Zgjedhjet e reja në universitete kanë shijen e një tragjedie

Analizë Opinion

Nga Ndriçim Kulla

Do të doja t’i radhisja që në fillim të shkrimit të gjitha tagret që mund të më jepnin të drejtën për të folur për problemet e universiteteve. Së pari, si njeri publik, sepse universitetet janë pasuri kombëtare që i takon edhe opinionit publik; së dyti, sepse si njeri i librit dhe kulturës kam pasur mundësinë t’i njoh nga afër universitetet tona; më pas si prind dhe si taksapagues; e së fundi, si një person, që për shkak edhe të detyrave publike shtetërore, kam pasur rastin të ndihmoj në zgjidhjen dhe trajtimin e situatave konfliktuale në disa universitete publike, madje ku kanë qenë përfshirë drejtues të universiteteve dhe ministria përgjegjëse.



Në këtë përgjegjshmëri të shumëfishtë do të doja të shtroja edhe këtë pyetje problematike: cilët do të ishin pritshmëritë e mia si studiues, intelektual, njeri publik, taksapagues dhe qytetar nga një model i përzgjedhjes së rektorëve dhe dekanëve të universiteteve publike? E në mënyrë të qartë dhe pa ndonjë ekuivok, mund të përgjigjesha: të krenohesha me nivelin akademik dhe intelektual të rektorëve dhe dekanëve të universiteteve të vendit tim që i paguajmë me taksat tona; të shikoja që këta rektorë dhe dekanë po i zhvillojnë vërtet, me ritmin e këtij shekulli të dijes, universitetet dhe fakultetet tona; të përgatisin studentët me dijet dhe aftësitë që u duhen atyre për katër dekadat e këtij shekulli; të rekrutojnë si pedagogë vajzat dhe djemtë më të talentuar shqiptar dhe së fundi, t’i zhvillojnë universitetet dhe fakultetet  tona si qendra që i paraprijnë zhvillimit të gjithanshëm të vendit, kombit  si dhe të demokracisë sonë të re.

Prej vitesh rektorët dhe dekanët zgjidhen gjoja me votë direkte të pedagogëve dhe me pjesëmarrjen e studentëve. Në aparencë duket si një model demokratik, por cili ka qenë rezultati ose produkti i këtij zhvillimi?! Zgjedhjet kanë favorizuar gjithmonë  grupe të ngushta interesash që nuk janë elita universitare, shpesh jo politike, përgjithësisht të mbyllur e që vetëm ndërrojnë vendet me njeri tjetrin. Madje, fatkeqësisht, këto grupe kanë mpleksje interesash edhe me grupe apo individë jashtë universiteteve dhe me prapavijë të rrezikshme. Ligji i arsimit të lartë duket qartë  se   e ka favorizuar së tepërmi këtë gjendje të mbrapshtë. Kam informacione  që po kandidojnë shumë nga këto grupe të vogla, madje diku  fare trupërisht edhe si kandidaturë e vetme me mbështetje politike dhe të  grupeve të njohura për veprimtari që nuk kanë të bëjnë me universitetin. Këto grupe kanë interesa direkte fitimi në universitete me prona dhe tenderë, madje edhe me emërime pedagogësh dhe punonjësish të administratës.

Atëherë shtrohet pyetja: si ka mundësi që në një universitet me rreth 10 mijë studentë një person mediokër qenka e vetmja kandidaturë! Kush nuk lejon të kandidojnë të tjerë?! Çfarë mekanizma kanë vepruar? A është në dijeni Ministria e Arsimit znj. Besa Shahini për këtë paudhësi   që e shpie nivelin e Arsimit të Lartë shqiptarë në zgrip? A    është në dijeni dhe   për çfarë arsye  po hesht për këtë z. Lulëzim Basha  kryetari i opozitës që duhej ta shikonte në mënyrë kritike këtë zhvillim denigrues të votimit në arsimin e lartë? A janë në dijeni ambasadat perëndimore të atashuara në Shqipëri dhe konkretisht  z. Luigji  Soreka  që monitoron procesin  për këtë katrahurë në arsimin shqiptarë, ku eliminohet hapur konkurrimi demokratik dhe sidomos në institucionet e dijes? Nuk i lejon politika apo bota e krimit të konkurrojnë të tjerët?! Çfarë interesash përfaqëson kjo kandidaturë e vetme?! Mund të përfaqësoj çdo interes tjetër, por jo atë të universitetit. Dhe në se  nuk  e besoni hetojeni se mund ti gjeni  aty arsyet. Është e kuptueshme atëherë se ky model zgjedhjesh ka lënë jashtë universiteteve të rinj të talentuar dhe vendet e tyre të punës rektorët dhe dekanët ua kanë dhënë të afërmve, miqve me lidhje nepotike, ose, më keq akoma, duke abuzuar me rekrutimet. Kjo ka nxitur largimin masiv të trurit dhe sidomos ekselentët që është një prioritet i qartë i qeverisë.

Në një këndvështrim tjetër, nga protestat e studentëve dhe raportet e anketimeve apo edhe ato të KLSH duket se ky model shpesh prodhon rektorë dhe dekanë arrogantë dhe që abuzojnë skajshëm me fondet publike dhe ato të tarifave të studentëve. Këto pasoja i vuajnë universitetet, studentët dhe pedagogët. Kjo papërgjegjshmëri në drejtim po i shkatërron universitetet tona. Nëpër to  janë emëruar militantë partish  nga të gjitha krahët dhe shpesh njerëz që përfaqësojnë edhe interesa të bizneseve dhe kompanive të oligarkëve. Por s’duhet të harrojmë për asnjë çast se administratorët, rektorët dhe dekanët e universiteteve tona publike manaxhojnë rreth 130-140 milionë euro në vit. Studentët paguajnë tarifa të shtrenjta, por kushtet në auditore janë mizerabël, pedagogët dhe studentët nuk kanë  kushte elementare, studentët nuk kanë as PC në klasa, bibliotekat nuk kanë libra, kushtet higjienike janë për tokë, etj. Ku i çojnë gjithë këto fonde administratorët dhe rektorët?! Kujt i raportojnë? Kush i kontrollon?!

Por ajo që është më e keqja, mediokriteti, arroganca, abuzimet e rektorëve dhe dekanëve i kanë izoluar universitetet tona nga bota, nga  studimet, nga shkenca, nga krijimet, çka është e paimagjinueshme në këtë shekull. Ndaj pyetja themelore që duhet të shtrohet  është: si arrijnë vallë të zgjidhen këta njerëz mediokër si rektorë dhe dekanë? E ky është një aspekt shumë i dhimbshëm. Vota në universitete ka degraduar akoma më keq se ajo politike. Mekanizmat që përdorin këto klane gjoja për t‘u votuar janë okulte, duke përfshirë nepotizmin, abuzimin me premtime për punësim apo grada e tituj, korrupsionin, presionin sidomos mbi asistentët e rinj, premtimet abuzive ndaj studentëve, e deri tek indiciet për blerje vote dhe për aktivizim të grupeve nga jashtë universitetit, me mjete të ndryshme presioni dhe joshjeje ndaj pedagogëve (rasti i UT në zgjedhjet e fundit është shumë domethënës).

Cilat janë kështu interesat bazë për t’u zgjedhur rektor apo dekan? Ato nuk janë interesa akademike apo për të kontribuar në zhvillimin e universitetit, por kryesisht të lidhura me pasurimin në forma nga më të ndryshmet, me përdorimin e postit për interesa private: OJQ, zyra konsulence, avokatie, projektimi, klinika private, etj., apo dhe me privilegje të tjera abuzive (punësimet abuzive, promovimet abuzive me grada e tituj, etj.

Për të gjitha këto arsye qeverisja e universiteteve tona publike është larg çdo standardi të një vetëqeverisje transparente në të gjitha planet: institucional, financiar, madje edhe akademik e shkencor. Madje, duket se kjo situatë është përkeqësuar me shpejtësi dhe ka bërë që rektori, administratori dhe dekanët të sundojnë universitetin sikur janë pronarë dhe jo të zgjedhur. Kjo ka sjellë që universitetet publike të shndërrohen në institucione të mbyllura në vetvete, që gjoja vetëqeverisen, por komuniteti akademik, studentët, dhe aq më pak prindërit, publiku dhe gjithë shoqëria dinë shumë pak se si qeverisen ato, cili është niveli i zhvillimit të tyre dhe çfarë roli mund të luajnë ato jo vetëm për shkollimin universitar të të rinjve, por edhe për zhvillimin tërësor të vendit.

Si përfundim, mund të themi se ky model i zgjedhjes së rektorëve dhe dekanëve mbjell mediokritetin, arrogancën, dhe abuzimin në drejtimin e universiteteve, çka çon në shkatërrimin e kësaj pasurie publike dhe të shumë qendrave të dijes të vendit. Vetëm se ky nuk është një dëm e as i përkohshëm, kjo ka shijen e një tragjedie që do të bëhet mbizotëruese, ndaj kërkon vendime të guximshme politike. Ky model duket flakur sa më shpejt si një model thellësisht i dështuar, abuziv dhe populist, për të hapur rrugën që Shqipëria të aplikojë modelet më të përparuara të perëndimit. Qeveria, por duke u përfshirë edhe  opozita, duhet ta shfrytëzojnë këtë situate me një mirëkuptim qoftë edhe të sforcuar, për të krijuar dhe për ta ndryshuar me shpejtësi këtë model. Rektorëve dhe dekanëve u ka përfunduar mandati dhe ata duhet të zëvendësohen, sepse do të jenë pengesa kryesore për të ndryshuar modelin e degraduar të zgjedhjeve. Ata duhet nxjerrë nga zyra me zgjedhje të vërteta. Kjo duhet bërë tani pa humbur asnjë ditë. Pas 4 viteve do të jetë shumë vonë. Vetëm kështu pedagogët do shpëtojnë nga presionet banditeske për votë nga ana e dekanëve apo rektorëve. Degradimi i universiteteve vetëm kështu do të arrijë të ndalet, dhe shpresa rinore do të ringjallet dhe frymëmarrja e meritokracisë nëpër auditorët e dijes do të jetë e lehtë dhe frymëzuese.

 

Share: