Një krim i rëndë ka tronditur sërish vendin, duke bërë që brenda dy ditësh të shënohen plot pesë viktima në vend. Pas ekzekutimit me kallashnikov të biznesmenit Besnik Hida, në Lushnjë, dhe vrasjes së trefishtë në familjen Dakuci, në fshatin Xibër të Klosit, sot është shënuar një tjetër vrasje.
34-vjeçari Eri Zefi është ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Zallë Xhuxhë të Fanit, në Mirditë. Gazetari Elidon Ndreka ka zbardhur për “BalkanWeb” detaje të reja nga krimi i rëndë, që tronditi Mirditën. Gazetari Ndreka tha në një lidhje telefonike për “News24” se viktima është gjetur nga banorët e zonës i mbuluar në gjak dhe me shenja plumbash në trup.
Banorët kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka rrethuar zonën. Ndërkohë, grupi hetimor vijon krehjen e zonës për të identifikuar dhe kapur autorët e këtij krimi, shkaqet e të cilit nuk dihen ende.