Nga Skënder Minxhozi
Kemi patur shumë shpesh këto 30 vjet, mësues që kanë bërë shitësin e frutave, ish-ushtarakë që kanë këmbyer valutë poshtë bankës së shtetit, gjeologë që kanë punuar muratorë apo inxhinierë që janë bërë shoferë taksish. Sot mësuam se paska edhe infermierë që nga halli, kur kanë mbetur pa punë, paskan punuar edhe në stacionet e karburantit. Deri këtu asgjë e re në qiellin tonë shqiptar.
Por që një infermier-pompist krejt i panjohur, të përdoret trashë për të balancuar një nismë humanitare shumë të përgëzuar, për të ndihmuar me mjekë e personel ndihmës Italinë fqinjë në këto kohë të zymta, kjo ishte një gjë e re. Një shpikje nga halli në fakt, e atyre që reagimet në kor pozitive, të politikës e medias italiane, i kanë parë si humbje politike personale.
Pierpaolo Sileri, zëvendësministër i shëndetësisë, kirurg dhe akademik i njohur në Itali, është ndoshta zëri më kualifikuar për të përgënjeshtruar fabulën me pompistin Qazim. I ndodhur në aeroportin e Romës, bashkë me ministrin e jashtëm Di Maio, për të pritur mjekët e infermierët, ai deklaroi se ishte emocionuar teksa kishte parë mes tyre dy studentë të tij.
Le të vijmë tek sherri banal shqiptar për pompën e benzinës së Qazim Ismailit. Së pari dhe më e rëndësishmja, që Shqipëria e vogël të ndihmojë simbolikisht Italinë e madhe dhe të mirëpritet nga kjo e fundit, duhet të jetë një motiv i ligjshëm krenarie për cilindo shqiptar. Jo vetëm për atë gjysëm milioni bashkatdhetarësh që jetojnë atje dhe që e ndjejnë të parët temperaturën mes dy shteteve, por edhe për ne të tjerët, që kemi parë tek Italia një fqinj të mirë, të sinqertë dhe dashamirës.
Dërgimi i mjekëve e infermierëve shqiptarë në frontin më të vështirë të luftës kundër pandemisë së Covid 19 mund veçse të përshëndetet, qoftë edhe pa dëshirë ose edhe me shtrëngim buzësh a sforcim. Është një nga ato momente kur nuk ke mundësi të bësh diçka tjetër, përveçse të thuash një fjalë të mirë.
Së dyti, që kjo nismë të banalizohet e përbaltet, me një histori fatkeqe personale të njërit prej infermierëve që shkuan në Itali, kjo është diçka krejt vulgare dhe e padrejtë për ne si shqiptarë, por edhe për ata që mirëpritën ndihmën tonë modeste. Pasi ka punuar 18 vjet si infermier mes Shqipërisë dhe Italisë, Qazim Ismaili është detyruar të bëjë një zanat tjetër “më vulgar”, pompistin në një stacion benzine në Vorë. Arsyet e tij familjare për këtë vendim janë bërë tashmë të njohura në media. Çfarë ka këtu për të ngritur një tymnajë propogande nga ato më pavlerat?
Çeshtja ështe jo nëse Qazimi është apo jo i specializuar për të bërë infermierin, por që të gjendej një fabul çfarëdo për të anatemuar, mpakur e banalizuar nismën e qeverisë shqiptare. Një provë nga ato më të prekshmet e flagrantet, për të kuptuar sesa dëshpërimisht është kërkuar për ta dëmtuar sadopak këtë operacion humanitar, me efekt të fortë imazhi në Itali e jashtë saj.
E megjithatë e vetmja batutë që të vjen ndërmend kur sheh zellin me të cilin një pjesë e medias dhe opozitës u kap pas këtij rasti, është se “ç’faj ka Qazimi, nëse të ka lënë benzina në mes të rrugës”!/javanews.al