Modeli i një presidenti

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

Që nga fëmijëria Frank-Walter Steinmeier ka një pasion: i pëlqen të vizatojë. Më së shumti elefantë. Në kohërat e krizës siç po e përjetojmë tani me pandeminë e koronavirusit, presidenti gjerman nuk ka kohë të vizatojë. Ai telefonon shpesh – me kolegë nga vendet e tjera, me qytetarë të thjeshtë në Gjermani, me infermiere, me shkencëtarë. Kështu ai, përkundër distancës fizike, fiton një përshtypje mbi atmosferën në vend.

Ndonëse edhe në Gjermani roli i kreut të shtetit është më shumë ceremonial, shpesh vendi ka pasur presidentë që janë shquar si politikanë mbimesatarë. Richard von Weizsäcker ka qenë i tillë. Më 8 maj 1985 ai mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku tha se 8 maji i vitit 1945 ka qenë ditë e çlirimit të Gjermanisë nga barbaria naziste. Shumë gjermanë atë ditë e patën përjetuar si pushtim. Richard von Weizsäcker pas Luftës së Dytë Botërore si jurist ishte pjesë e ekipit që e mbrojti babanë e tij, diplomatin Ernst von Weizsäcker, i cili në Nürnberg u dënua si kriminel lufte.

Që nga Lufta e Dytë Botërore Gjermania ka pasur edhe presidentë që nuk kanë rënë aq në sy. Edhe Steinmeier nga mediat gjermane shpesh është përshkruar si burokrat, që disi rastësisht më 2017 u zgjodh president në mungesë të kandidatëve më të njohur në opinionin publik. E vërtetë është se Steinmeier ka bërë një karriere të “ushtarit partiak”. Më 1975 u anëtarësua në Partinë Socialdemokrate (SPD) dhe pasi studioi drejtësinë dhe shkencat politike punoi si referent për media në zyrën e kryeministrit të landit të Saksonisë së Ulët në veriperëndim të Gjermanisë, më vonë u bë shef i kabinetit të kryeministrit të landit.

Pas ardhjes në pushtet të qeverisë së socialdemokratëve dhe të gjelbërve me kancelarin Gerhard Schröder, Steinmeier së pari ishte sekretar shteti dhe i ngarkuar për shërbimet sekrete, pastaj nga viti 1999 shef i kabinetit të kancelarit. Më 2005 u zgjodh ministër i Jashtëm në kabinetin e parë të kancelares konservatore Angela Merkel. Ministër i jashtëm ishte sërish mes viteve 2013-2017. Gjatë këtij mandati Steinmeier krijoi një raport mirëbesimi e respekti të ndërsjellë me ministrat e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë, Enver Hoxhaj dhe Ditmir Bushati.

Në opinionin e gjerë gjerman Steinmeier fitoi mjaft simpati kur në fund të nëntorit 2010 njoftoi se për shkak të sëmundjes së bashkëshortes do të tërhiqej nga politika për disa javë. Menjëherë u bë e ditur se ai i kishte dhuruar veshkën gruas së tij të sëmurë. Në rolin e presidentit Steinmeier ka fituar një format të burrështetasit të vërtetë. Fjalimet e tij janë gjithnjë e më mbresëlënëse. Pa marrë parasysh se për cilën temë flet, ai gati përherë ia arrin të gjejë fjalët e duhura dhe tonin e duhur.

Kjo u pa edhe të shtunën, më 8 maj, në 75 vjetorin e mposhtjes së regjimit nazist. Steinmeier mbajti një fjalim që pati jehonë edhe përtej kufijve të Gjermanisë. Mediat britanike, për shembull, reaguan me entuziazëm. Steinmeier, mes tjerash, tha: nuk është kujtesa ngarkesë. Amnezia bëhet ngarkesë. Këtë vend, Gjermaninë, mund ta duam vetëm me zemër të thyer. Kujdesuni për Europën. Pas luftës kemi thënë: “Kurrë më luftë”, tani duhet të themi edhe këtë: “Kurrë më vetëm”, por në miqësi me europianët dhe partnerët e tjerë. Duhet të mendojmë, të ndiejmë dhe veprojmë si europianë. Nëse nuk e mbajmë unike Europën gjatë edhe pas kësaj pandemie, atëherë nuk jemi të denjë për 8 majin. Nëse dështon Europa, dështon edhe përbetimi “Kurrë më”. Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm. Kjo është fjalia e parë e Kushtetutës gjermane.

Ajo është e dukshme për çdo njeri për të parë se çfarë ka ndodhur në Auschwitz, në luftë dhe në diktaturë. 8 maji është ditë edhe e çlirimit gjerman. Është ditë e mirënjohjes. Vetëm kur Gjermania u ballafaqua me historinë e saj, të tjerët na falën besimin e tyre. Për këtë arsye Gjermania sot është një vend me vetëbesim, këtu unë e shoh një patriotizëm iluminist, demokratik. Atëherë na çliruan, sot duhet të çlirohemi vetë – nga joshja e nacionalizmit të ri, nga fascinimi për autoritarizmin, nga mosbesimi, izolimi dhe armiqësia, urrejtja, nxitja, racizmi dhe përbuzja e demokracisë. I lus të gjithë gjermanët: kujtoni sot në heshtje viktimat e luftës. Dhe mendoni se çka domethënë 8 maji, çka domethënë çlirimi për jetën tuaj dhe për veprimin tuaj. Nuk është turp të pranosh përgjegjësinë. Turp është të mohosh krimet.

Një fjalim padyshim i madh. Dhe shikuar në kontekstin ballkanik nuk ka si të jetë kontrasti më i madh me Serbinë, një vend që ka shkaktuar katër luftëra në Ballkan (nga Sllovenia në Kosovë), ka kryer gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkatërruar qindra-mijëra jetë njerëzish – dhe ende asnjë politikan udhëheqës serb nuk ka mbajtur asnjë fjalim të sinqertë dhe të pendueshëm mbi krimet e kryera ndaj popujve të tjerë. Për aq kohë sa është kështu, Republika e Serbisë mbetet burim jostabiliteti, armiqësie e helmi në Ballkan.

Fjalimi i Steinmeier mbi fajin dhe fatin gjerman u prit mirë edhe nga shumica e mediave të vendit. Por kishte edhe pak kritika. Gazeta “Berliner Zeitung” e qortoi presidentin për shkak se në fjalimin e tij nuk e përmendi Armatën e Kuqe si çlirimtare. Steinmeier e bëri këtë siç bëjnë edhe politikanë të tjerë gjermanë prej se Vladimir Putini ka pushtuar Krimenë dhe kështu ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kush e kujton fundin e luftës, nuk mund të heshtë edhe Armatën e Kuqe si çlirimtare, nënvizoi gazeta.

Steinmeier është mjaft i hapur ndaj gazetarëve – gjermanë dhe të huaj. Në webfaqen e presidentit gjenden të renditura me saktësi gjermane intervistat që Steinmeier muajve të fundit i ka dhënë gazetave nga Islanda, Kenia, Gjeorgjia apo Italia. Së fundi presidenti gjerman foli për “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Temë e pashmangshme ishte gjithsesi virusi korona dhe ballafaqimi i shtetit dhe shoqërisë gjermane me këtë rrezik. Veçojmë këtu dy mendimeve të Steinmeier që janë të rëndësishme jo e vetëm për Gjermaninë. I pari ka të bëjë me mediat. Steinmeier: “Rrallëherë kam përjetuar një etje kaq të pashuar për informata të besueshme si në këtë kohë. Por pas krizës nuk duhet të harrojmë sa të rëndësishme janë informatat e besueshme dhe raportimet serioze për pranimin e vendimeve, për besimin në veprimet shtetërore dhe për demokracinë tonë”. Pra, mediat e pavarura dhe serioze janë relevante për demokracinë. Mendimi tjetër i Steinmeier: “Shoqërisë sonë i duhen të drejtat themelore si ajri për të marrë frymë. Demokracia pëson dëm kur kriza keqpërdoret për të forcuar struktura autoritare dhe kufizuar të drejta demokratike. Edhe për këtë ka shembuj në Europë”.

Me maturi presidenciale ai nuk përmendi me emër shtetet autoritare, por mund të merret me mend se këtu hyjnë Hungaria e Polonia, e sidomos shumica e vendeve të Ballkanit. Si ministër i Jashtëm Steinmeier ka qenë përkrahës i integrimit të Ballkanit në BE dhe i pavarësisë së Kosovës. Në një fjalim në fund të majit 2008 ai tha: “Para tre muajsh Kosova e ka shpallur pavarësinë, dhe në fund – kjo është bindja ime – vërtet nuk ka pasur alternativë tjetër të besueshme. Tani qëllimi është – dhe për këtë duhet të jemi unikë – që në këtë rrugë ta përkrahim Kosovën me të gjitha forcat”. Jostabiliteti dhe shpeshherë kaosi politik në Shqipëri dhe Kosovë kanë bërë që presidenti gjerman Steinmeier të mos e gjejë ende rrugën drejt Tiranës dhe Prishtinës.

Share: