Një lojë e rrezikshme

Analizë Opinion

Nga Imer Mushkolaj

Është ashpërsuar në diskursin publik gjuha e kontaminuar me fyerje, sharje, thirrje për linç e eleminim fizik. Njoftimi i Prokurorisë së Hagës për aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK’së ka bërë që njerëz të ndryshëm, ndër të cilët edhe zyrtar partish politike dhe njerëz që kanë mbajtur poste publike, t’i japin vetes të drejtë të sulmojnë të gjithë ata, me mendimet dhe qëndrimet e të cilëve nuk pajtohen.

Nga rrjetet sociale gjuha e urrejtjes, gjuha linçuese është bartur në studio televizive dhe anasjelltas, duke bërë që emra të përveçëm të etiketohen si spiunë e tradhtarë, si hajna e udbashë, si “gropa septike serbe që duhet të mbyllen me beton” e çka jo tjetër. Gjithë kjo po ndodh në një situatë mjaft të tensionuar, në të cilën nuk prajnë akuzat dhe kundërakuzat për gjithçka që lidhet me luftën e pasluftën, me pretendimet për bëmat e njerëzve të caktuar.

Jo se një gjuhë e tillë kontaminuese ka munguar deri tash, por ditët e fundit, në emër të patriotizmit njerëzit linçohen publikisht dhe bëhet thirrje që ata të eleminohen. Gjithçka ndodh në një shoqëri që veten e quan demokratike, në një shtet institucionet përkatëse të të cilit do të duhej të reagonin shpejt në të tilla situata, në një vend ku me kushetutë e ligje është e garantuar liria e shprehjes dhe mendimi ndryshe.

Por, kështu nuk mendonjë ata që mendja ua thotë se janë pronarë të së vërtetës, ata që mendja ua thotë se janë të denjë për të lëshuar certifikata patriotizmi, ata që duan ta marrin drejtësinë dhe ligjin në duart e veta, ata që nuk frikësohen se mund të ndëshkohen pse veprojnë në këtë mënyrë.

Sot, në Kosovë, dikush mund të thotë për dikë se është tradhtar, madje edhe në studio televizive dhe gjithçka të kalojë thua se nuk ka ndodhur asgjë. Sot dikush mund ta etiketojë dikë, madje një komunitet të tërë me shprehje të papranueshme dhe sërish njësoj. Për Kuvendin nuk ia vlen as të flitet. Për vite me radhë, salla e institucionit më të lartë përfaqësues është shndërruar në arenë akuzash e etiketimesh nga më të rëndat, pa pasur frikë se ligji mund të veprojë edhe ndaj atyre që i miratojnë ligjet.

* * *

Se çfarë kush ka bërë në luftë e pas saj duhet të vërtetohet nga drejtësia. Nuk ka nevojë për kurrfarë paragjykimesh, as spekulimesh. Në qoftë se për vite të tëra kemi dëgjuar klasën politike dhe jo vetëm se në Kosovë po ndërtojnë një shtet të së drejtës, shtet të barabartë për të gjithë, shtet në të cilin kultivohet e drejta për shprehje e mendim të lirë, atëherë si është e mundur të lejohet një diskurs i tillë i rrezikshëm, pasojat e të cilit mund të bien mbi ata që shënjestrohen?

Askush që pretendon ta mbrojë në rrjete sociale a media një individ a organizatë të caktuar, nuk mund ta bëjë këtë më mirë se vetë ata, të cilëve të tillët iu vihen në mbrojtje. Shumë nga këta kontaminues të sferës publike nuk e kanë hallin e atyre që pretendojnë t’i mbrojnë, sa e kanë hallin e vetes, hallin e përfitimeve të veta. Sepse, me një hulumtim të vogël në rrjetet sociale secili mund ta vërejë se pas një logoje a shprehjeje me motive patriotike, mund të fshihen të tjera motive. Aso që zakonisht lidhen me interesa e përfitime personale, e aspak me çështje parimore.

Plot nga ata që shfaqen patriotë të flaktë në rrjete sociale nuk janë gjë tjetër përveç përkrahës të flaktë partish e liderësh politikë të cilët, nëse nuk kanë përfituar ende asgjë nga militantizmi partiak, shpresojnë të fitojnë në të ardhmen. Dhe të tjerë që kanë përfituar dhe përpiqen t’i mbrojnë ato që i kanë.

Të bësh thirrje për eleminim të njerëzve që nuk mendojnë si ti, siç janë politikanët, gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile e publicistët, thënë më së buti është marrëzi. Thënë më së drejti është vepër penale që duhet ndëshkuar sipas ligjit. Më saktë, do të duhej ndëshkuar sipas ligjit, të cilin do të duhej ta zbatonin institucionet e drejtësisë, që nuk do të duhej të ishin të kapura nga politika. Por, kjo nuk është Kosova.

* * *

Nëse institucionet përkatëse nuk reagojnë menjëherë, ekziston rreziku që situata të përkeqësohet. Kush siguron se dikujt nuk i teket që të ndërmarrë edhe hapa më radikalë dhe urrejtjen e promovuar në media e rrjete sociale ta zbatojë në praktikë? Shoqëria dhe institucionet nuk duhet të dorëzohen përballë të tillëve.

Share: