Robert Redford: Kinemaja, një art që e kritikon dhe e mban të ndershme shoqërinë njerëzore

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë Sociale

Robert Redford, aktori, regjisori producenti amerikan, njëherazi themelues i Festivalit të filmit Sundance, ka dalë teknikisht në pension. Megjithatë, 83-vjeçari vazhdon të angazhohet kryesisht si regjizor nëpër dokumentare dhe filma të ndryshëm të realizuar pa bashkëpunimin

e kompanive të mëdha. Në këtë intervistë, Redford flet për fillimet e tij në kinema, ndikimet, angazhimin politik, dhe këshillat që ai ka për kineastët e rinj.

Cili ka qenë filmi i parë që keni parë?

Ishte një film i “Walt Disney”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore unë isha i vogël, dhe atëherë nuk kishte televizion por vetëm radio. Ndaj mezi prisja fundjavën, që të shkoja në kinemanë e lagjes për të parë ndonjë film. Ajo që më mungon sot me gjithë përparimin teknologjik që e ka bërë më të lehtë shikimin e filmave, është koha kur t’i shkoje në kinema dhe uleshe në errësirë bashkë ​​me shumë të tjerë. Dritat fikeshin, dhe mund të ndjeje se në ekranin e madh po ndodhte një magji e vërtetë, por mund të ndjeje edhe energjinë e njerëzve përreth. Sot kjo ndjesi është zbehur shumë.

Pse u bëtë aktor?

Ideja e të qenit aktor, ishte pasja e një ndjeje të lirisë. Ti ishte i lirë të ishe ai që doje, të aktroje si dikush tjetër, gjithnjë nëse do t’i kushtoje vëmendje njerëzve përreth. Ky profesion të jep shansin të bëhesh artist, pasi aktrimi është një formë arti. Ke shansin të thuash “Unë e njoh këtë person, e kam parë më herët, dhe dua që ta paraqes para të gjithëve”.

Si i shihni 50 vitet e punës tuaj në kinema?

Pesëdhjetë vjet? Ka zgjatur kaq shumë? Uau. Më duhet të reflektoj mbi këtë gjë.

Nuk e ktheni kurrë kokën pas nga e kaluara?

Mendoj se kam parë gjithmonë përpara, ndaj s’kam harxhuar shumë kohë duke menduar për të kaluarën, përveç rastit kur kjo e fundit ka ndonjë vlerë. Unë kam pasur gjithnjë një dobësi për shkrimtarin F.Skot Ficxherald, dhe kam patur kënaqësinë të luaja në filmin “The Great Gatsby” (Getsbi i Madh). Në atë film Nik Kerëuej, që ishte një mentor i Getsbit, sheh që ky i fundit ishte

i fiksuar pas gjërave të së kaluarës, dashurisë së tij ndaj Deizit.

Getsbi organizon një festë të madhe, dhe është në fakt i interesuar mbi atë që do të vijë, dhe i thotë më pas Kerëuejit, “Unë mendoj se të gjithë ia kanë kaluar mirë, apo jo?”. Dhe Kerëuej përgjigjet:“Po Getsbi, por nuk mund ta përsërisësh dot të kaluarën”. Getsbi ia kthen “Ti nuk mund ta përsërisësh dot të shkuarën? Natyrisht, që unë mundem”. Më pëlqen shumë ai episod.

Cilët janë shkrimtarët e tjerë që ju pëlqen të lexoni?

Kam qenë një lexues i thekur i Heminguejit, por edhe i Xh.D.Salinger.

Çfarë mendoni aktualisht mbi situatën në SHBA?

Kur mendoj mbi vendin tim, është e vështirë të mos jem kritik. Unë jam rritur në fund të luftës, dhe e kujtoj shumë mirë energjinë që kishte atëherë. Kur isha 5 apo 6 vjeç, që të gjithë u angazhuan për të mbledhur para, dhe për të sakrifikuar mbi të mirën më të madhe, që ishte lufta ndaj fashizmit në pjesë të tjera të botës, ndaj Gjermaninë naziste. Kësisoj, që të gjithë u bëmë bashkë për të ruajtur lirinë tonë. Unë sigurisht që nuk e kuptoja se për çfarë bëhej fjalë, por më dukej se ishte për të mirën e vendit tonë.

Ndërsa tani po jetojmë në kohë të errëta…

Unë mendoj se kjo është ndoshta shumë e qartë për cilindo që lexon lajmet. Me siguri sot SHBA-ja po përjeton kohë të errëta. Unë shoh që disa nga liritë me të cilat jam rritur, po kërcënohen nga egoizmi i të gjithëpushtetshmëve, nga të menduarit në mënyrë njëdimensionale, tek njerëz të papërvojë që drejtojnë, apo njerëz që ngjiten në pushtet. Unë ndoshta nuk do të jem në gjendje të kthehem në vendin tim që njihja dikur!

Kur u interesuat për herë të parë mbi politikën?

Kur isha i ri, nuk isha shumë i sofistikuar. Kur u bëra adoleshent po ndodhte Lufta e Vietnamit. Ajo ndikoi shumë në jetën time. Gjithçka po ndryshonte, por unë isha shumë i fiksuar pas karrierës time. Doja të krijoja art, dhe e neglizhoja politikën. Kur u futa në artin e krijimit të filmit, kuptova rolin që arti mund të luante në shoqëri. Arti e kritikon shoqërinë. Ai na mban të ndershëm.

Çfarë qasje patët kur u bëtë regjizor?

Më kujtohet se arrita në përfundimin se si do të doja ta përdorja kamerën, kur pashë një dokumentar të D.A.Penbejker dhe ekipit të tij të kineastëve. Ata prezantuan idenë se në vend që të mbetesh jashtë, duhet të futesh brenda dhe të jesh pjesë e aksionit, duke e dëshmuar filmin si një vëzhgues. Kjo më bëri shumë përshtypje, pasi është shumë më aktive, dhe t’i nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Këtë qasje përdora në filmat “The Candidate”, “Downhill Racer”, apo në disa nga filmat e mi të hershëm.

Kush është më e lehtë, aktrimi apo regjia?

Për mua të qenit regjizor, kishte të bënte me kontrollin. Unë isha aktor, kisha punuar me disa regjisorë të mire, dhe disa regjisorë jo dhe aq të mirë. Por ndjeva se kishte një pjesë timen, që nuk po e përdorja. Doja më shumë një zë mbi mënyrën se si krijohet një film, dhe mënyra e vetme ishte të drejtoja realizimin e tij. Mendoj se regjia për mua u bë më e lehtë, pasi isha artist para se të bëhesha aktor. Forma ime e artit, ishte të udhëtoja anembanë, të ulesha nëpër bare dhe kafene, dhe të nisja të skicoja fytyrat e njerëzve që shihja përreth.

Bëni ende skica të tilla?

Tani unë jam në një lloj pensioni në raport me filmin. Jam marrë me to për 50 vjet të jetës sime. Jo se nuk jam krenar për atë që kam bërë, por në këtë periudhë ndihesh sikur dëshiron diçka të freskët. Prandaj jam rikthyer atje ku e kam nisur:skicat dhe vizatimet. Problemi i vetëm me daljen në pension, është se t’i nuk duhet ta shpallësh kurrë atë.

Ju keni drejtuar 9 filma artistikë. A do të vazhdoni të realizoni edhe filma të tjerë si regjizor?

Nuk mund t’i përgjigjem me saktësi kësaj pyetje. Nuk i dihet. Kam pasur një projekt mbi një temë shumë interesante, por nuk e kam vendosur nëse do ta vë në jetë. Quhet “Pallati Lindor109”, që i referohet një adrese në Los Alamos, Nju Meksiko ku u zhvillua bomba atomike, dhe ku Openhajmer ishte shkencëtari kryesor.

E dua këtë histori, pasi djaloshi ishte një hero kur shpiku bombën atomike në vitet 1940, por kur zbulua se kishte komunist në rininë e tij, u cilësua si një tradhtar. Kjo ndodhi gjatë periudhës Makartiane të viteve 1950, dhe tregon se si hera-herës gjërat mund të përmbysen. Por ndoshta mund të jem vetëm producent.

Cilët regjizorë kanë ndikuar më shumë tek ju?

Sidnej Pollak dhe Xhorxh Hill. Si aktor është shumë e rëndësishme që t’i bindesh udhëzimeve të regjisorit.

A jeni lodhur duke u konsideruar një yll i Hollivudit, kur keni punuar kryesisht në kinemanë e pavarur?

Ky është tregues i një mënyrë të cekët të menduari, pasi unë nuk jam aktor i Hollivudit. Unë u rrita në Los Angeles, duke dashuruar “Walt Disney”, por nuk i kushtova kurrë vëmendje diçkaje të quajtur Hollivud. Doja të isha një aktor serioz në teatër, doja të jetoja në Nju Jork, ndaj u largova nga Los Angelesi që në moshë të re. Pata sukses në dy shfaqje në Broduej, ndaj isha një aktor nga Nju Jorku, që erdha në Hollivud për të bërë filma.

Çfarë synimesh kishit kur themeluat Institutin Sundance dhe Festivalin e Filmit Sundance?

Qëllimi ishte shumë i thjeshtë:të bëja të njohur njerëzit që nuk janë të tillë, të cilët injorohen ose nuk zbulohen, por që meritojnë të zbulohen për talentin që kanë. Kur ngrita institutin kishte disa kompani filmike të pavarura, por ato nuk kishin shumë sukses. Nuk kishte asnjë kategori të vërtetë të quajtur ‘film i pavarur’.

Edhe pse kam qenë një aktor që ka punuar me kompanitë tradicionale, unë kam qenë gjithnjë i interesuar për pikëpamjen alternative, mbi idenë e pavarësisë, për të mos qenë i detyruar të jem ky apo ai, që të jem i lirë, të jem ai që kam dashur gjithmonë.

Ndaj themelova Institutin Sundance për të mbështetur kineastët e pavarur, për të krijuar një mekanizëm që do të ndihmonte në zhvillimin e historive dhe aftësive të tyre. Kjo çoi në Festivalin Sundance, që është i fokusuar kryesisht tek filmi i pavarur.

Si e përcaktoni një jetë të suksesshme?

Suksesi është një gjë e ndërlikuar. Për disa njerëz është një gjë, për të tjerë diçka tjetër. Kështu që është e vështirë të përcaktohet si një gjë e vetme.

A bëni kompromise?

Jam i sigurt që ndonjëherë kam bërë. Dikur kam qenë shumë i prerë për të mos pranuar kompromise, por në një moment ti e kupton që nëse nuk pranon të bësh kompromise, kjo do të thotë se po bëhesh gjithnjë e më shumë mendjengushtë. Kësisoj ka ndoshta ka raste kur duhet

ta mbaj mendjen e hapur.

Çfarë këshillash keni për aktorët dhe kineastët e rinj?

Që t’i kushtojnë vëmendje botës përreth tyre, dhe të shmangin një pikëpamje të ngushtë mbi gjërat. / Në shqip nga bota.al

Share: