Shembet Teatri Kombëtar. Forca të shumta policie rrethuan gjatë natës Teatrin, ndërsa fadromat nisën shembjen e tij me gjithë kundërshtimet dhe protestat e artistëve.
Policia ka përdorur forcën për të larguar artistët dhe qytetarët e po kështu ka hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Njëkohësisht janë shoqëruar disa prej tyre si aktori Neritan Licaj, Astrit Seranaj, Juli Emiri, Artan Manushaqe.
Policia shoqëroi edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, por është lënë e lirë më pas.
Sic duket nga pamjet e siguruara nga “BalkanWeb”, shembja ka nisur të kryhet nga pjesa ballore e Teatrit Eksperimental, ndërsa më pas është shembur edhe godina e Teatrit Kombëtar.
Kujtojmë se artistët dhe shoqëria civile të mbështetur nga opozita kanë protestuar prej gati dy vjetësh kundër shembjes së Teatrit Kombëtar duke denoncuar si një aferë korruptive qëllimet e qeverisë për prishjen e tij. Pasi nuk u arrit dot shembja e godinës me vendimet e parlamentit, qeveria ia kaloi truallin e Teatrit në pronësi Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë dhe ndërkohë që vendi është në gjendje të fatkeqësisë natyrore. Më pas Këshilli Bashkiak vendosi shembjen e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që komuniteti i artistëve dhe Aleanca për mbrojtjen e Teatrit denoncoi në prokurori zyrtarë të Institutit të Ndërtimit pasi sipas tyre kishin firmosur fiktivisht aktekspertimin për gjendjen e godinës së TK, në të cilin është bazuar dhe vendimi i Bashkisë për ta shembur.
Kujtojmë se Presidenti i Republikës Ilir Meta gjithashtu është shprehur kundër shembjes dhe ka dorëzuar dy padi në Gjykatën Kushtetuese.