Thirreni Dajën, cilindo

Analizë Opinion

Hashim Thaçi është konsistent. Në çdo negociatë në mënyrë konsistente i bën dëm vendit

1.

Karakteristika kyç e negociatave që i zhvillon Hashim Thaçi është konsistenca.

Prej vitit 1999 deri më sot, Hashim Thaçi në mënyrë konsistente ka bërë gabime që i shkojnë në dëm Kosovës.

Më 1999, në Konferencën e Rambouillet-së, Hashim Thaçi në mënyrë konsistente punoi, deri në orët e fundit të saj, që pala kosovare të mos e nënshkruante Marrëveshjen, dhe rrjedhimisht të mos e fitonte përkrahjen e SHBA-së dhe të aleatëve perëndimorë. Pa nënshkrimin e Delegacionit të Kosovës nuk do të kishte bombardime të NATO-s, pra nuk do të kishte as çlirim të Kosovës.

Në Bruksel, përsëriti të njëjtën gjë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë dhe më vonë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dha mendimin e vet, e ky qe se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por Hashim Thaçi pranoi që të hynte në negociata me Serbinë duke pranuar kushtëzimin e Serbisë, pra që çështja e Pavarësisë së Kosovës është ende e kontestueshme juridikisht.

Dhe, po në Bruksel, ia pranoi Serbisë se Kosova nuk është shtet sovran, duke nënshkruar së bashku me kolegun e tij, Daçiq, të drejtën që komunat serbe në Kosovë të formojnë një autonomi territoriale politike, fillimisht si një rrafsh i tretë i pushtetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Së voni, pas negociatave sekrete, Hashim Thaçi doli edhe publikisht për të treguar se ka pranuar të bisedojë për projektin e këmbimit të territoreve e popullatave (me emra si “korrigjim”, “korrigjim i lehtë”, etj.) që është vetëm vazhdimësi e konsistencës së gabimeve. Pra, pasi në Bruksel që nga viti 2011 pranoi se shpallja e Pavarësisë është e kontestueshme, me Marrëveshjen e vitit 2013 se Kushtetuta e vendit është po ashtu e vënë në pazar negociatash, tashmë një vit e sa Thaçi e ka vënë në treg edhe territorin e Kosovës.

2.

Nuk besoj që ia vlen të bëhet argumentimi i pse-së së veprimeve të Thaçit. Me këtë hapet tifozëria e tipit të Facebookut, në të cilin gjërat zakonisht mbërrijnë logjikën përfundimtare në përshkrimin e Thaçit si njeri që punon për Kosovën në interes të të tjerëve (“tradhtar”) apo në të kundërtën, në përshkrimin e pagabueshmërisë së tij prej “atdhetari”.

Këtij argumentimi të fundit, prej “atdhetari”, nuk i kanë ikur as persona me inteligjencë mbimesatare në politikën shqiptare, duke përdorur arsyetim të inteligjencës nënmesatare të tipit “nuk mund të jetë i tillë një komandant i UÇK-së”, “nuk bëhet i tillë ai që rrezikoi jetën duke kaluar kufirin e Shqipërisë me qindra herë” apo “si mund të gabojë figura kryesore vendimmarrëse në së paku dhjetë vjetët e fundit”?

Por Hashim Thaçi ja që gabon dhe këtë e bën në formë konsistente. Në kriminologji do të quhej recidivist, dhe ndoshta ky term mund të aplikohet te veprimet e Hashim Thaçit edhe në negociata. Dhe, meqë rrjedha e këtij shkrimi nuk duhet të shkojë drejt elaborimit të pse-së së recidivizmit të Thaçit – prapë do të ktheheshim te diskursi i tifozërive fejsbukiane – ia vlen të thuhet se kemi të bëjmë me recidivizëm, rrjedhimisht, do parë se si të pengohet dëmi publik që bën recidivisti.

3.

Pak a shumë kjo duket të jetë përpjekja e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në tetë muajt e fundit. Ç’prej se doli Hashim Thaçi në publik me Aleksandër Vuçiqin, duke pranuar idenë e tij për ndarje etnike – dhe për të shpjeguar në anglisht, me elegancën e njëjtë që e karakterizon edhe në të folurit shqip, se me këtë nuk bëheshin “djem të këqij”- partitë politike në Kuvendin e Kosovës po merren me dizajnimin e procedurave që do ta pengonin veprimin e recidivistit.

Rezultat i tërë kësaj përpjekjeje disamujore është puna rreth draftit të një e më shumë rezolutave të Kuvendit që do t’ia ndalonin Thaçit veprimin prej recidivisti. Pastaj është puna për formimin e Delegacionit shtetëror, me përfshirjen edhe të një partie opozitare (PSD) në të, madje në bashkëkryesim. Pastaj është puna e kalimit të një ligji për dialogun që pak a shumë duhet të ketë si pikë të parë dhe të fundit se Hashim Thaçi nuk bën të na fusë në gabime të tjera. Dhe pastaj është puna rreth një platforme negociatore e cila proklamon se nuk do të bëjë atë që bën Thaçi, të negociojë për sovranitet, rregullim kushtetues, dhe rrjedhimisht për pavarësinë e vendit.

Por kaq i bën recidivistit Thaçi. Në interpretimin e recidivistit Thaçi – deri tani të përkrahur nga realiteti – ai do të bëjë veprimet që do t’i bëjë pavarësisht rezolutave, ligjeve dhe dokrrave të tjera procedurale. Fundja, ai nuk gjendet në pushtet falë ligjeve dhe dokrrave të tjera procedurale; gjendet në pushtet mu duke shpërfillur ligje, institucione dhe dokrra të tilla procedurale.

4.

Në Rambouillet isha me dilemën me të cilën konfrontohen tash partitë parlamentare. Këmbëngulësia impresive e Thaçit për të prishur çdo gjë të shtynte të mendoje për një skenar të ndërlikuar, për mekanizma e strategji ndërkombëtare që ishin vënë në lëvizje për ta penguar këtë konferencë, dhe për mekanizma e strategji të ndërlikuar ndërkombëtare që ishin vënë në lëvizje për suksesin e saj. Por në orët e fundit të Konferencës ndodhi si në kalimin mjeshtëror prej tragjedisë në komedi – prej mundësisë që të mos ketë epilog ajo luftë që do të na kapërdinte të gjithëve – ardhja e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milo, në Kështjellë, për të përcjellë një mesazh nga kryeministri i Shqipërisë. Në një sallon të Kështjellës, ministri Milo na tha Azem Sylës, Hashim Thaçit dhe mua se në bashkëpunim me amerikanët Shqipëria do të ndërpriste bashkëpunimin me UÇK-në.

Ditë me radhë Delegacioni i Kosovës kishte dëgjuar përgjërime e kërcënime. Na kishin folur Robin Cook e Hubert Vedrine, na ishte lutur Joshka Fisher, na kishte lavdëruar dhe qortuar Madeleine Albright, në fund edhe kërcënuar se do të mbeteshim vetëm. Që të gjitha këto i dëgjonte Azem Syla në “Zërin e Amerikës”, në lajmet e mbrëmjes, në radion që e mbante me vete. Por drita u ndez kur dëgjoi shqip nga Paskal Milo se Shqipëria nuk do ta mbështeste më dhe m’u drejtua mua:

“O, veç nuk po di a p’i bie NATA Serbisë a jo, se kush e vet këtâ…”, tha duke bërë me dorë nga Hashim Thaçi.

Kështu foli Daja. Dikush tha në Delegacion se ishte daja i Hashim Thaçit, dikush se emri i tij ilegal ishte Daja, dhe se në të vërtetë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së. E sigurt ishte se qe njeri shumë i rëndësishëm, sepse nga ai moment Hashim Thaçi nuk kishte mundësi më të pengonte që unë të nënshkruaja Marrëveshjen e Rambouillet-së.

5.

Pra, nëse Parlamenti i Kosovës dëshiron ta pengojë recidivistin Thaçi duhet ta thërrasë Dajën. I sapoliruar nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ku qëndroi me akuza për disa vepra krimi, tashmë është duke pritur gjykimin për disa vepra të tjera krimi. Ndërkohë, mund të hyjë në punë për kauza më të mëdha.

Apo, nëse kjo për ndonjë arsye nuk është e mundur, atëbotë do rikrijuar metaforën e Dajës.

I lirë, pa mundësi të qortimi, recidivisti Thaçi mund të ndalet vetëm kur tërë interpretimet e sofistikuara mbi mekanizmat e mëdhenj që lëvizin politikën dhe veprimet e Thaçit zbresin në banalitetin e tij si kontekst real, banalitetin e përshkruar më së miri me formulimin që ia dha Daja: “ kush e vet këtâ…”.

Share: