Sistemi, fajtori fake i krizës!

Analizë Opinion

Nga Lutfi Dervishi

Me një shpejtësi rrufe, shpejtësi që le në hije edhe grabitësit në Rinas kemi gjetur fajtorin e krizës në të cilën ndodhemi: Sistemin!

Ngazëllimi me të cilin kemi gjetur shkaktarin e të gjithë këqijave mund të krahasohet vetëm me momentin EUREKA të Arkimedit.

Politikanë të vjetër dhe rishtarë në politikë, analistë dhe kureshtarë të pandreqshëm, rrjete organizatash jo qeveritare dhe rrjetet sociale janë mbushur me parrullën: të ndryshojmë sistemin (zgjedhor). Kjo parrullë e re po paraqitet edhe si shpjegim se pse e tundim prej 30 vitesh parrullën: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Opozita e “vjetër” dhe sidomos ajo e “re” me flamurin e ndyshimit të sistemit kërkojnë të prijnë përpara drejt një sistemi ku populli do ta këtë në dorë të zgjedhë deputetët dhe jo kryetarët e partive.

Sistemi zgjedhor i ndryshuar në vitin 2008, proporcional rajonal, u bë me konsesus të gjerë dhe me premtimin se vendi do të kishte parlamentin elitar! Në dorë të 3-4 kryetarëve të partive u la zgjedhja e “elitës”.

Askush nuk ndalet tek përgjegjësistë individuale të 3- 4 kryetarëve të partive që e mbushën Kuvendin me elitën që e nxorri jashtë de kriminalizimi. Në vend që të flitet për ndryshimin e kryetarëve që bënë këtë gjëmë- e kemi më të thjeshtë të kërkojmë ndryshimin e sistemit?!

Sistemi, (zgjedhor) që duam të ndryshojmë garanton që edhe PD edhe PS të perfaqësohen me deputetë në çdo qark të Shqipërisë. Sistemi mënjanoi rrezikun e ndarjes politike veri-jug, (ku p.sh PS rrezikon të mos marrë deputet në Shkodër dhe PD në Vlorë).

Sistemi garanton përfaqësimin më të madh të grave në politikë. Dhe kurrë në historinë parlamentare nuk ka patur më shumë gra dhe vajza në Kuvend. Eshtë shumë interesant të dëgjosh deputete gra që kërkojnë ndryshimin e sistemit që jep garancitë më të mira për përfaqësimin e tyre.

Sistemi proporcional rajonal garanton një lidhje më të mirë të pushtetit vendor me pushtetin qendror. (Votuesit kerkojnë deputetet nga qarku i tyre dhe nuk pëlqejnë deputetët turistë)
Sistemi garanton stabilitet qeverisës dhe zvogëlon në maksimum mundësinë për kriza politike. Jo. Nuk duam “stabilokraci”, duam kriza se përmes krizash garantojmë që humbësi asnjëherë nuk jep dorëheqje dhe fituesi nuk e mendon kurrë jetën në opozitë. Nuk është faji i sistemit as për korrupsionin dhe as për keqeverisjen!

Sistemi (zgjedhor) në 2008 u ndryshua nga frika e individëve me xhepa të thellë dhe muskuj të fortë. A mos vallë ligji ka qepur xhepat e këtyre tipave dhe institucionet janë bërë aq të forta sa muskujt e “muskutjerëve” janë fishkur?!!

Si zgjidhje ideale kundër sistemit aktual përmenden listat e hapura. Kjo zgjidhje garanton që hapjen kutive nuk do t’a kërkojë më kundërshtari, por shoku/shoqja e partisë.
A është faji i sistemit zgjedhor që partitë politike janë kthyer në parti sulltanësh?!

A është faji i sistemit zgjedhor që partitë politike nuk respektojnë nenin 9 të kushtetutës për transparencën financiare?

A është faji i sistemti zgjedhor që partitë janë kthyer në institucionet më të fuqishme dhe më të papërgjegjshme para ligjit?

Nëse është faji i sistemit hajde ta kryqëzojmë.

Një proverb thotë: “ruaju nga ajo që dëshiron”!

Para se të këndojmë në kor këngën e ndryshimit të sistemit duhet të mendojmë kë të fajësojmë më pas kur të biem nga shiu në breshër?!

Rrënjët, degët, frutat dhe zgjidhja e krizës duhen kërkuar tek shkaqet dhe te shkaktarët!

Nëse nuk ndalim vrapin që kemi nisur do të rrezikojmë që shumë shpejt të ngremë gishtin e akuzës ndaj atyre që sot kërkojnë ndryshimin e sistemit.

Share: