Nga Enver Robelli
Shënime në kohën e pandemisë: Mbi pacientët e Kosovës në spitalet e Beogradit dhe diçka për “testet serbe” të koronavirusit.
Një deputet sot i ra alarmit. Mediat e cituan me këto fjalë deputetin Ali B.: “Ministrisë së Shëndetësisë po i bie maska, na poshtëroi duke pranuar teste dhuratë nga Serbia”. Mirë, i nderuar deputet, po e pranojmë që Lëvizja Vetëvendosje e “poshtëroi Kosovën” (citat nga fjala juaj, zoti deputet i partisë me shkurtesë me tri shkronja). E “poshtëroi”, sipas jush, sepse i pranoi disa teste nga Serbia për koronavirus.
Menjëherë duhet thënë këtë: bashkëpunimi me autoritetet serbe edhe në kohën e pandemisë është delikat për Vetëvendosjen si parti që me vite të tëra ka thënë se do të ndërtojë një “Mur Kinez” mes Serbisë dhe Kosovës dhe shef i pikës kufitare në Jarinje do të emërohet ndonjëri nga këta aktivistët e sertë të VV-së nga Tirana, i cili do të zgjohet çdo ditë në orën 04:45 për ta hekurosur flamurin kombëtar, kuq e zi, me shkabën dykrerëshe, dhe do ta pastrojë tabelën me mbishkrimin “Mirë se vini në Shqipëri”.
Kur ka qenë në opozitë edhe VV shpesh i ka hipur kalit mbrapsht. (Ose gomarit). Bile kur shefi i partisë me shkurtesën me tri shkronja, pra shefi juaj, zoti deputet, njëherë në Kuvendin e Kosovës i shërbente – me gjasë – me raki kolegët e tij dhe të VV-së, edhe disa liderë të VV-së e kapën gotën.
Por, zoti deputet i partisë me shkurtesë me tri shkronja, a bën t’ju pyesim:
– A është poshtërim i Kosovës trajtimi i pacientëve nga Kosova në spitalin e Beogradit? (Mijëra e mijëra pacientë nga Kosova që nga viti 1999, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 2008 vërshojnë Beogradin për t’u shëruar. Në oborrin e Qendrës Urgjente të Spitalit të Beogradit nganjëherë ta merr mendja se je në pazar të Prishtinës).
– Zoti deputet, a nuk është ky poshtërim? (Zoti deputet, shqiptarët e Kosovës po trajtohen në Beograd për shkak se partitë që kanë qeverisur Kosovën nga viti 1999 kanë dështuar të ndërtojnë një sistem deri diku të pranueshëm shëndetësor në Kosovë).
– A nuk është poshtërim, zoti deputet, që në Kosovë kanë marrë tenderë shefat e nëntokës serbe në veri të vendit?
– A nuk është poshtërim, zoti deputet, që partitë e “krahut të luftës” e kanë vjedhur aq shumë Kosovën, saqë sot gjen punëtorë ndërtimtarie nga Kosova edhe në kantieret e Beogradit?
– A nuk është poshtërim, zoti deputet, që shefi juaj është takuar me Millan Radojçiqin?
– Zoti deputet, Millan Radojçiqi është shef i bandave në veri të Kosovës. Shefi i partisë me shkurtesën me tri shkronja, pra shefi juaj, zoti deputet, është kacafytur në mënyrë verbale me kryetarin e shtetit (të Kosovës) se cili e ka më jaran Millan Radojçiqin.
Zoti deputet, mund ta shani, mallkoni, etiketoni Lëvizjen Vetëvendosje, por mos harroni që kjo parti e ka marrë pushtetin para afër 70 ditësh. Për mbi 7000 ditë në të kaluarën pushtetin e kanë pasur PDK, LDK, AAK… A bartin këto parti pak përgjegjësi për gjendjen në sektorin e shëndetësisë? Pse ende qytetarët e Kosovës, nga Peja në Kamenicë, për një injeksion shkojnë në Shkup, Tiranë apo Beograd?
Që Kosova nuk ka sistem shëndetësor të mirë, ky nuk është faji i Lëvizjes Vetëvendosje. Do të jetë faj i VV-së nëse pas 4 vitesh në pushtet ajo nuk do ta përmirësojë gjendjen në sistemin shëndetësor. Nëse do të korruptohet. Nëse do të bëhet parti si PDK, AAK, LDK. Tani për tani nuk është e tillë. Mund të bëjë VV gabime në qeverisje, por nuk është si partitë që e kanë shndërruar Kosovën në një vatër të vjedhjes së parasë publike.
Rrjedhimisht, llafet tuaja, zoti deputet, janë llafe: të kota, toksike, banale, qesharake. Para se të kritikoni, zoti deputet, merruni me oligarkët e partisë suaj dhe të afërt me partinë tuaj që mbulojnë Kosovën me prodhime serbe që nga viti 1999. Para se të kritikoni, distancohuni nga bandat serbe në veri të Kosovës. Para se të kritikoni, jepni një kontribut për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Do të gëzoheshin edhe ata kosovarë që presin për trajtim në spitalet e Beogradit. Ata kanë shkuar në Beograd për shkak se partitë që kanë sunduar Kosovën nga viti 1999 i kanë dërguar ata në Beograd.
Mediat primitive serbe para disa viteve patën alarmuar opinionin se në sallatën serbe ka depërtuar domatja shqiptare. Nga Republika e Shqipërisë. Edhe alarmi juaj, zoti deputet, është i kësaj kategorie. Por, mos u bëni merak, zoti deputet: ka të tjerë që ua kalojnë. Në vitin 2018 një djalë serb i sëmurë rëndë nga veshka, shkroi në Twitter se kurrë nuk do të pranonte një veshkë të një homoseksuali./koha.net