj të rëndësishëm dhe pastaj të qahesh se qeveria e shkuar bëri mijëra kilometra rrugë pa standarde?

E gjitha kjo të çon tek nevoja për të shpjeguar ekuivalencën false.

***

Scotty Hendricks e fut ekuivalencën false te disa prej manipulimeve logjike kryesore që përdoren nga politikanët. Ky manipulim ndodh në momentin kur dy qëndrime paraqiten si ekuivalente, kur në fakt nuk janë. “Për shembull: kur thuhet se zoti Smith vjedh fondet publike, por zoti Jones ka hedhur dikur plehra në park. Vjedhja e fondeve publike është një krim i rëndë, kurse hedhja e mbeturinave është një sjellje e keqe. Argumenti që jepet është se të dyja shkeljet i bëjnë autorët të këqinj. Por teksa kjo do të thotë se të dy kanë bërë gjëra që nuk duhen bërë, atyre nuk mund t’u vihet shenja e barazimit, veçanërisht nësa ata duhet të vihen në krye të fondeve publike”, shpjegon Hendricks.

Pastaj, nëse keni shumë iluzione, pyeteni veten si se si ka mundësi që në vendin me qeverisjen më të korruptuar në Europë, në kryeqendrën e krimit dhe të drogës, askush nuk ndëshkohet apo largohet nga pushteti. Zor të thuash se për këtë e ka fajin opozita./gazetamapo

Share: