Nga Urim Tusku
Fitorja e zgjedhjeve nga lëvizja “Vetëvendosje” ishte një surprizë e bukur për gjithkënd që priste një ndryshim të establishmentit politik në Kosovë. Ajo ka vetëm një person, i cili e ngriti nga hiçi një lëvizje politike, duke ecur nëpër një rruge radikale, me një kundërvënie të ashpër ndaj ndërkombëtarëve dhe me forcë mbronte mendimin që Kosova duhet të vendosë vetë, ai ishte Albin Kurti.
Lëvizja e themeluar prej tij, artikuloi dhe vuri në jetë aksione që në pamje të parë ngjanin si guerile, por ishte mjeti që kishte zgjedhur për t’u faktorizuar në politikën e Kosovës. Kjo mënyrë e të sjellurit në skenën politike, do të ishte e njëjtë për Albinin, madje duke paguar edhe kosto të lartë, ndaj antipatisë ndërkombëtare, që përherë e shihnin atë si problem për Kosovën. Kjo lëvizje nuk u step asnjë moment nga mjetet që kishte zgjedhur për t’u bërë faktor në politikën kosovare. Kjo mund të jetë nga ato raste, ku zë vend parimi, që për të arritur qëllimin përdoren të gjitha mjetet.
Albini vetë kishte një vizion, të cilin e shpaloste sa herë i jepej mundësia, por njëkohësisht duke e ndërthurur edhe me aksione, kjo e bënte të fitonte simpatinë e atyre individëve që ndiheshin të nëpërkëmbur nga një pushtet që herë-herë demonstronte prepotencë.
“Vetëvendosja” filloi të rritet çdo ditë e më tepër, kjo në sajë të artikulimit bindës që përdorte lideri i saj, me një konsekuencë të admirueshme. Ajo ngjalli simpati të madhe tek shqiptarët e diasporës, që nuk u kursyen aspak në donacione. Shtigjet e tjera ishin disi të mbyllura, fjala vjen për mediat, që lëvizja të kishte mundësinë t’i fliste qytetareve e të shpaloste programin e saj. Me rritjen e peshës së saj, interesimi i medias erdhi vetë, sepse ishte kjo lëvizje që prodhonte ngjarje.
Përveç meritës së padiskutueshme dhe tiparit karizmatik që demonstronte drejtuesi i saj, sistemi i erdhi shumë në ndihmë që këto ide të mos asfiksoheshin, por të përktheheshin në vota. Pas disa vitesh ekzistencë si lëvizje, “Vetëvendosja” u shndërrua në parti politike. Ajo mori pjesë në zgjedhje, duke marrë një rezultat spektakolar, duke përmbysur pritshmëritë e atyre që e kishin nënvleftësuar. Që nga ai moment, elektorati i kësaj partie ka ardhur në rritje, çka bëri që një pjesë e mirë e opinionit ta kthejë vëmendjen tek kjo parti.
Hyrja e Vetëvendosjes në parlament, ishte një vend tjetër ku ajo do të ndërthurte aksionin e saj, duke denoncuar korrupsionin e duke ndjekur hapa radikalë, deri në përdorimin e gazit në parlament, për të ndaluar vendimmarrje të cilat në gjykimin e tyre, binin ndesh me interesat e popullit të Kosovës. Qëndrimet e tyre shpeshherë janë shpërfillur në rastin më të mirë, dhe janë anatemuar në rastin më të keq.
Klasa politike, e cila vinte nga lufta, nuk ndihej aspak e rrezikuar, madje i përçmonte qëndrimet e Vetëvendosjes. Lideri i lëvizjes, i printe një aksioni, që kishte për synim të denonconte elementet korruptive të kastës drejtuese, por njëkohësisht edhe duke paraqitur alternativa se si dilej nga kolapsi.
Albini ka meritën, që asnjëherë nuk u josh nga gjëra të vogla. Ai i qëndroi tundimit për të mos u bërë pjesë e asnjë kabineti qeveritar, pavarësisht se ofertat kohët e fundit kanë qenë të shumta. Qëllimet e tij ishin më të mëdha, se sa përllogaritje momentale. Ambiciet e tij ishin më të mëdha, dhe për këtë i derdhi të gjitha energjitë e veta.
Nuk duhet nënvleftësuar edhe vendi ku zuri rrënjë filozofia e tij politike, se po të ishte në Shqipëri, do kishte dy rrugë, o do ishte bërë pjesë e sistemit, duke i marrë të mirat, ose do kishte dalë me kohë nga skena politike.
Fizionomia shoqërore, në të cilën lindi, u rrit dhe fitoi zgjedhjet “Vetëvendosja”, ishte favorizuese për të. Po ashtu edhe sistemi zgjedhor, askush nuk ka pasur ndonjëherë drojën se i vjedhin votat. Kjo është një meritë e shtetit të Kosovës, ku krahasuar me Shqipërinë, duhet marrë si leksion.
Kjo fitore e Vetëvendosjes është një shpresë për të gjithë, për ata në Kosovë, por edhe për ne në Shqipëri. Pas fitores së tij, e gjitha politika shqiptare ngjan e vjetëruar dhe e stërkonsumuar. Ajo është varfëruar nga idetë. Artikulimet e klasës politike shqiptare nuk shkojnë dot përtej diskutimit pafund për reformën zgjedhore dhe kur sërish kur bëhen zgjedhjet pala humbëse akuzon palën fituese.
Fitorja e Vetëvendosjes, është një shkundje për shoqërinë shqiptare, sepse kur të sheh artikulimin plot vizion të Albinit dhe varfërinë e politikanëve shqiptare, natyrshëm do kërkojë politikan të asaj përmase. Dhe atëherë ngrehina e mediokritetit bie vetvetiu. Sot i “erdhi dita” Albinit të drejtojë Kosovën. Por edhe për politikën shqiptare “vjen një ditë”.