Koronavirusi do të ndryshojë mënyrën sesi blejmë dhe punojmë për vite me radhë

Aktualitet Kryesore Sociale

Emergjenca e shëndetit publik po trondit ekonominë botërore. Prodhuesit janë të detyruar të rimendohen se ku blejnë dhe prodhojnë mallra

 

Çdo tronditje ekonomike lë pas një trashëgimi. Koronavirusi vdekjeprurës nuk do të jetë ndryshe.
Depresioni i Madh nxiti qëndrimin “mos shpërdoro që të mos jesh në nevojë”, i cili përcaktoi sjelljet e konsumatorëve për dekada me radhë. Hiperinflacioni në Republikën e Vajmarit është ende i rrënjosur në politikën gjermane, skruan Bloomberg.

Kriza financiare e Azisë e ktheu rajonin në rezervën më të madhe të valutave të huaja në botë. Më vonë, kriza globale financiare e vitit 2008, shkaktoi një përçarje mes demokracive të pjekura që vazhdoi të jehojë në dekadën pasardhëse, me punëtorë të paguar me paga fare të ulëta.

Këtë herë, ekonomia botërore po tronditet nga një emergjencë e shëndetit publik. Brenda disa javësh, njerëzit në zonat e prekura janë mësuar me zakone si të veshin maska, të grumbullojnë produktet e domosdoshme, të anulojnë takimet sociale dhe të punës, të heqin dorë nga planet e udhëtimit dhe të punojnë nga shtëpia. Edhe vendet me raste relativisht të pakta, janë duke ndërmarrë shumë nga këto masa paraprake.

Gjurmët e zakoneve të tilla do të mbeten shumë kohë, pasi të jenë lehtësuar masat ndaj virusit, duke vepruar si një frenë në nivelin e kërkesës. Për sa i përket furnizimit, prodhuesit ndërkombëtarë po detyrohen të rimendohen se ku të blejnë dhe prodhojnë mallrat e tyre – duke nxitur një ndryshim pasi lufta tregtare SHBA-Kinë ekspozoi rreziqet e mbështetjes në një burim të vetëm për importin e produkteve.

Në botën e zyrave, vendet e punës kanë rritur mundësitë e të punuarit nga shtëpia dhe zhvendosjen e turneve – duke hyrë në një epokë të re ku puna nga shtëpia do të bëhet një pjesë e zakonshme e orarit të rregullt të punës.
“Sapo të vendosen politika efektive të punës nga shtëpia, ato kanë të ngjarë të ngjisin”, tha Karen Harris, drejtore menaxhuese e konsulencës Bain’s Macro Trends Group në Nju Jork.

Universitetet e ndikuara nga ndalimet e udhëtimit do të diversifikojnë bazën e studentëve të huaj dhe shkollat do duhet të jenë më të përgatitura për të vazhduar arsimin online, kur ndalime të tilla detyrojnë mbylljen e tyre.
Sektori i turizmit po përjeton goditjen më drastike, me fluturime, kroçierë, hotele dhe rrjetin e bizneseve që ushqehen nga sektori në vështirësi. Ndërsa turistët pa dyshim do të jenë të etur për të eksploruar botën dhe për t’u çlodhur përsëri në një plazh, mund të kalojnë disa kohë derisa të rimëkëmbet kjo industri, që punëson rreth një në dhjetë njerëz.

Virusi gjithashtu ka shndërruar perspektivat e politikës ekonomike, duke krijuar përparësi të reja. Bankat qendrore janë përsëri në gjendje emergjence, ndërsa qeveritë po gërmojnë gjithnjë e më thellë për të gjetur para, për të mbështetur sektorët në vështirësi. Higjiena po vihet në plan të parë të axhendave qeveritare dhe korporatave. Madje, Singapori planifikon të prezantojë standarde të detyrueshme pastrimi.

“Ky shpërthim virusi është i pashembullt për sa i përket natyrës së pasigurisë dhe ndikimit shoqëror dhe ekonomik të lidhur me të”, tha Kazuo Momma, i cili më parë ishte përgjegjës për politikën monetare në Bankën e Japonisë. “Kontrollet më të forta kufitare, mbulimi më i gjerë i sigurimeve dhe ndryshimet e qëndrueshme në modelet e punës dhe të lëvizjes, do të jenë vetëm disa nga ndryshimet mikroekonomike që do të zgjasin shumë kohë pas virusit”, thotë Momma.

Në Kinë, ku virusi shpërtheu për herë të parë në Ëuhan në fund të vitit të kaluar, qeveria ka vendosur një ndalim të plotë të tregtisë dhe konsumimit të kafshëve të egra, në sajë të paralajmërimeve të shkencëtarëve se koronavirusi vdekjeprurës është transmetuar nga kafshët te njerëzit. Rregullat shtesë të rrepta të higjienës pritet të shtyjnë konsumatorët e kujdesshëm drejt blerjeve online, ashtu si shpërthimi i virusit SARS në vitin 2003, ndryshoi zakonet e blerjeve dhe njerëzit nisën të shmangnin qendrat tregtare.

Sipas analizave të Bain & Company, Kina do të pësojë ndryshime të theksuara e të menjëhershme në kujdesin shëndetësor, teksa gjithnjë e më shumë kontrolle rudimentare dhe transaksione kryhen përmes kanaleve online për të shmangur rrezikun e infektimit në sallat e pritjes. Qeveritë mund të shpenzojnë shumë më tepër në kujdesin shëndetësor për të shmangur kostot masive të epidemisë, sipas një studimi të ri mbi ndikimin makroekonomik të virusit, të publikuar nga Instituti Brookings, me bashkautor Ëarëick McKibbin dhe Roshen Fernando nga Universiteti Kombëtar i Australisë.

“Komuniteti global duhej të kishte investuar shumë më tepër në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve në vendet e varfra”, tha McKibbin. Ai ishte gjithashtu bashkautor i një studimi të mëparshëm që konstatonte se shpërthimi i virusit SARS në vitin 2003, i kushtoi 40 miliardë dollarë ekonomisë botërore.

Duke qenë se nuk dihet si do të jetë ecuria e virusit ose cilat do të jenë pasojat përfundimtare njerëzore dhe ekonomike, ekonomistët këshillojnë të mos bëhen parashikime konkrete. Mund të ndodhë që gjendja t’i rikthehet normalitetit pasi shpërthimi të jetë përmbajtur, sipas Edmund Phelps, fituesit të çmimit Nobel nga Universiteti Columbia.

“Mendoj se shumica e bizneseve dhe aktiviteteve të tjera në SHBA dhe gjetiu do të arrijnë t’u rikthehen praktikave normale”, tha ai. Ekonomisti Paul Sheard, ish-profesor i Shkollës Kennedy të Universitetit të Harvardit, paralajmëroi se për shkak se tronditjet ekonomike në vende të ndryshme nuk janë të njëjta, nuk është e sigurt se çfarë pasojash do të sjellë kjo gjendje.

Fabrizio Pagani, ish-këshilltar i kryeministrit të Italisë, merr si model tronditjet e mëparshme ekonomike.
“Shoku i furnizimit me naftë në vitet 1970, çoi në përpjekjet e para të ruajtjes së energjisë dhe efikasitetit”, tha ai. “Shoku i kërkesës nga kriza e madhe financiare ishte arsyeja pse u krijua një kornizë e re rregullative, mjaft radikale, në të gjithë sektorët bankarë dhe financiarë”.

Këtë herë, ai pret të ketë ndryshime në çdo aspekt, duke filluar nga shkollimi online dhe mësimi në distancë, deri te strategjia industriale, teksa transformohen modelet ekzistuese të biznesit. Një konvergjencë e trefishtë e Brexit, luftës tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe tashmë përhapjes së Covid-19, mund të riorganizojë zinxhirët e furnizimit prodhues në botë, sipas Michael Murphree, nga Shkolla e Biznesit Darla Moore të Universitetit të Karolinës së Jugut.

Kathryn Judge, një eksperte e tregjeve financiare në Universitetin Columbia, thotë se rrëzimi bankar amerikan i vitit 2008, ka lënë plagë të thella duke nxitur politikën përçarëse dhe duke ulur nivelet e pronësisë së shtëpive. Kriza aktuale do të ketë gjithashtu një ndikim, teksa kombet në mbarë botën ndërmarrin hapa urgjentë për të mbrojtur qytetarët nga infeksioni i koronavirusit.

“Debatet e gjata për mënyrën e rindërtimit të sistemit të kujdesit shëndetësor amerikan, mund të ndikohen nga një nevojë e re urgjente për veprim, duke bërë të mundur ndryshimin strukturor”, tha Judge.
Mënyra si do të interpretohet kjo në skenën politike do të jetë thelbësore. Kandidati demokrat, Joe Biden, ka një plan për përmirësimin e planit ekzistues shëndetësor të quajtur Affordable Care Act, të miratuar nga ish-presidenti Barak Obama. Ndërkohë, presidenti Donald Trump vazhdon të minimizojë rrezikun që paraqet koronavirusi për ekonominë amerikane dhe është përpjekur t’ua hedhë fajin për pandeminë vendeve të tjera, duke e etiketuar atë si një “virus i huaj”.

James Boughton, i cili ka shërbyer për disa dekada në Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshirë edhe si historian, sjell shembullin e përmbysjeve në Korenë e Jugut dhe Indonezi, si katalizatorë për ndryshim, me kusht që qeveritë të veprojnë. “Vetëm në një kohë krize, qeveritë mund të jenë në gjendje t’i bindin njerëzit të pranojnë reforma të nevojshme, por të dhimbshme”, tha Boughton. “Çdo krizë është edhe një mundësi”./monitor

 

Share: