Nga Ben Andoni
Shqipëria ka resurset natyrore turistike që do t’ia kishte zili cilido vend i Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Fakt i madh është se Adriatiku dhe Joni, dy nga detet më të bukura të Mesdheut lagin brigjet e saj, moti lejon shumësi maksimale ditësh me diell, vendi gërsheton këndshëm klimën mesdhetare me atë kontinentale, kurse ushqimi në shumë prej vendeve ta saj mbetet i pasur dhe bio. Kaq mjafton që një sërë revistash turistike, që e vlerësojnë makro këtë bukuri, të mos hezitojnë dhe të ftojnë qytetarët e Perëndimit për parajsën “e panjohur”. Në fakt, Shqipëria nuk është më parajsë e panjohur, por inercia e izolimit të gjerë e mbart akoma këtë togfjalësh, që në një farë mënyre më shumë i shërben sistemit të marketingut si element për të tërhequr.
Shqipëria, prej disa vjetësh, paçka situatave politike të gjithfarëllojshme dhe krizave që nuk mbarojnë përpiqet vetë sesi ta dëmtojë turizmin. Mjafton që një nga dy forcat politike të jetë në opozitë dhe ajo do të shkallmojë gjithçka që është bërë për turizmin dhe përpjekjen e paraardhësve. Më keq akoma: një plan ose strategji që e bën njëra forcë e zhbën pa asnjë lloj mëdyshje forca tjetër duke u kapur pastaj tek trendi që për fat ende po merr kah drejt anës rritëse të kurbës së turistëve. Për shqiptarët që e njohin me rrënjë vendin e tyre dhe që kjo industri e re po u futet në gjak mundohen t’i largohen zallamahie mediatike dhe më shumë politike dhe në ato pak javë që trajton turizmin të gjithë mundohen të përfitojnë sa më shumë.
Po pse shqiptarët nuk i gëzon pasivisht turizmi? Të rinjtë realisht gëzohen sepse do të thotë dhe një vit tjetër me hare, me miq, me shokë, ende pa u futur në jetën e vështirë, ku përkunden kryesisht njerëzit e tyre jashtë vendit, që të sigurojnë mbijetesën ose shokët që pas pak ditësh të kaluar në vend u duhet të derdhen në botë për të siguruar jetesën e re dhe për t’iu përkulur kapitalizmit të ashpër. Bizneset zinxhir që po gjallërohen me turizmin i gëzohen fushave të reja ku gjejnë hapësirë dhe më shumë se çdo gjë tjetër vendi thith të ardhura për t’i riinvestuar. Sesi investohen ato është një temë e pafundme dhe do mendimin e specialistit. E megjithatë këdo që të pyesësh nga shqiptarët do të ankohet, por edhe kushdo mund ta provoj në kurriz. Për furnizimin, për trafikun, për punët e infrastrukturës që bëhen gjithnjë në pikun e verës dhe mbi të gjitha gjuhën e ashpër politike që nuk di të qetësohet.
Po, është e vërtetë, shqiptarët nuk mund të gëzohen edhe sepse natyra nuk hahet dhe turizmi nuk të mban. Vjen vjeshta, dimri dhe më pak pranvera dhe të gjithë zhyten në përditmërinë e vështirë, që ua vënë në pah sidomos ditët e pakta të bukura kaluar me harenë e pushimeve, sezonet turistike ende shumë të shkurtra, të huajve të shumtë që megjithë privacionet japin gjykime pozitive për vendin dhe… statistikat optimiste të shtetit. O zot sa shumë statistika, që nga ana tjetër, hidhen poshtë nga opozita e tanishme dhe si bëhet normalisht në të ardhmen, kur vendet do të ndërrohen.
Shqiptarët pas çdo sezoni i mbetet në kokë koha e humbur, por edhe ajo që nuk mundin të bënin, fitimet jo gjithnjë të parashikuara dhe mbi të gjitha pse nuk mundën të fitonin pak më shumë. Që do të thotë dhe pak javë ku mund të stërhallen për të treguar bëmat e tyre.
Po pse nuk qeshin vallë në shërbime dhe nuk ftojnë?! Kjo, sepse të gjithë janë të bindur, që turistët janë në dorë të tyre dhe jo ata. Dhe, këtë e shikon me trishtim me kapacitetet e pakta të shërbimeve, me organizimet ende si të një dekade më parë dhe mbi të gjitha me mungesën e buzëqeshjes së mirëpritjes. Në Jug të vendit, ku ne kemi turizmin tonë më elitar, nuk të buzëqeshin por të shikojnë me inat nëse nuk merr mjaftueshëm atë që ata kanë në kokë; nuk të japin llogari nëse ushqimi nuk i përgjigjet shijeve të turistëve; nuk ke përgjigje nëse kushtet nuk janë ato që të kanë thënë dhe mbi të gjitha të gjithë justifikohen nga mrekullia e detit.
E megjithatë, metafora Parajsa e pazbuluar ka ende fuqi për të tërhequr dhe tërhequr turistë që duan të zbulojnë mes Evropës, një vend të tillë. Por, aty, jo pak herë, i pret ajo kinse buzëqeshja e frikshme e njeriut të ri vigjilent kundrejt armikut: Çfarë do, është vendi ynë! Ne e bëjmë ashtu si duam vetë. Por kjo pa buzëqeshje. Sepse shqiptarët nuk të buzëqeshin në pushime, por të detyrojnë jo pak herë të ndihesh keq, pse nuk kupton atë që ata kanë në kokë. (Homo Albanicus)