Politika monetare dhe aventurat buxhetore

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

Një ekip vlerësuesish i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi një vizitë në distancë në Shqipëri. Në bazë të nenit 4 të marrëveshjes së vendit tonë me Fondin, FMN-ja dërgon herë pas here (çdo katër ose gjashtë muaj) ekspertë për të matur “temperaturën” e ekonomisë sonë. Ndërsa veprimet me lekun nga banka jonë qendrore morën vlerësime “Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë mbetet e përshtatshme. Vijimi i fleksibilitetit në kursin e këmbimit do të ndihmojë në amortizimin e goditjeve dhe në rivendosjen e bilancit të jashtëm. Pandemia e gjeti sistemin bankar në përgjithësi likuid dhe të kapitalizuar mirë… Ne mbështesim ristrukturimin e matur të kredive aty ku është e nevojshme për ato sektorë dhe biznese që janë prekur nga goditjet”, veprimet e qeverisë me të ardhurat për Buxhetin e Shtetit sollën shqetësime te vlerësuesit: “Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH-në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë. Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm… Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë gërryen bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore”, (deklarata për shtyp e FMN-së, Uashington, 1 korrik 2020, https://www.imf.org/en/News/Articles/2020/07/01/pr20252-albania-imf-staff-concludes-a-remote-staff-visit).

 

 

 

 

FMN-ja qorton edhe nismën për amnistinë fiskale, por dihet botërisht kundërshtimi i këtij institucioni ndërkombëtar ndaj amnistive në vendet në zhvillim, me administratë të dobët tatimore. Ky vëzhgues i besueshëm financiar ndërkombëtar nuk u shpreh për nismat e fundit të qeverisë në investime me paratë e taksapaguesve tanë. Në kushte normale, tuneli i Llogarasë, hidrocentrali i Skavicës dhe By-Pass-i(rreth-rrotullimi) i Vlorës do të ishin përshëndetur nga të gjithë, pse do të ndihmonin ekonominë tonë në rritjen ekonomike. Ndoshta shumë më pak do të përshëndeteshin 1.2 miliardë eurot për tenderin e boshtit rrugor Milot-Fier 115 km të gjatë, të propozuara nga një studim leverdishmërie, që ende qeveria nuk na e ka qartësuar kush e ka bërë. Kjo, sepse nuk kuptohet do ta paguajë privatin qeveria jonë nga paratë e taksapaguesve, apo do të nisë të marrë paratë privati me rrugë të mbaruar, kur të fillojmë ne të paguajmë nga 10 mijë lekë të vjetra sa herë do ta përshkruajmë. Mirëpo ne nuk jemi në kushte normale. Jemi në kushte krize dhe krize të rëndë, të shkaktuar nga pandemia. Buxhetit tonë të Shtetit rrezikohet t’i mungojnë të paktën 600 milionë euro më pak të ardhura nga taksat (ato në vit normal janë rreth 2.4 miliardë euro), për shkak të qëndrimit dy muaj e gjysmë mbyllur brenda dhe uljes së fortë të konsumit. Ne nuk e kemi luksin të rëndojmë pagesat e koncesioneve dhe PPP-ve të deritanishme (janë 120 milionë euro në vit), me pagesa për punë të tjera publike, të financuara drejt për së drejti nga taksat tona. Ne e kemi të domosdoshme të ndihmojmë sektorin tonë të prodhimit me material porositësi (prodhim veshjesh dhe këpucësh). Janë 700 fabrika të mëdha dhe të vogla aktive në këtë sektor. 40 për qind të eksporteve tona (janë në total mbi 2 miliardë euro në vit që eksportojmë) përbëhen nga produkte të veshjeve dhe këpucëve. Pra, mbi 800 milionë euro në vit. Shumica e këtyre fabrikave prodhuese po punon sot për mbijetesë. Ky sektor punëson 70 mijë veta dhe siguron ushqim për mbi 56 mijë familje. Përgjegjësia kryesore është që këtyre familjeve t’u sigurohet vendi i punës sot dhe në të ardhmen. Nëse eksportet në total te ne ranë me një të tretën në periudhën prill-qershor 2020, eksportet e këtyre 700 ndërmarrjeve ranë me 60 për qind. Kjo ka shkaktuar një humbje mbi 130 milionë euro për sektorin, në stoqe të pashitura (kontrata të bllokuara ose të parealizuara) dhe në prodhim të munguar. Ne, me paratë e Buxhetit duhet të sigurojmë së pari sektorët kryesorë ku mbahemi që përpunimi bujqësor, produktet e freskëta të bujqësisë për shitje të brendshme dhe eksport, turizmi dhe fasoni të vijojnë të prodhojnë dhe shërbejnë. Pastaj të shikojmë punët e mëdha publike. Ky vit, me borxhin publik që mund të arrijë 11 miliardë euro (80 për qind të produktit kombëtar), nuk na jep luksin të angazhohemi kaq fort në investime që arrijnë edhe 900 milionë euro së bashku, me ekspozim të plotë të rrezikut që këto investime të paguhen në pjesën më të madhe nga Buxheti i Shtetit. Një rrezik kaq i lartë i kthen këto investime, që në një kohë tjetër mund të ishin shumë efektive, në aventura për buxhetin e sotëm tejet të brishtë të shtetit.

 

Share: