Dështimi i OBSH për të sfiduar Kinën, na kushtoi shtrenjtë të gjithëve

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë Sociale

Nga Lawrence Freedman

Ndërsa qeveria japoneze llogariste koston e shtyrjes së Lojërave Olimpike të Tokios për në vitin e ardhshëm, Taro Aso, zëvendëskryeministri i vendit, nuk e mbajti dot zhgënjimin e tij ndaj Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH). Përgatitja për një pandemi ekzaktësisht të kësaj natyre, kishte qenë përparësia kryesore e OBSH-së prej një kohe të gjatë. Atëherë pse dështoi aq keq në provën e saj organizata, kur erdhi momenti?

Përgjigjja e Aso ishte se OBSH ishte afruar pak si shumë me Kinën. Në të vërtetë, sugjeroi ai, ajo duhet ta ndryshojë emrin në Organizata Kineze e Shëndetit. Jo vetëm që drejtoresha e përgjithshme e mëparshme e OBSH-së, Margaret Chan, kish qenë shtetase kineze, por edhe pasardhësi i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ish-ministri i Shëndetësisë i Etiopisë, ishte kandidati i mbështetur nga Kina. Akuza ishte serioze: “Që në krye të herës, nëse OBSH nuk do të kishte këmbëngulur duke i thënë botës se Kina nuk kishte një epidemi të pneumonisë, atëherë të gjithë vendet do të kishin marrë masa paraprake,” tha ai më 28 mars. Edhe pse ishte paralajmëruar në fund të dhjetorit se një sëmundje e re ishte shfaqur në qytetin kinez Wuhan, OBSH vazhdoi të përsëriste garancitë e Pekinit, se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar.

OBSH ishte paralajmëruar për problemin në Wuhan nga një burim i besueshëm, por i sikletshëm. Njësoj si shumica e organizatave ndërkombëtare, me insistimin e Kinës, OBSH nuk e përfshin Tajvanin si një anëtar të pavarur. Kjo është arsyeja pse ata që duan prova të performancës së Tajvanit në luftën kundër Covid-19, do të kërkojnë më kot në faqen e internetit të OBSH. Megjithatë, siç vuri në dukje edhe Aso, Tajvani mund të pretendojë se është një “udhëheqës botëror” për sa i përket përgjigjes ndaj virusit, dhe të dhënat e tij mbresëlënëse duhet të njihen nga të gjithë. Duke ekzaminuar njerëzit që mbërrinin në fluturimet nga Kina dhe duke gjurmuar kontaktet e të gjitha rasteve të njohura, ky vend-ishull me rreth 24 milion banorë, ka kufizuar deri tani numrin e rasteve në 363, me pesë vdekje.

Por kjo nuk është një histori që OBSH mund ta rrëfejë. Pati një moment të sikletshëm në fund të marsit, kur Bruce Aylward, një këshilltar i lartë i OBSH-së, nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej një pyetjeje të një gazetari me banim në Hong Kong mbi Tajvanin, sepse ai guxoi të mos e pranonte ekzistencën e tij si një entitet i veçuar politik. Ky është një problem i njohur për burokratët ndërkombëtarë. Sikleti në këtë rast ishte se Tajvani kishte paralajmëruar OBSH-në për problemet në Wuhan qysh në fund të dhjetorit, dhe veçanërisht për mundësinë e transmetimit nga njeriu te njeriu. Kjo binte ndesh me përpjekjet e bëra nga zyrtarët lokalë të Partisë Komuniste, për të fshehur lajmet dhe paralajmëruar ata mjekë që flisnin hapur. Por me fillimin e këtij viti, lajmet po dilnin në mënyra të ndryshme, dhe jo vetëm përmes Tajvanit.

OBSH nuk iu përgjigj paralajmërimit të Tajvanit dhe nuk ia përcolli atë të tjerëve. Në vend të kësaj, ajo qëndroi afër linjës zyrtare të Kinës. Edhe pse serioziteti i situatës u bë i qartë, OBSH përsëriti siguritë e dhëna nga Kina. Çuditërisht, më 14 janar, organizata mbështeti pretendimin e kinezëve, bazuar në një hetim paraprak, se ndërsa ky mund të jetë një shembull tjetër i transmetimit të një virusi të ri nga kafsha te njeriu, siç mund të ndodhë kur kafshët e egra blihen dhe shiten në tregjet kineze, nuk kishte ende asnjë provë të transmetimit nga njeriu tek njeriu. Ky ishte një pohim që, ata të cilët përpiqeshin të përballonin krizën në zhvillim e sipër në qytet, e dinin se ishte i gënjeshtërt. OBSH e përcolli këtë lajm në Twitter. Qeveritë në mbarë botën, të cilat mbështeten tek OBSH si burimi më autoritar i informacionit mbi sëmundjet infektive, mbajtën shënim.

Më 22 janar, komiteti i emergjencës i OBSH u mblodh me telekonferencë për të diskutuar nëse “koronavirus i ri 2019” përbënte një Emergjencë të Shëndetit Publik me Shqetësim Ndërkombëtar (PHEIC) – niveli më i lartë i alarmit, para një pandemie. Pasi ishin ndarë “pikëpamjet divergjente”, këshilla ishte që të mos ishte një PHEIC. Të nesërmen, megjithatë, Kina njoftoi masat e ashpra që po vendoste, për të vënë nën kontroll situatën e virusit në Wuhan. Komiteti i Emergjencës u rimblodh në 23 janar. Ai dëgjoi se si virusi po përhapej, duke përfshirë në Japoni, Korenë e Jugut dhe Tajlandë, dhe nga 557 raste të raportuara në Kinë, 17 persona (rreth 4 përqind) kishin vdekur. (Një artikull në revistën Science ka vlerësuar se në këtë kohë rreth 86 përqind e të gjitha infeksioneve brenda Kinës ishin të padokumentuara.) Komiteti e konsideroi të paqartë shtrirjen e transmetimit nga njeriu tek njeriu. Mbi këtë bazë ishte ende hezitues, për të shpallur PHEIC, dhe vendosi për një “nivel alarmi më të ndërmjetëm”.

Tani kërkohej më shumë informacion nga Kina për të “kuptuar më mirë epidemiologjinë dhe evolucionin e këtij shpërthimi”, si dhe tiparet klinike të infeksionit dhe trajtimet më të mira. Për të ndaluar përhapjen ndërkombëtare të virusit, Kina duhej të bënte “ekzaminimin përmes skanerave të temperaturës në aeroportet dhe portet ndërkombëtare, në provincat e prekura”. Kjo do të lejonte zbulimin e hershëm të “udhëtarëve simptomatikë … duke minimizuar ndërprerjet në trafikun ndërkombëtar”. Kina ishte në ankth për të shmangur problemet ekonomike që kishin ndodhur një herë me shpërthimin e SARS në vitet 2002-04. Në atë kohë, OBSH kishte dhënë këshilla për të shtyrë udhëtimet jo thelbësore në një zonë të prekur nga SARS, gjë e cila pati efektin e zvogëlimit të udhëtimeve për në Azinë Lindore me rreth 10 përqind, me pasoja të rënda ekonomike për industrinë e aviacionit dhe turizmit.

Në këtë fazë, vendet e tjera kishin filluar të shqetësoheshin. Inteligjenca amerikane paralajmëroi Donald Trumpin në fund të janarit se Kina po kuptonte peshën e sëmundjes, dhe ai ua ktheu me siguritë që kishte marrë nga Xi Jinping, udhëheqësi i Kinës. Linjat ajrore të mëdha po ndalonin fluturimet nga Wuhani. Kur fillimisht Italia (e cila shumë shpejt pati rastin e parë të një udhëtari të infektuar nga Wuhani) dhe më pas SHBA, ndaluan fluturimet, Tedros paralajmëroi në 4 shkurt se kjo gjë “do të kishte efektin e rritjes së frikës dhe stigmës, me shumë pak përfitime për shëndetin publik”. Në këtë kohë, virusi ishte e sigurt që kishte marrë rrugën për në mbarë botën.

Ngadalë, OBSH rriti paralajmërimet dhe këshillat. Më në fund shpalli një emergjencë globale të shëndetit publik më 30 janar. Tedros ishte ende hezitues për të kaluar në nivelin tjetër. “Përdorimi i fjalës pandemi pa kujdes nuk ka asnjë dobi të prekshme,” deklaroi ai më 26 shkurt, “por paraqet një rrezik të konsiderueshëm për sa i përket forcimit të frikës dhe stigmës së panevojshme dhe të pajustifikuar, dhe paralizimit të sistemeve. Mund të sinjalizojë gjithashtu se ne nuk mund të frenojmë virusin, gjë e cila nuk është i vërtetë”. Në këtë pikë vendi kryesor që shqetësohej për stigmën ishte Kina.

Tedros gjithashtu kishte frikë (ndoshta duke ditur saktësisht rrjedhën e mundshme të pandemisë), se rreziku më i madh ishte për vendet në zhvillim. Më 12 shkurt u botua udhëzimi i planifikimit operacional për vendet dhe më 21 shkurt erdhi një paralajmërim më urgjent, se “dritarja e mundësive” për parandalimin e përhapjes së virusit, shumë shpejt mund të mbyllej. Të nesërmen një ekip ekspertësh nga OBSH më në fund u lejua të vizitonte Wuhanin, për të eksploruar provat. Raporti i tyre, i botuar në fund të muajit, dha informacion jetik që informonte gjithë botën për përgatitjet e nevojshme të emergjencës. Anëtarët e ekipit e lavdëruan Kinën për bashkëpunimin shkencor, por vunë në dukje nervozizmin e saj për mbivlerësimin e vdekshmërisë së Covid-19 dhe mundësinë e një “vale të dytë”.

Raporti rekomandonte “gjetjen aktive, shteruese të rasteve dhe testimin e izolimin e menjëhershëm, gjurmimin agresiv të kontakteve dhe karantinimin e rreptë të kontakteve të ngushta”, ndërsa edukonte publikun e gjerë “mbi seriozitetin e Covid-19” dhe mënyrën e parandalimit të përhapjes së tij. Kur vinte fjala tek më shumë “masa të rrepta”, të tilla si pezullimi i tubimeve në shkallë të gjerë dhe mbyllja e shkollave dhe vendeve të punës, ajo nuk shkonte përtej planifikimit të “skenarëve dhe simulimeve shumësektorialë”.

Kjo ishte këshilla në fillim të marsit, edhe pse deri në këtë kohë situata në një numër vendesh po bëhej më emergjente, dhe programet e testimit mund të kishin vetëm vlerë të kufizuar në frenimin e përhapjes, veçanërisht pasi shumë nga ata që mbartnin virusin nuk shfaqnin ose kishin vetëm simptoma të buta. Më 11 mars u shpall pandemia nga OBSH. Në këtë kohë, 114 vende kishin raportuar raste. Por duhet thënë se OBSH ishte gjithashtu në gjendje të plotë emergjence, duke shpërndarë këshilla dhe ndihmë thelbësore në të gjithë botën.

Dhe sërish, për të mos i ngrënë hakun OBSH, të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të trajtojnë me kujdes anëtarët e tyre më të fuqishëm, kur kanë nevojë për bashkëpunimin e tyre. Po kështu, shpallja e pandemisë mbi bazën e provave të limituara nuk është gjë e kollajtë. Paraardhësja e Tedros, Margarett Chan, u përball me kritika të forta kur shpalli me nxitim pandeminë gjatë kohës së gripit të derrit në 2009, sidomos kur u pa se pasojat ishin shumë të ngjashme me një grip të zakonshëm. Madje pati dhe akuza, që më vonë rezultuan të pabaza, se kjo kishte ndodhur me nxitjen e kompanive farmaceutike, që prisnin të fitonin para prej testimeve dhe vaksinave.

Megjithatë kur vinte fjala tek raportimi për viruse të këtij lloji, Kina kishte eksperiencë. SARS filloi gjithashtu me kombinimin e kafshëve të egra dhe një tregu të lagësht. Mosgatishmëria e zyrtarëve lokalë për të përcjellë lajme të këqija në Pekin, dhe frika se mos shkaktohej paqëndrueshmëri ekonomike dhe sociale, çuan në vonesa për t’ia treguar botës së jashtme. Pas kësaj, OBSH bëri të qartë se këto vonesa kishin pasoja të rënda. Kina ra dakord të bënte më shumë herën tjetër. Ajo madje e shndërroi angazhimin në ligj. Ishte një premtim që nuk e ka mbajtur. Mosmbajtja e këtij premtimi, dhe ngurrimi i OBSH-së për të sfiduar atë që iu tha, i ka kushtuar shtrenjtë botës. / The New Statesman – Bota.al

Share: