Një kohë të gjatë studiuesit dhe gazetarët kanë bërë spekulime, për çështjen se si përfundoi në Wuhan virusi Corona SARS-CoV-2. Dyshime pati për një treg me peshq, në të cilin ishin tregtuar edhe kafshë të egra.
Mediat perëndimore janë duke informuar tani se ka mundësi që virusi të ketë dalë nga Instituti i Virologjisë në Vuhan, i cili ndodhet direkt ngjitur me tregun.
Që në muajin janar në mediat sociale u përhapën teoritë se virusi kishte të bënte me Institutin, por ato u shoqëruan nga teori konspiracioni për kërkime në armë të fshehta bilogjike. Në atë kohë gazeta amerikane Washington Post pati hedhur teorinë se kishim të bënim me një virus të prodhuar nga njerëzit. Virologët që u pyetën nga gazeta, e përjashtuan mundësinë që virusi të ishte një mutacion i prodhuar nga njeriu, duke u mbështetur në karakteristikat e virusit. Kjo u konfirmua nga një studim i bërë nga një ekip studimor i mbledhur nga Kristian G. Andersen, i cili u publikua më 17 mars në Nature Medicine.
Përveç kësaj, punimet e këtij instituti nuk janë të fshehta dhe studimet e bëra me viruset tek lakuriqët e natës, janë publikuar në revista shkencore. Në disa punime studimore janë përfshirë edhe partnerë perëndimorë. Ndër të tjera Galveston National Laboratory nga Universiteti i Teksasit ka marrëdhënie të ngushta me Institutin e Studimeve në Vuhan. Edhe SHBA i ka përkrahur financiarisht punimet studimore, thotë gazeta britanike Daily Mail.
Nga erdhën të infektuarit e parë?
Por të gjitha këto nuk përjashtojnë mundësinë që virusi të mos ketë dalë në qarkullim pa dashje nga Instituti në Vuhan. Që në fund të muajit janar në gazetën shkencore Science u botua një artikull, që e vinte në pyetje këtë teori, sipas të cilës virusi ka kaluar nga tregu i peshkut tek njeriu.
Një studim i publikuar në revistën The Lancet pati ardhur në përfundimin se 13 nga 41 pacientët e parë të sëmurë me Covid 19, nuk kishin asnjë lidhje me tregun e peshkut.
Përveç kësaj, është e mundshme që infektimi i personit 0, pra njeriut të parë që mori virusin, të ketë ndodhur që në nëntor 2019. Rastet më të hershëm të infektimit nuk kanë pasur kontakt me tregun e peshkut, thekson edhe Daniel Lucey, Profesor për sëmundjet e infeksionit në Universitetin Georgetown University Medical Center, në një intervistë të dhënë në atë kohë.
A e kanë fajin punët studimore?
Kjo shtron pyetjen si erdhi virusi në Vuhan. Një shpjegim i mundshëm vjen nga profesorja e virologjisë, Zhengli Shi, që është marrë me studime të lakuriqëve të natës në Institutin e Vuhanit dhe ka botuar në fillim të muajit shkurt një artikull shkencor në revistën Nature. Në gazetën South China Morning Post u botua më 6 shkurt një portret i shkencëtares. Në të shkruhej se si ka kërkuar ajo në 28 provinca të Kinës për zgavrrat e lakuriqëve të natës, ku ka marrë edhe prova për analiza. Në Vuhan ajo ka ngritur një arkiv të gjithanshëm për viruset e lakuriqëve të natës, siç shkruan ajo edhe në revistën Spektrum/Scientific American.
Në fillim të vitit 2019, ajo publikoi me kolegët e saj një studim të përgjithshëm si transmetohet virusi corona nga lakuriqët e natës. Ajo zbuloi se në vrimat e hundës së lakuriqit të natës ndodhen viruse corone që janë shumë të ngjashme me virusin e përhapur tani.
Falë punës së ekipit të saj, është bërë shumë shpejt shkëputja e genomit të virusit, gjë që iu bë publike botës për të kërkuar për vaksinën dhe për të bërë provat me antitrupa me një shpejtësi të paparë deri tani.
Për këtë arsye Zhengli Shi u përplas javën e kaluar me armiqësira në mediat sociale, si në Azi ashtu edhe në pjesë të tjera të botës. Kolegu nga Nju Jorku Peter Daszak, presidenti i EcoHealth Alliance, që ka punuar bashkë me të në studime u detyrua të merrte në mbrojtje kolegen e re.
Në një intervistë për emisionin Democracy Now të National Public Radio, Daszak tha se pretendimet se virusi ka shpëtuar nga laboratori janë “krejt të pakuptimta”. Ai ka marrë pjesë vetë në grumbullimin e testeve nga lakuriqët e natës. Në laborator nuk janë bërë ruajtje të virusit SARS-CoV-2. Këtu kemi të bëjmë me “politizimin e pafat të fillesave të pandemisë.”