Armët hileqare të betejës për Kushtetutën

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Ajo që mund të thuhet tre ditë pas mitingut presidencial të të hënës, është se më normale do të ishte që populli i çdo krahu politik të mos trazohej e nxirrej në protesta nën moton “Të mbrojmë Kushtetutën”. Sepse kushdo nga ata që sot konsiderohen si politikanë me një farë peshe në këtë vend, e ka nga një mëkat të fshehur nën mëngë, pikërisht në raport me Kushtetutën e Shqipërisë. E kanë shkelur, shpërfilluar, anashkaluar e trukuar diku gjatë karrierave të tyre.

Merrni për shembull iniciatorin aktual të protestave “kushtetuese” – Presidentin Ilir Meta. Jo pa të drejtë ai sulmon ashpër disa akte të shumicës që lidhen me Gjykatën Kushtetuese, ku dallohet që ka tendenca për shkelje dhe mosrespektim të frymës së ligjit. Me të drejtë po ai, Ilir Meta, prej vitesh anatemon PS e PD, për pazaret e vitit 2008, të cilat prodhuan një situatë ngërçi politik, që sot e ka çuar drejt askundit standartin demokratik, duke nxitur skajshëm partitokracinë, kulisat dhe dallaveret pas perdeve.

Me këto armë në duar, Ilir Meta i lejon vetes të bëjë çfarë t’i vijë në mendje dhe çfarë t’i sugjerojë emocioni i momentit: të ekzaltohet sepse sheh disa mijëra njerëz me celularë të ndezur para vetes, të ulet në gjunjë para tyre në një gjest të shëmtuar dhe banal, i cili ka habitur shumëkënd, apo të manipulojë me flamurin amerikan, aq sa të provokojë edhe reagime djegëse të amerikanëve në kohë reale!

Jo vetëm kaq. Kjo është ana folklorike e kësaj beteje që kreu i shtetit kë nisur në emër të Kushtetutës. Pasi edhe vetë Ilir Meta nuk është aspak i imunizuar nga shkelja e ligjit themelor të shtetit. Dhe këtu nis ana hileqare e betejës së tij në emër të mbrojtjes së Kushtetutës. Në dhjetor të vitit 2018 Presidenti bllokoi dekretet e shkarkimit dhe emërimit të ministrave të jashtëm dhe të brendshëm. Shkeli të gjitha afatet kohore të formosjes së tyre dhe la të kuptohet publikisht se kërkon të ketë akses në përzgjedhjen kandidaturave konkrete.

Ngado që ta kapësh, kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës, pasi ndarja e pushteteve në Shqipëri, nuk ja lejon presidentit të fusë duart në formatimin e ekzekutivit. Asokohe presidenca e shfrytëzoi hapur dhe pa asnjë takt mungesën e Gjykatës Kushtetuese, duke u futur në një përplasje krejtësisht antiligjore me qeverinë. Madje Meta shkoi më larg, kur deklaroi në 11 janar se “Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit”. Pra, as Gjykata Kushtetuese nuk do ta detyronte dot të vendoste firmën mbi një dekret, të cilin kreu i shtetit është i detyruar ta ekzekutojë. Të paktën nëse lexojme Kushtetutën që sot ai mbron nëpër sheshe!

E njëjta situatë u prodhua pak muaj më pas, kur Presidenti do të shtynte zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Komisioni i Venecias e ka fotografuar qartë këtë akt antiligjor e antikushtetues, kur konstatonte në konkluzionet e tij për këtë çeshtje, se “Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen nga autoritetet shtetërore të masave të jashtëzakonshme. Në rastin konkret, rregullat kushtetuese për marrjen e masave të jashtëzakonshme nuk janë ndjekur në këtë rast dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte këtë krijimin e një baze ligjore ad hoc për shtyrjen e zgjedhjeve”. Justifikimi i kreu të shtetit se “po të mos shtyja zgjedhjet, do digjej parlamenti”, është një frazë e palumtur, për të cilën duhet të ndjehet keq çdo president që kërkon të jetë minimalisht i balancuar dhe mbi palët.

Beteja aktuale për Kushtetutën ka dhe një shkelje tjetër të rëndë në “menunë” e saj, e cila deri tani ka mbetur pezull, në formën e një premtimi. Pasi mbajti fjalimin ndoshta më të ndezur të karrierës së tij politike para një turme njerëzish, Presidenti kërcënoi se nëse shumica hidhte poshtë dekretin që ai firmosi në bulevard, ai do të shkonte në 15 mars dhe do ta shpërndate Kuvendin brenda selisë së tij. Është krejt e panevojshme të evokosh nenet e Kushtetutës shqiptare, që parashikojnë se kur mundet një kryetar shteti ta shpërndajë parlamentin. Është e panevojshme, sepse janë rrethana krejt specifike dhe të largëta me rrëmujën qesharake që kemi tani nëpër këmbë, e që s’i lejon Ilir Metës asnjë grimë kompetencë për të hedhur këtë hap. Më së shumti, ky kërcënim që nga aspekti kushtetues tingëllon haluçinant, tregon sesa e pasinqertë është beteja që bëhet sot në emër të mbrojtjes së Kushtetutës.

Ligji dhe Kushtetuta nuk mbrohen, duke premtuar t’i shkelësh nga e para edhe ti vetë. Përndryshe merr fund objektiviteti, logjika ligjore dhe paanësia që imponon posti i lartë. Mesa duket të gjitha këto janë lukse që Meta i ka hedhur pas shpine, teksa po vesh parzmoren e kryetarit të ri të opozitës.(javanews.al)

Share: