I zhurmshëm ka qenë marketingu mediatik, këto ditë, i të ashtuquajturit “samit” të diasporës, që po mbahet në Tiranë.
Duke u njohur me programin e këtij eventi, ne të revistës “Peizazhe të fjalës” kemi krijuar, megjithatë, bindjen se, me gjithë makijazhin propagandistik, “samiti” po përvijohet tashmë si panair i simpatisë, i organizuar nga një elitë politike e mbetur pa ide dhe ndoshta e dëshpëruar.
Sikurse të gjitha kategorive të lexuesve tanë, edhe kësaj elite ne, si revistë dhe institucion kulturor, i kemi ofruar falas prej vitesh kritikë konstruktive dhe serioze, si alternativë ndaj karnavalit të përditshëm të përplasjeve, debateve dhe argalisjeve në Parlament, në televizion dhe në rrjetet sociale dhe që tashmë nuk bëjnë as për të qeshur.
Jemi përpjekur që, si zë i pavarur nga jashtë Shqipërisë, të japim një kontribut sistematik në ecurinë e jetës sociale dhe kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë, gjithashtu duke tërhequr në revistë me dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorë nga të gjitha anët e botës, pa çka se kurrë nuk kemi pasur mbështetje financiare institucionale. Na mban gjallë dëshira për ta thënë fjalën tonë në logun publik, mbështetja dhe simpatia e lexuesve dhe dhuratat sporadike, por gjithnjë tejet të vyera, të individëve dashamirës të revistës, të cilët – le ta themi sërish dhe fort – janë të gjithë nga diaspora.
Duam ta përfytyrojmë atë çfarë bëjmë si shembull të gjallë të kontributit që mund të japin shqiptarët e diasporës për shqiptarinë anembanë botës, si individë por edhe të organizuar në institucione të pavarura. Shpresojmë që edhe shumë prej jush që na lexoni, e shihni përpjekjen tonë kështu.
E kuptojmë, nga ana tjetër, pse regjimi i sotëm në Tiranë, tashmë i përfshirë në një krizë të gjithanshme, të cilën e ka shkaktuar në masë të madhe vetë, por edhe i përballur me pakënaqësi të përgjithshme nga shoqëria civile dhe qytetarët, kujton se nuk ka nevojë për praninë tonë dhe as për fjalën tonë.
Dhe pse, përkundrazi, kujton se ka nevojë për një dorë tjetër suvaje, në fasadën laramane dhe tashmë të rrjepur që po ia mirëmban vetes dhe po ia tregon botës prej vitesh si kopertinë broshure turistike të zbërdhulur; një dorë suvaje që shpreson se do t’ia japin këtë herë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin “samit”.
Flamujt kuqezi, qeleshet, tupanët, Kuvendi i Lezhës dhe turizmi patriotik nuk janë gjë tjetër, veçse xhingla shumëngjyrëshe, që mjeshtrit e public relations në Tiranë po u blatojnë vizitorëve të radhës, me shpenzimet e taksapaguesve të urtë.
Edhe vetë motoja e këtij panairi kaotik, “E gjithë vëmendja për diasporën”, nuk dëgjohet veçse si version i sloganit të Partisë Socialiste: “E gjithë vëmendja për ju”; të thuash se bëhet fjalë për aktivin e një dege të kësaj partie.
Ky slogan shpejt e shpejt i ricikluar duhet lexuar veç si kërkesa in extremis për vëmendje, nga ana e parisë së tanishme në Tiranë, drejtuar një publiku që tashmë nuk mjaftohet me bojëra dhe fasada.
Pavarësisht nga dëshirat e tyre të mira dhe ndjenjat patriotike që nuk ua vë kush në dyshim, pjesëmarrësit e tanishëm në “samit” janë duke kontribuuar, para së gjithash, në normalizimin e krizës politike dhe kushtetuese që ka pushtuar shtetin shqiptar.
Ne si “Peizazhe të fjalës” prej vitesh e kemi kuptuar dhe shpjeguar se paria që ka sot pushtetin në Tiranë, me gjithë pozat kulturore dhe kitsch-in e përgjithshëm, e ka bërë zakon të rreket të rekrutojë kulturën në shërbim të interesave të veta politike imediate. Publikun e kulturës kërkon ta bëjë publik të vetin dhe pastaj serbator votash të ardhshme.
Efekt anësor i neveritshëm i këtij politizimi ka qenë dhe mbetet degradimi i kulturës në spektakël sheshi dhe i eksperiencës kulturore në dëfrim masiv.
Protestat heroike në mbrojtje të Teatrit, protestat masive të studentëve, protestat e tjera qytetare dhe tani së fundi djegia e mandateve nga deputetët e Opozitës kanë krijuar në Tiranë dhe në Shqipëri një klimë të rënduar. Ajo çfarë po ndodh me gjyqësorin dhe Gjykatën Kushtetuese janë shenja të qarta të një krize kushtetuese. Edhe Presidenti i Republikës, që duhej të merrte iniciativën në zgjidhjen e krizës, po mjaftohet të ujitë kopshtin e vet. Shtetit i ka humbur partitura dhe po luan si një orkestër që veç akordon veglat.
Qytetarët, nga ana e tyre, nuk kanë siguri për vete dhe fëmijët, nuk kanë shpresë, nuk kanë shërbime publike elementare, si ato të arsimit dhe të shëndetësisë. Një pjesë e madhe e tyre thjesht duan të ikin nga Shqipëria, për ta ndërtuar të ardhmen gjetiu, refugjatë të luftërave primitive mes oligarkëve në Shqipëri, për të grumbulluar miliona në llogaritë e tyre, duke ia marrë njëri-tjetrit dhe, veçanërisht, qytetarëve.
Deri edhe mediat e regjimit nuk ngurrojnë t’i bëjnë reklamë verbuese lotarisë së përvitshme amerikane!
Mbase te panairi i tanishëm, në Tiranë, duheshin ftuar edhe përfaqësues nga të gjithë ata shqiptarë që – me dhjetëra mijëra – janë dyndur në qendrat e azilantëve anembanë Europës, në pritje që t’ua certifikojnë vullnetin për t’u larguar nga atdheu.
Në këto rrethana, organizimi i “samitit” të diasporës nuk mund të interpretohet veçse si shenjë e një shurdhërie terminale, nga ana e një regjimi që vazhdon t’u ofrojë zgjidhje paljative të vjetra e të konsumuara krizave të reja dhe sfidave të reja në vend dhe në Europë.
Shqiptarët që jetojnë larg Shqipërisë, gjatë këtyre 30 vjetëve, nuk janë sjellë gjë ndryshe nga sivëllezërit e tyre në histori – duke u përpjekur të bëjnë atë çfarë bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri nuk e kanë bërë dot.
Në lëmin kulturor, revista jonë “Peizazhe të fjalës” ka kërkuar të japë një kontribut unik, në dialog me faktorët e tjerë kulturorë dhe intelektualë në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu mes shqiptarëve në botë.
Pjesë e këtij kontributi është edhe denoncimi ynë i tanishëm i “samitit” të diasporës, si një spektakël pa shije i marketing-ut të regjimit në Tiranë, me pjesëmarrjen dhe angazhimin e bashkatdhetarëve tanë herë naivë, herë përfitues dhe herë të papërgjegjshëm.
Ky denoncim do lexuar edhe në vijim të kritikave të ashpra që patëm shprehur për “samitin” e parë të diasporës: vetëm se këtë herë pjesëmarrësve, që janë gjithashtu objekt i kritikës sonë, u mungon alibia e padijes.
Ne mendojmë se, në botën e sotme, e vetmja shprehje dhe provë e vëmendjes për atdheun është vendosmëria për të dhënë një kontribut në çështjen publike – prandaj edhe çdo diskurs kinse patriotik dhe nacionalist, që po shoqëron spektaklin e “samitit”, nuk provon veçse vendosmërinë e regjimit për ta vënë edhe atdhetarizmin spontan të shqiptarëve në shërbim të mbijetesës së vet.
Ajo çfarë bëjmë përditë te “Peizazhet” është përkushtimi ynë dhe atdhetarizmi ynë. Këtë e njohin edhe ata mijëra lexues që vijnë te ne çdo ditë, dhe ata miliona që janë akumuluar në këto 13 vjet. Që regjimi në Tiranë ka zgjedhur të na kthejë kurrizin si edhe herë të tjera, pse nuk i gëlltit dot qëndrimet tona të kthjellëta dhe të pavarura, na konfirmon se jemi në rrugë të drejtë./Peizazhe të fjalës