Nga Eduard Zaloshnja
Bazuar në të dhënat zyrtare të KQZ-së dhe të Gallup-it, banorët e rritur të Shqipërisë në vitin 2017, u përvijuan në tre sinorë të ndryshëm elektoralë, që ishin pak a shumë të barabartë. Pavarsisht se në zgjedhjet e 2017-ës nuk kishte koalicione zyrtare mes partive, tre sinorët e ravijëzuar qartazi ishin: 1) sinori “kuqeblu”, ku dominonte flamuri blu i PD-së dhe flamuri i kuq i LSI-së; 2) sinori “violet” ku dominonte flamuri socialist; 3) sinori “gri”, i populluar nga banorët mosvotues. (Shënim: 1.4 milionë emigrantët e llogaritur nga Gallup-i nuk futen në këtë tablo, sepse vetëm pak mijëra prej tyre vijnë për të votuar në Shqipëri).
Në të gjitha sondazhet që kam zhvilluar pas zgjedhjeve të 2017-ës, kam konstatuar një rregullsi të frikshme. Me luhatje brenda kujfive mëse normalë të marzhit të sondazheve (+/-3%), përgjigjet e pyetjve me konotacion politik janë grupëzuar pak a shumë brenda 3 sinorëve të sipërpërmendur.
Fjala vjen, pyetjes “A duhet shkarkuar Ilir Meta nga posti i Presidentit të Republikës për shkelje të Kushtetutës?”, shumica dërrmuese e popullit “violet” i është përgjigjur “po”; shumica dërrmuese e popullit “kuqeblu” i është përgjigjur “jo” dhe shumica dërrmuese e popullit “gri” i është përgjigjur “s’e di”. Dhe jo më kot, në sondazhet mujore që kam zhvilluar prej qershorit të 2017-ës (me pak përjashtime), PS-ja më del me vota që luhaten diçka mbi 50-përqindëshin, ndërsa koalicioni “kuqeblu” diçka poshtë 50-përqindëshit.
Që “revolucioni” i nisur në bulevard më 2 mars nga Ilir Meta të ketë sukses afatgjatë, duhet që t’i bashkohet jo vetëm populli “kuqeblu”, por edhe populli “gri”. Sidoqoftë, ky i fundit s’para u bashkohet politikanëve që, në një mënyrë apo në një tjetër, janë ulur për 30 vjet në krye të sofrës së pushtetit…