Merkel: Rihapja e Gjermanisë do të ketë “frena emergjence”, në rast se rikthehet Covid-19

Kryesore Rajon/Botë Sociale

Kancelarja Angela Merkel njoftoi të mërkurën hapat që do ndërrmerren për të lehtësuar masat e bllokimit të koronavirusit në Gjermani, por në të njëjtën kohë prezantoi një mekanizëm të quajtur “frena emergjence”, që vendos kufizime në rast se numri i infeksioneve fillon e rritet përsëri.

Duke shpallur fundin e fazës së parë të pandemisë në Gjermani, Merkel tha se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në betejën kundër virusit, i cili ka gjunjëzuar ekonominë më të madhe të Evropës. Qeveria do të vendosë për një paketë stimulimi ekonomik në qershor, tha Merkel.

Gjermania hyri në bllokim total në mars për të izoluar përhapjen e koronavirusit. Shkalla e infeksionit ka disa ditë që është në rënie, dhe Merkel tha se tani ishte vazhdimisht nën 1 – domethënë një person me virus infekton më pak se një tjetër mesatarisht.

“Ne jemi në një pikë ku qëllimi ynë për të ngadalësuar përhapjen e virusit është arritur dhe kemi qenë në gjendje të mbrojmë sistemin tonë shëndetësor … kështu e kemi pasur të mundur të diskutojmë, si dhe të biem dakord për masat lehtësuese të mëtejshme”, tha Merkel për gazetarët.

Sipas masave të dakordësuara me 16 udhëheqësit e shtetit federal të Gjermanisë, më shumë dyqane do të hapen, me kusht që të ndërrmeren masat higjienike. Por udhëzimet që personat të mbajnë një distancë prej 1.5 metrash nga njëri-tjetri dhe të mbajnë maska ​​kur udhëtojnë me transportin publik, do të mbeten në fuqi. Bundesliga e Gjermanisë mund të rifillojë në gjysmën e dytë të majit, tha Merkel.

Shkollat ​​do të fillojnë gradualisht dhe kujdesi për fëmijët sidomos në kopshte do të zgjerohet, me detaje specifike që do të rregullohen nga secili shtet. Plani  përfshin një “frenë emergjence”, nën të cilën kufizimet do të rivendoseshin nëse një zonë regjistron më shumë se 50 infeksione të reja për 100,000 banorë, brenda shtatë ditësh. “Nëse diçka ndodh në një vend, ne nuk do të presim derisa të përhapet në të gjithë republikën, por përkundrazi do të veprojmë në moment,” tha Merkel.

Ajo tha se kishte një ndjesi pozitive për vendimet e së mërkurës, veçanërisht duke pasur parasysh frenën e emergjencës, por paralajmëroi se: “Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e humbasim kontrollin mbi këtë gjë.”

Qeveritë federale dhe të shteteve do të presin dhe do të shohin rezulatatet e masave lehtësuese, tha Merkel, duke shtuar se: “Tani ne do të përballemi me një fazë në të cilën do të ketë shumë më tepër kontakt (person-me-person)”.

“Ne po ndjekim një rrugë të guximshme. Mund t’ia lejojmë vetes të jemi pak të guximshëm, por duhet të qëndrojmë të kujdesshëm”. / bota.al

Share: