Pranon mandatin një tjetër kandidat nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nimet Musai ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, formularin e vetëdeklarimit, që është hapi kryesor drejt pranimit të mandatit.
Pas verifikimit të formularit, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, KQZ do t’i japë mandatin e deputetit për të bërë më tej betimin në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu, mësohet se Nimet Musai ka dhënë edhe dorëheqjen nga Këshilli bashkiak në Bashkinë e Fierit, ku ishte këshilltar nga radhët e LSI-së.
Deri më tani, bashkë me Nimet Musain, në Kuvendin e Shqipërisë opozita e re parlamentare pas dorëheqjes së PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë, shkon në 16 deputetë.
11 kandidatë janë betuar në dy seancat e shkuara, tre deputetë, Mylsim Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari nuk hoqën dorë nga mandati, ndërsa më herët ka dorëzuar formularin në KQZ edhe kandidati i LSI-së në qarkun e Tiranës.
KQZ do të thërrasë të gjithë kandidatët në listat zgjedhore të PD dhe LSI në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, deri në shterimin e tyre. Nga momenti i njoftimit nga KQZ, kandidatët kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, nëse duan që të pranojnë mandatin. Në të kundërt, ata skualifikohen dhe thërritet i radhës.